PËR NJË TELEFON PËR SECILIN - NGA FRROK ÇUPI

PËR NJË TELEFON PËR SECILIN - NGA FRROK ÇUPI
NGA FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Gjithë e gjithë kriza politike, vajtje-ardhjet e perëndimorëve, Çadra e Lirisë, rezistenca e qeverisë për të mos lëshuar;... dhe më në fund zgjidhja "triumfale" duke ndërtuar një qeveri teknike me kryeministrin e mëparshëm.... Të gjitha kanë një kuptim shumë të thjeshtë; po shumë të thjeshtë. Qëllimi është që secili nga shtetasit shqiptarë të ketë një 'telefon'.

Mos mendoni se i duhet një aparat ose numër telefoni; se sa për këtë - edhe bujku i fshatit më të largët nuk është pa telefon tanimë. Por, zyrtarisht, gjysma e popullsisë nuk kishin 'telefon'. Them 'zyrtarisht gjysma' sepse sipas zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2013, ata që votuan mazhorancën ishin afërsisht gjysma e votuesve. Pak nga pak votat 'pro' rrodhën o në neutralitet, o kundër. Natyrshëm, qeveria humbi kreditet gjatë rrugës. Por këtu le të shtojmë edhe votat e LSI (në aleancë mazhoritare) që herë e dëgjonte pjesa tjetër e qeverisë e herë jo... I bie që numri i njerëzve që kishin akses në shtet (diku nga fundi i legjislaturës), mbeti vetëm pakicë.

Këtë zgjidhje kërkonte kriza: Që secili, jo vetëm votuesit e qeverisë, të kishin nga një telefon secili.

Përsëri të kuptohemi më qartë për cilin telefon bëhet fjalë?

Telefoni në qeveri; jo telefoni i thjeshtë i individit. Individi është një, ndërsa qeveria për të gjithë. Nëse individi ka të hapur një linjë telefoni me qeverinë për emergjencën e tij - ja kjo është kërkesa e tërë e krizës dhe e individit.

Kërkesa është që askush të mos neglizhohet, aq më pak të sulmohet nga qeveria, d.m.th., nga të gjitha nivelet e qeverisjes. Nëse je i devotshëm i Opozitës, t’i duhet të kesh 'kanalin' tënd që telefoni i qeverisjes të të përgjigjet menjëherë. Nëse je edhe neutral, përsëri po kështu.

Pas ndryshimeve në qeveri, pas krijimit të një qeverie 'teknike' por me bazë të gjerë mes PS dhe PD, është shtuar mundësia që në 'centralin' e qeverisë të dëgjohet edhe individi që nuk i rri ngjitur njërit krah, p.sh., socialistëve.

Të të përgjigjet, për çfarë?...

Për katër vjet me radhë, ndoshta edhe vitet e kaluara, nëse ishe i krahut të kundërt politik, ti nuk kishe shans të mirëpriteshe në zyrat e shtetit. Veçanërisht kjo u bë e egër gjatë këtyre katër vjetëve. Secili nëpunës poshtë dëgjonte kryeministrin si tallej me militantët e partisë tjetër; dhe këta mësuan të jenë sfidantë e arrogantë me tjetrin...

Po të jesh i krahut të kundërt, policia nuk të vjen sikur ta njoftosh se po të djegin shtëpinë. Bashkia nuk të vjen sikur ta dijë se të mori lumi; madje ka fakte se këta mund të vijnë të të shtyjnë drejt katastrofës. Po të jesh i krahut të kundërt, biznesmen - kurrë nuk përfiton një tender. Po të jesh i krahut tjetër - OJF, kurrë nuk përfiton një projekt; nuk gjen vend as në çerdhe për fëmijën. Po të jesh 'andej' edhe Polici Bashkiak e ndjek dhe i merr preshtë në torbë katundarit që vjen për të shitur diçka. Madje ka plot prova se edhe ambulanca nuk të vjen në kohë po ta marrin vesh se i përket 'kulakut"...

Kështu është ndërtuar shoqëria gjatë periudhës së diktaturës dhe 'luftës së klasave', të cilën nuk e kemi kaluar akoma. Edhe atëherë kur "pushteti i takonte popullit"- sipas idesë së Leninit, në fakt 'popull me të drejta' quhej vetëm pjesa afër Partisë. Të tjerët diferencoheshin edhe për pesë kile mollë, edhe për një autorizim për frigorifer... Edhe pse kemi hyrë në demokraci, shtetasit nuk janë të barabartë para shtetit të tyre.

Ja kështu është. Katër vitet e fundit u kthyen plot 'kujtime' nga periudha e përfaqësimit sipas Partisë. Pjesa më e madhe e popullsisë mbeti e papërfaqësuar. Ishte false fjala e 'një milion votave dhe një milion shuplakave'. Gjatë kohës ato rrodhën dhe mbetën më pak se dhjetë mijë...

Po të jetë i përfaqësuar çdo individ i shoqërisë, atëherë nuk ka 'zot' që e ngre popullin më këmbë. Populli i përfaqësuar as të vjen në Tiranë për protestë, as ngre Çadër, as ulet në stolat e Çadrës. Por e kundërta: Sikur individi të ndjehet i papërfaqësuar, ai ndjehet pa çati mbi kokë dhe kthehet në 'bombë'. U ngrit një popull, jo disa individë në protestë. Tensioni i krijuar në vend kishte në bazë papërfaqësimin. Individi - i papërfaqësuar në parcelën e drogës, në veprat e policisë, në çështjen e tij gjyqësore, në zgjidhjen e problemit të pronës, në punët e shëndetësisë, dhe më në fund as në sigurinë e tij. Çdo rrugaç kërcënon qetësinë e individit dhe askund nuk mund të bëjë një telefonatë...

Individët e kategorisë së audiencës që u mblodh në Çadrën e Protestës nuk motivohen nga parimet e Demokracisë së Athinës dhe as nga ajo e Romës; ku i dinë këto?! Ata erdhën këtu për t'u ndjerë të përfaqësuar. Në fund të fundit për një telefonatë.

Stadi i qeverisjes, (të mos them i demokracisë) ka rënë në pikën më të ulët, deri te bazikja. Individi ka ardhur te pika nëse ka ushqimin dhe banesën për fëmijët; nëse e ka të sigurt jetën dhe pronën; nëse nuk e rreh policia po të ankohet në Komisariat; nëse bashkia nuk pranon ca para nga delenxhinjtë për t'i prishur shtëpinë atij që ka të drejtë... Në nevoja bazike, 'një numër telefoni' është mrekullia vetë...

Aleatët e mëdhenj të shqiptarëve, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, erdhën në pikën 'kockore' kur propozuan ndërtimin e një qeverie me përfaqësim nga të dy krahët. Me sa dihet, ajo do të vazhdojë edhe pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ku 'armiqtë' PS+PD do të qeverisin bashkë... Të paktën secili ka një telefon ku thërret në qoftë se i rrezikohet jeta...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: