PAKETA PLUS: PASQYRA E NJË SISTEMI TË RËNË - Nga SONILA MEÇO

PAKETA PLUS: PASQYRA E NJË SISTEMI TË RËNË - Nga SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Iu desh të vinte të hënën e 15 majit Zv/Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Hoyt Brian Yee për të vulosur me stoicizëm qëndrimin ndërkombëtar mbi një marrëveshje që i jep fund krizës politike në Shqipëri.

Pra që nga shkurti kur opozita pasi u mësye në bulevard, u ngujua në çadër e u mësye sërish bulevardit, faktorit ndërkombëtar iu deshën 3 muaj të kuptojë se për çfarë bën fjalë ‘rasti shqiptar’. E se kjo nuk është krizë politike, por sistemi. Një sistemi që është lënë të ndërtohet e forcohet me idenë se për sa kohë nuk lëshon ujë, nuk do të fundosë askënd, aq më tepër që noton larg, shumë larg oqeanit të problemeve të Europës e Amerikës.

Pasi u provuan thuajse të gjitha mënyrat, me negociatorë e negociatorë negociatorësh, pasi u spërkatën mirë rrjetet sociale me ‘pështymën’ reciproke të vetë aktorëve politikë ndaj njëri-tjetrit, por edhe ndërkombëtarëve, pasi u ambalazhuan disa paketa e u ndërruan dhjetëra kostume, por jo ide nga të njëjtët analistë të të njëjtave studio televizive, tashmë në rrëzë të kohës për të mos kaluar në katrahurë finale, na kthjelloi Hoyt Brian Yee.

Tashmë është kaluar në një propozim të integruar, me një ‘+’ përmbi paketën McAllister. Si shenjat dalluese në trungje pemësh a gurë se andej pari ka një shteg që të nxjerr diku.

Të gjitha pikat e planit të gjermanit, përjashtuar ndonjë tashmë të tejkaluar, apo jashtë propozimeve të shënuara, janë gdhendur për të mos patur më asnjë shans korrigjimi.

Hyjnë ministra të rinj në qeveri, teknikë, propozohen nga opozita kreu i KQZ e Avokati i Popullit, kriminalizohet shitblerja e votës, largohen drejtues policie të dyshuar si të korruptuar a lidhur me trafikun e drogës, bëhen ndryshime në kodin zgjedhor, votimi i komisioneve të Vettingut, shtyhet data e zgjedhjeve, bëhen ndryshime në ligjin për transparencën e financimit të partive, kërkohet zbatimi rigoroz i ligjit të dekriminalizimit, etj, etj.

Pra propozime që prekin sistemin, disa që thjeshtë e lustrojnë, ndonjë që e përkëdhel, të tjerë që e përmirësojnë, disa që zgjidhin akuten, por lënë të lëngojë kroniken, por në tërësinë e vet një pasqyrë e qartë se ku gjendet Shqipëria sot. Praktikisht e rënë, me një kushtetutë si orendi muri, balancë të munguar pushtetesh, parti me pushtet të pakufizuar, popull që jo vetëm nuk i japin llogari, po edhe votën ia blejnë, me zgjidhje ekstra parlamentare e me legjitimitet që buron nga ndërkombëtarë, pra nuk jemi as shtet sovran.

Tashmë lideri i opozitës që po del prej hijes së çadrës për të qenë transparent nën dritën e negociatave i ka pranuar propozimet e paketës së integruar McAllister ‘+’, ndërsa kryeministri po vishet me hijet e atij që pranon cungueshëm paketën McAllister, duke përjashtuar ato pika që nuk mund të realizohen, pasi dalin jashtë afateve kushtetuese, duke ia lënë ‘transparencën’ kanalit të vet mediatik dhe mediave të ‘burimeve të sigurta’.

E megjithatë në këtë farsë gjigante ku fliten shumë gjuhë, veç shqipes, për të shpëtuar ç’mund të shpëtohet kalohet në diplomacinë e negociatave. E kur zgjidhja kalon nëpërmjet negociatave politike, mjetet në duart e palëve masin mirë distancat që takimi të jetë mu në mes të rrugës, asnjë hap para e as një më pas. Edhe sepse negociatat u zhvendosën në vigjilje fushate për t’u përdorur më shumë se për zgjidhje thelbësore, për kapital politik. Dhe kjo kompromenton cilësinë e zgjidhjes së krizës, si një biletë suksesi që do ta çonte fituesin e supozuar drejt një problemi edhe më të madh.

Kriza u zhvillua dhe propozimet për daljen u gjetën tek dy dështimet më të bujshme të kësaj mazhorance, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Dështime që u skalitën edhe me një autizëm të pashoq të faktorit ndërkombëtar, atij të vendosur në Shqipëri, që as dha e as mori në kohë sinjalet duke ia bërë sot punëdhënësve të tyre edhe më të vështirë përfshirjen në zgjidhjen e krizës. Sepse jemi periferi në kaosin e Europës e mes fuqive të mëdha. Sepse në 27 vjet demokracia na rri skiç me gjithë përpjekjet për të na zgjatur ca mëngët me porosi për të patur të paktën duart brenda kostumit euroatlantik.

Sot ekziston një paketë, që mundëson të paktën garantimin e zgjedhjeve sipas standardeve të gjithëpranuara, për të mos i dhënë lamtumirën pluralizmit e për të mos lënë pa mëngë aq demokraci sa i kemi mbushur mendjen vetes e botës se kemi. Por me gjithë ‘+’in tundues palët i sheh me kurriz.

Profesor Fuga pohoi pak ditë më parë se një grup universitarësh dhe akademikësh, që prej muajsh ndjekin me vëmendje dhe me shqetësim krizën ku jemi futur politikisht, kanë një formulë, janë gati ta përpunojnë përfundimisht brenda një jave dhe t’ua japin forcave politike, të dy, tre, katër apo disa liderëve kryesorë ose parlamentarëve që të zgjedhin atë që u përshtatet më mirë. Pra këtu nuk është çështje formulash, jam e sigurt se një paketë që mban këto firma është më efikase se çdo ambalazh me emra të vështirë teknokratësh europianë a amerikanë. Këtu është një përpjekje më së pari e vetë faktorit ndërkombëtar për të ndrequr pasqyrën që i ka vënë përballë Shqipërisë e ku sheh veten. Se është e pamundur të mos dallosh në katër vjet dështimin e atyre reformave që mbajnë një demokraci, zgjedhore e të drejtësisë, kriminalizimin e Parlamentit, kanabizimin e Shqipërisë e të ulesh brenda më pak se dy muajve të hartosh e zgjerosh listën e pikave për t’u negociuar duke përfshirë gjithçka për të cilën opozita refuzon të hyjë në zgjedhje. Pra nuk qenka thjeshtë një përpjekje për legjitimimin e Bashës në krye të PD-së e frikë nga humbja në zgjedhje. Por njohje e plotë e një realiteti që mjafton t’i lexosh pikat e paketës me ‘+’ të Mc Allister e kupton se çfarë përkufizimi ka demokracia dhe shteti i sotëm shqiptar.

Tre muaj iu deshën Çadrës në bulevard të ndërtojë një kauzë edhe pse e sulmuar, e pabesuar, e nënvlerësuar, jo bindëse, por po të lexosh sot paketën me ‘+’ të Mc Allister e kupton se tre muaj mjaftuan të paktën të informojnë qendrat më të rëndësishme vendimmarrëse për çfarë ndodh në vendin ku paradoksalisht politikën e bëjnë ambasadorët. Është vonë u tha, vonë shumë të kujtohesh në shkurt. Po u kujtua Blushi edhe pak më herët, e sërish u sulmua, u nënvlerësua e paragjykua. Alibi, po po, alibi çdo përpjekjeje për t’ia veshur kohës pamundësinë. Ndërkohë që tre muaj mjaftuan të shpërbëjnë sistemin gjysmëshekullor bipolar francez. Socialistët u dënuan për premtimet e pambajtura, te djathtët nga një kandidat prekur prej skandaleve të së shkuarës. Dhe veshët e francezëve të lodhur e zhgënjyer nisën të mësohen me “La République En Marche!” të një lideri të ri. Togfjalëshat si gurkyçe nisën të zënë vend mirë tek francezët, demokracia, liria e tregut, lehtësimi fiskal. Dhe francezët dëgjuan, dëgjuan sesi fjala Republikë shënjonte fundin e një epoke. Ne nuk dëgjojmë, ne i rreshtohemi asaj batërdie rrjetesh sociale ku më së shumti ka ushtarë të bindur propagandash që e shndërrojnë debatin në betejë kush lëshoi kë, kujt i mbeti në dorë çfarë, kush ia menderosi kujt. Pa u kujtuar se nisi një betejë për zgjedhje të lira e të ndershme e se po artikulohet për herë të parë një përmbysje sistemi, një rithemelim republike. Ne nuk po na lënë kohë e mundësi ta dëgjojmë, të kuptojmë ç’do të thotë të shkosh në zgjedhje të lira, të ndershme, në një parlament të zgjedhurish e jo komanduarish me rekorde kriminale nga lider autokratë. Nuk po na lënë të dëgjojmë pse pabarazia është kaq e madhe, ndërsa shërbimet publike mblidhen në duart e fare pak privatëve. Nuk po na lënë të dëgjojmë pse shëndetësia e arsimi po dështojnë, pse mediat censurojnë e vetëcensurohen, nuk po na lënë të dëgjojmë kush menaxhon sot pasuritë e shqiptarëve. Jo, nuk na lënë, se vuvuzelat militante janë shumë të zëna me batutat plot kripë të kryeministrit dhe të shkuarën kompromentuese të liderit të opozitës, dy palët e negociatave pas të cilave duhet të dalë një kontratë e re me shqiptarët e kësaj klase politike.

Diçka nuk ka pse të na shpëtojë në këtë zallamahi, që kërkon të zgjidhet nga ata që kontribuuan. Zgjidhja po kërkohet në ato pika që nuk u përmbushën dot që nga viti 2013, reforma zgjedhore dhe ajo në drejtësi. Dhe duhet të niste me zgjedhjet çdo përpjekje për të rilindur vendin. Të zgjidhësh në kufijtë e kohës reformën zgjedhore, kur çdo lëvizje e lëshim e konsideron si humbje kapitali elektoral, kjo është përgjegjësi që shkon përtej shahut e pokerit që janë mësuar të na tregojnë sa herë ju bën ‘ku-ku’ sahati i krizave. Se pse u dashkan të zbarkojnë negociotarë për të bërë një akt që shenjon fundin e kalbjes së një sistemi këtë e dinë vetëm ata që të sigurt flasin për fitore edhe pse paketa MCAllister ‘+’ u përplas fytyrës dështimet. Dështimet e një sistemi që vetë pranojnë se korrupton njeriun.

Një paketë me një përmbajtje të tillë nuk ka dhënë garanci për opozitën, ajo ka rrëzuar qeverinë, sistemin dhe ambasadorët e akredituar në garantimin e standardeve e parimeve të një vendi demokratik, si ato të vendeve nga vijnë e ku synojmë të bashkohemi një ditë. Nuk është paketa zgjidhja, por pasqyra. Zgjidhja na takon ne. Në mos për t’u ndjerë qytetarë europianë, të paktën të garantojmë mekanizmin që na siguron se do qeverisemi jo më mirë së ç’e meritojmë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: