Paradoks me “mysafirët” e Elbasanit, në stadiumin ku ka luajtur Ronaldo!

Paradoks me “mysafirët” e Elbasanit, në stadiumin ku ka luajtur Ronaldo!
Nga Aranit Muraçi

Shqipëria konsiderohet shpesh, nga qytetarët e saj, si vend i paradokseve të mëdha. Sporti e reflekton më së miri, këtë dukuri. Futbolli, sporti më popullor në vend, nuk i shpëton dot çudirave që ndodhin. Elbasani është rasti ideal i këtij paradoksi. Infrastruktura e dobët sportive, është ndër anët më negative që shoqëron dhe penalizon sportin dhe sportistët shqiptarë në garat ndërkombëtare. Sportistë dhe trajnerë të futbollit dhe sporteve të tjera, vazhdojnë të ankohen për mungesë infrastrukture në vend, dhe me të drejtë. Por ekipi i Elbasanit që kur në dispozicion pati stadiumin më modern në Shqipëri, nisi “rrëshqitjen” nga elita e futbollit shqiptar, duke pësuar në fund të këtij sezoni, disfatën më të rëndë që ka njohur në histori.

Disfata i erdhi në momentin kur ekipi i Elbasanit kishte infrastrukturën më moderne në vend, ose stadiumin më të mirë. Shqipëria, para ndeshjeve eliminatore të Europianit “Francë 2016”, nuk kishte asnjë stadium me standardet që kërkonte UEFA/FIFA, ndaj edhe me urgjencë u vendos të rikonstruktohej stadiumi i Elbasanit. Qyteti u konsiderua me fat, aq sa xhelozoi qytetet e tjerë, sepse do të kishte i pari në vendin tonë një stadium me standarde jashtë kryeqytetit, ku do të luante ndeshjet ekipi ynë kombëtar dhe sigurisht, edhe Elbasani.

Pas Elbasanit u ndërtua edhe stadiumi i Shkodrës. Shqipëria ka sot, pikërisht, këto 2 stadiume, me standardet e kërkuara të UEFA-s, ku kanë gjetur strehë për të luajtur në kupat e Europës, edhe ekipet e tjera të Superiores . Por nëse në “Loro Boriçi”, Vllaznia vërtet nuk luan ndeshje europiane, ekipi i qytetit të Shkodrës mbetet pjesë e Kategorisë Superiore. Kurse në “Elbasan Arena”, ndryshe “shtëpia” e ekipit të Elbasanit, do të vazhdojnë të gjejnë “strehë” ekipet tona kombëtare si dhe ato që ekipe që do të luajnë në Europë. Edhe ekipi vendas, pas rënies në Kategorinë e Dytë, në “Elbasan Arena” do të gjejë strehë.

Një ndër trevat më sportdashëse në Shqipëri, - nga ku doli Armando Sadiku që bëri me golin e tij krenar çdo shqiptar, - Elbasani, - tifozët e të cilit ekipin e tyre e  kanë parë historikisht në Kategorinë Superiore dhe madje e ka fituar 2 herë titullin kampion, - sezonin tjetër çuditërisht do ta shohim në stadiumin më modern në Shqipëri, ekipin e tyre përballë skuadrash që ndoshta nuk i njohin.

Vllaznia B do të përballet me ekipin e Sopotit, për një vend në Kategorinë e Parë. Ekipi që do të humbë ndeshjen “play-off”  do të jetë në një grup me Elbasanin në Kategorinë e Dytë, në një grup  ku janë ekipet e tjera si Vora,  Partizani B,  Albpetrol,  Kukësi B, Tirana B, Gramshi, Luzi 2008, Veleçiku,  Internacional Tirana,  Ada, si dhe Skënderbeu B, që kryeson Grupin B të Kategorisë së Tretë. Janë ekipe provinciale ose ekipet e dyta të klubeve të Kategorisë Superiore. Gramshi, fqinj i Elbasanit, ndodhet në këtë kategori pasi për shkak të problemeve financiare sezonin e kaluar nuk pranoi të luante në Kategorinë e Parë, duke i lënë vendin Tërbinës së Cërrikut. Ekipi i themeluar në vitin 2008, Luzi, dy vjet pasi Elbasani ishte shpallur kampion për herë të dytë në histori, do të jetë kundërshtar i këtij ekipi në sezonin tjetër futbollistik. Vora dhe Internacional, ekipe të kryeqytetit por pa stadiume, do të jenë gjithashtu kundërshtarët e Elbasanit sezonit tjetër.

Stadiumi më modern në Shqipëri, “Elbasan Arena”, mund të jetë shans për “selfie” nga mysafirët e Elbasanit sezonin që vjen. Do të ishte krenari për çdonjërin prej tyre, sepse nuk do të thotë pak të shkelësh për 90 minuta në të njëjtën fushë ku ka luajtur edhe futbollisti më i mirë i momentit në botë, Cristiano Ronaldo.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: