PARTIA E LISTËS SË LULZIM BASHËS – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU

PARTIA E LISTËS SË LULZIM BASHËS – ANALIZË NGA ROLAND QAFOKU
Rubrika javore “Vera e re në fuçinë e vjetër”

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Lista e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike, - hartuar nga kryetari Lulzim Basha, - ka shkaktuar po aq debate, kundërshti dhe reagime, sa edhe lista e hartuar nga Edi Rama për kandidatët e PS-së, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ishte hera e parë që Edi Rama si kryetar, hartonte listën e kandidatëve. Kishte vetëm katër vjet në krye të PS-së, nuk kishte përvojë në këtë punë dhe habitë, akuzat, pakënaqësitë, kundërshtitë, e shoqëruan për javë të tëra, duke i shkaktuar kokëçarjen e parë të madhe, që kur u zgjodh numri një i partisë.

E njëjta situatë po përsëritet pas 8 vjetësh, por, këtë herë, në kampin tjetër, në PD. Duket se Lulzim Basha ndjek me dashjen apo pa dashjen e tij, rregullat që ndoqi Edi Rama në PS, deri sa të gjithë të jenë të bindur se kjo PD, është partia e Lulzim Bashës. Habitë, akuzat, pakënaqësitë, kundërshtitë, tashmë, janë për Lulzim Bashën, ndërsa Edi Rama rri e vështron kundërshtarin e vet politik dhe duket sikur thotë: “unë e kam kaluar me kohë këtë situatë”. Tani që kaloi edhe faza kur gati çdo shqiptar përgatiti listën e vet, duke gjykuar me shprehjen “po të isha unë në vend të Bashës”, është më e lehtë për të analizuar se çfarë ka sjellë kjo listë dhe si pritet të jetë grupi i ri parlamentar, rrjedhimisht, Partia Demokratike reale e Lulzim Bashës.

Listë pa kritere

Ajo që bie, menjëherë, në sy nga lista që Basha ka dorëzuar në KQZ, është përzierja e kriterit. Më saktë akoma, kjo është një listë pa kritere të qarta. Aty ku nis të thuash se ka larguar të vjetrit si Jozefina Topalli, Astrit Patozi dhe Majlinda Bregu, befas shikon se në listë janë kthyer themeluesit e PD-së si, Preç Zogaj e Tritan Shehu. Apo kur thua se, në këtë listë, ka të rinj dhe emra që garojnë për herë të parë në jetë, habitesh se si krahas Rudina Hajdari, Oriola Pampuri, Ervin Salianji, nuk shikon të rinjtë e forumeve si Belind Këlliçi, Ina Zhupa, por shikon themeluesit e PD-së Dashamir Shehi dhe Genc Pollo. Aty ku shikon njerëz me pastërti morale dhe ligjore, njëkohësisht shikon edhe kandidatë që, sipas mediave, kanë qenë pjesë e proceseve penale. Aty ku shikon intelektualë me vlera si Valentina Duka, Besnik Aliaj, Romeo Gurakuqi, shikon edhe persona me arsim të cunguar dhe të dyshimtë. Aty ku në listën e Vlorës, shikon Dashamir Tahirin si çam dhe antigrek, habitesh kur shikon njëkohësisht edhe Vangjel Dulen, si grek dhe antiçam. Aty ku shikon gra që nuk janë në listë për shkak të numrave, por për shkak të vlerave si Jorida Tabaku, shikon edhe Grida Dumën, një humbëse e madhe e PD-së në Durrës, si kandidate për kryetar të bashkisë. Pra, e gjithë lista është e veshur me një kolorit kriteresh, ku nuk e merr vesh se kur nis dhe kur mbaron.

Të mirët e listës

Janë disa emra në listë, që shënojnë ose një gjetje të mirë të Lulzim Bashës, ose një rishkim pozitiv të tyre. A është ndonjë që mund të kontestojë rikthimin e Halim Kosovës në grupin parlamentar? A ka ndonjë që mund të kundërshtojë në PD dhe jashtë saj, emrin e tij? Po ashtu, besoj se ky arsyetim vlen edhe për emra si Dorjan Teliti, Bardh Spahia dhe Sulejman Gjana i Legalitetit. Dikush mund ta fusë Enkelejd Alibeajn në listën e atyre që humbën në garën për kryetar bashkie. Po a mund të vihet në dyshim kontributi i tij, jo vetëm në PD, por edhe më gjerë, edhe pa qenë në Parlament? Bie në sy edhe rikthimi i Tritan Shehut për të cilin, personalisht, mendoj se ka treguar karakter dhe dinjitet në raport me PD-në, duke i qëndruar besnik asaj edhe kur ishte kryetar i saj, edhe kur ishte ministër i saj, edhe kur ishte deputet, por edhe kur Berisha nuk e vuri në listën fituese në zgjedhjet e vitit 2013. Kur kujton se një numër jo i vogël në PD, e duan këtë parti vetëm kur janë deputetë, rasti i Tritan Shehut nuk më jep fare të drejtë! Por, fundja, marrja me politikë nuk do të thotë domosdoshmërisht të jesh deputet.

Largimet e duhura

Ndonëse ka sjellë reagime, janë disa personazhe për të cilët jo vetëm Basha, por shumica e opinionit brenda dhe jashtë PD-së, mendonin se nuk duhet të ishin në listë. A mund të vazhdonte PD-ja, të ishte e organizuar në struktura me kryetar Lulzim Bashën, me ministrat e vjetër që në 27 vjet, më shumë i kanë marrë se sa i kanë dhënë PD-së? A mund të vendoste në listë Basha, ish-ministra dhe deputetë, që, thjesht, kanë ngrohur karrigen në Kuvend, për të mos thënë kanë penguar atë dhe PD-në, në shumë aksione politike? E kam thënë dhe shkruar, edhe më parë. Majlinda Bregu mund të bëjë rebelen e Partisë Demokratike, por, kurrë, nuk mund të jetë simboli i zërit ndryshe në PD! Nuk mund të jetë simboli i zërit ndryshe në PD, ministrja dhe deputetja që dikur sillej plot arrogancë dhe vanitozitet, duke bërë lëmsh fushatën mediatike të vitit 2013, për kapriciot dhe preferencat e saj mediatike, ndërsa tani kritikon arrogancën, sipas saj, të Lulzim Bashës! Nuk mund të jetë zëri ndryshe në PD, ministrja e dikurshme e Integrimit, - që tani kërkon zërin ndryshe në PD, - ndërsa vetë u deklaronte plot pompozitet gazetarëve se, vetëm ajo vendoste kush duhet të dilte në ekran, pavarësisht ftesave që merrnin deputetët e PD-së dhe ministrja që ankohej te botuesit për gazetarët, ndaj gazetarëve. E gjithë ajo që ka bërë, bën dhe pritet të bëjë, sipas saj, Majlinda Bregu është kulmi i hipokrizisë dhe mungesa e saj në listë, nuk është ndonjë humbje e madhe e PD-së, ndërsa reagimi i saj për këtë arsye, është për të vënë duart në kokë!

Vijmë edhe te Eduart Selami. Nëse dikush mendon se Selami duhet të ishte në listë, le t’i rendisë Lulzim Bashës dhe opinionit, disa arsye pro tij. Më thoni çfarë kontributi pati Selami në këto 4 vjet, në sallën e Kuvendit? Më thoni se çfarë kontributi ka Eduart Selami në PD? Përveçse i vetëshpallur si proamerikan - meqenëse vjen nga Amerika - dhe se ka ruajtur miqësinë me ish-ambasadorin William Rayerson, por pa asnjë aksion të mirëfilltë politik edhe në këtë drejtim, ai nuk qullosi gjë si deputet, si politikan, por edhe si intelektual me rikthimin e tij në atdhe. Nëse dikush e quan vlerë, akoma, se Eduart Selami në periudhën 1992-1995, ka qenë kryetar i PD-së dhe se pasi u shkarkua iku në SHBA, më falni, por ky detaj ngjan humoristik sot, në maj të vitit 2017, nëse vazhdon ta quajë si arritje.

Por në listë ka edhe deputetë të tjerë, që, afërmendsh, nuk duhet të ishin më në listë. Një pjesë, ata që kanë ngrohur karrigen, një pjesë që kanë qenë thjeshtë numra militantësh. Një pjesë që me servilizmin e tyre, na e shpifnin të gjithëve, dhe një pjesë për të cilët karriera duhet të ndalonte këtu. Çdo karrierë ka një fund dhe për disa ky ishte fundi.

U largua thelbi i të vjetërve

Se si mund të kuptohet grupi parlamentar pa Jozefina Topallin dhe Astrit Patozin, këtë vetëm Lulzim Basha e di. Ndonëse dy njerëzit më kritikë të kryetarit, Jozefina Topallli dhe Astrit Patozi ishin një lloj thelbi dhe identiteti në PD. Largimi i tyre ishte vërtetë habia më e madhe, që kanë bërë shumë vetë të vrasin mendjen se çfarë ka dashur të bëjë Basha, duke i hequr nga lista. Për t’i eliminuar si kundërshtarë? Për t’u ndërprerë karrierën politike? Çfarëdo përgjigje të ketë, Lulzim Basha ka bërë nga gabimet më të mëdha në karrierën e tij, me heqjen e Topallit dhe Patozit. Më shumë se sa jashtë, Basha do të ishte më mirë t’i kishte brenda grupit parlamentar - për t’i bërë, ndoshta, aty betejat e veta. Nga jashtë do ta ketë më vështirë, dy personazhe të dashur për median dhe magnet për publikun.

Të munguarit e mëdhenj

Unë nuk arrij të kuptoj se si në këtë listë, mungojnë emra potencialë në strukturat e PD, si Fatbardh Kadilli e të tjerë. Kadilli tregoi dinjitet dhe karakter edhe pse nuk u përfshi në listën fituese në zgjedhjet e 2013, dhe pati një rol të madh si sekretar për Burimet Njerëzore në PD. Por mungesa e tij në listë, është një habi e madhe edhe tani! Habi e madhe është edhe mungesa e zëdhënëses së PD-së, Ina Zhupa - një politikane e rem plot talent dhe vlerë intelektuale! Unë nuk e kuptoj se si në këtë listë, mungon Albana Cenollari, - arsimuar jashtë Shqipërisë, në universitetin e Oxford-it dhe pjesë e strukturave të PD-së si koordinatore. Do të ishte një vlerë e shtuar për PD-në, përfshirja e këtyre potencialeve në listë. Nuk i dimë arsyet reale për përjashtimin e tyre, por ndoshta Basha i ka programuar për punë më të vështira. Të presim!

Në listë, ata që ishin

Në listën e kandidatëve, bien në sy një grup deputetësh që janë përfshirë dhe konfirmuar sërish në listë, për të qenë të sigurt që do të jenë përsëri pjesë e grupit parlamentar. Këtu, Lulzim Basha ka bërë një zgjedhje të menduar. Florjon Mima, Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi, Helidon Bushati, janë kthyer automatikisht në thelbin e ri të grupit parlamentar. Të pa përfolur për asnjë aferë korruptive, klienteliste dhe personazhe që i janë përkushtuar kauzës së PD-së, persona me nivel të lartë intelektual dhe me karakter, Basha pritet të ketë tek ta mbështetjen më të fortë.

New entry

Janë 28 emra të rinj në listë, që pritet të jenë pjesë e sigurt e grupit parlamentar. Romeo Gurakuqi, Oriola Pampuri, Isuf Çela, Rudina Hajdari e të tjerë, pritet të jenë fytyra e re e PD-së në Kuvend, duke zëvendësuar fytyrat e vjetra që në 27 vjet, nuk ka bërë punë tjetër veçse deputet në Kuvend. Plot potenciale dhe plot suksese në punët e tyre, ata në një farë mënyre, do të jenë basti i Lulzim Bashës. Në fakt, ata pritet të jenë baza e partisë së re e Lulzim Bashës. Por, fundja, një kryetar i ri kërkon të ketë ekipin e tij. Dhe me këta 27 emra, Basha ia ka arritur.

U goditën “amerikanët” e PD-së

Nuk ishin të pakta portalet online të cilat nxituan të gjejnë një detaj spektakolar. Goditet bërthama amerikane në PD. Kjo ishte gjetja më me humor nga komentuesit e listave. Nëse ata që janë përjashtuar nga lista i quajmë grup proamerikan, është njësoj sikur të njëjtët personave, për të njëjtat arsye, t’u thuash profrancezë, proitalianë, progjermanë dhe proanglezë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: