Një ditë do të bëhet më mirë

Një ditë do të bëhet më mirë
Nga Juela Meçani

Ne jetojmë, ringrihemi, përpiqemi, sepse një ditë do të bëhet më mirë. Është si lumturia, një mundësi gjithmonë e pranishme në përditshmërinë tonë, por që luan “kukamfshehti” me jetët tona. Shpresa dhe besimi!

Shumë ndër ne ndiejnë shqetësimin dhe frikën për atë që ndodh përreth. Ka një kohë në ditët tona kur dominon ai që është armik helmatisës i padukshëm, ankthi. Na kushtëzon veprimet, na fut në limitet e palumturisë, fatalizmit, dorëzimit ndaj asaj që pritet të ndodhë. Shpresa është kundërshtarja më e hidhur dhe e fortë e frikës. Është mundësia jonë për të mos dorëzuar “armët” e për të mos rënë pré e dëshpërimit që, në vetvete, është mungesa e shpresës.

Në shpirtin njerëzor, lind me njeriun, në mënyrë shumë të natyrshme dhe të brendshme, shpresa dhe besimi, pranohet frika dhe fitohet kurajë. Pavarësisht kësaj, presioni social në të cilin jetojmë, na bën që shumë më shpesh të kemi dëshirë të mbyllemi në guaskën tonë mbrojtëse, e thjesht të bëjmë gishtat kryq, e të presim më të mirën. Presim me besim. Por, a funksionon?

Për Goethe-n, shpresa është një qenie me krahë, që na dhuron krahët për të fluturuar, për të shkruar përtej kohës dhe për të pasur një vizion të fatit. Shpresa na ngre mbi të tashmen, për ta parë atë më mirë e për të diktuar kështu rrugë të reja, të pazbuluara, por të mundura për t’u realizuar. Na jep një ekuilibër të brishtë, mes shkatërrimit dhe krijimit. Dhe krijimi fillon SOT, ajo që është SOT është imagjinuar dje, ajo që fillon SOT, hap të ardhmen e të nesërmes.

Por shpresa dhe besimi janë një përgjegjësi jo vetëm individuale, por edhe shoqërore. Pra, është arti i të jetuarit.

Sot, shpresa është fshehur shumë mirë, është bërë e zonja të gjejë skutat më të errëta të mundshme dhe ashtu siç lojërat kanë evoluar, nuk na mjafton më të vrapojmë e të bëjmë sytë katër, por e sigurt është se e gjenim atë në lojën tonë fëmijërore “kukamfshehti” të dikurshme.

Sot të duhet një vizion lojërash playstation, lojërash kibernetike, hartash dixhitale, që ta gjesh shpresën e besimin. Shoqëria, politika dhe media, pa e ditur shpesh, bëjnë çdo ditë një bombardim me sinjale që të çojnë drejt frikës dhe panikut. Besimi e shpresa, atëherë, mbetet në duar të një rrethi të ngushtë. Duhen vendime të thjeshta e të qarta në jetë. Të mos pranosh të rrethohesh nga njerëz, informacione, mjedise të cilat vrasin shpresën. Të zgjedhësh të rrethohesh  nga energji pozitive, ndryshe je i fikur. Ndryshe nuk ke forcë të ecësh përpara, të ringrihesh. Ja, kështu; shkurt fare!

Nëse ju thonë se nuk e bën dot, se nuk mund t’ia dalë, nëse ju flasin vetëm për të “zezat” e kësaj bote, shmangini bisedat e gjata! Nuk keni nevojë për këto! Në fund të fundit, ata të moshuar të cilët diplomohen mbi të ’80-tat, kanë shpresë, ata e kanë zbuluar çelësin. Nëse dorëzohesh duke menduar me panik se bota nuk është për ty, se duhet të ndryshojë e të të veshë ajo ty, ke humbur që në nisje! Shpresa dhe besimi kanë bërë të kapërcehen shekujt, kur bota kalonte murtajën e u shua gjysma e popullsisë. Si mundet sot, kur e mira dhe e keqja janë saktë të barabarta, të mos kesh shpresë se e mira nuk do të të zgjedhë ty? Ne shqiptarët ia kemi detyrim e borxh vetes, të jemi besimplotë e me shpresë, fundja diellin që na ka dhënë natyra, duhet ta kthesh në shpresë, Ja ku e ke, dhuratë nga Zoti! Një fillim të mbarë!

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: