PËRTEJ NJË "BALLOJE ME MASKA" - Nga ALFRED PEZA

PËRTEJ NJË "BALLOJE ME MASKA" - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Rrallëherë për të mos thënë aspak, janë bërë përpjekje për ti thënë gjërat troç në mediat dhe opinionin publik shqiptar, në lidhje me lojën e opozitës për bojkotin e zgjedhjeve të 18 qershorit. Kjo, për shumë arsye. Ca nga mosdija. Ca nga mosdashja. Ca nga hipokrizia. Ca sepse ashtu ua do puna. Ca se bëjnë sikur puna ua detyron, duke qenë madje edhe të papunë. E ca të tjerë, se nuk kuptojnë apo se nuk duan të kuptojnë e pranojnë, atë që ndodh në të vërtetë. E që ka të bëjë më thelbin e gjithçkaje që po luhet në kurriz të demokracisë dhe të gjithë atyre që kanë besuar apo duan të besojnë tek opozita dhe opozitarizmi në Shqipëri.

Përtej të gjitha teorive konspirative, hamendësimeve, komploteve imagjinare lokale, rajonale e planetare dhe lumit të pandalshëm të komenteve dhe opinioneve gjithfarësh, e vërteta e bojkotit të zgjedhjeve nga ana e PD është shumë më e thjeshtë se sa duket. Pa ia hequr të gjithën kësaj, asfare, frikën nga vetingu dhe reforma në drejtësi. Ky më së shumti është halli i lidershipit të vjetër të kësaj partie. Këtu do të rrekem të hedh pak dritë, mbi arsyet e frikës së lidershipit të ri të opozitës së djathtë. E cila lidhet kryekëput edhe me frikën e ballafaqimit elektoral me qytetarët shqiptarë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të këtij viti. Dy frikëra të mëdha të bashkuara në një të vetme, të cilat po tentojnë që të na kthejnë pas, për të na lenë sërish jashtë rrjedhave të së ardhmes.

Vendimi për bojkotin e zgjedhjeve nga ana e opozitës, është marrë shumë më përpara sesa protesta e 18 shkurtit që kulmoi me ngritjen e çadrës në bulevard. Është artikuluar kjo tezë në tavolina informale nga faktorë realë të PD, diku nga vjeshta dhe dimri i kaluar, pas votimit në Parlament të reformës në drejtësi. Arsyetimi i tyre ka qenë shumë i thjeshtë dhe i qartë: PD dhe opozita këtë radhë, ngado që ta shohësh e ta rrotullosh situatën, zgjedhjet i ka të humbura. Për shumë arsye, përfshi edhe mënyrën sesi ka funksionuar dhe punuar qeveria "Rama". Duke qenë më siguri koshientë, edhe për mënyrën sesi ka performuar vetë PD dhe aleatët e saj në opozitë. Apo edhe për shkak të logjikës së funksionimit të ciklit demokratik në 20 vitet e fundit në Shqipëri, ku çdo mazhorancë ka qeverisur për dy mandate me radhë, për 8 vjet pa ndërprerje.

Në mungesë të një strategjie fituese me programe, alternativa, kauza, beteja normale demokratike brenda institucioneve legjitime dhe nëpërmjet riorganizimit të saj të brendshëm për të siguruar sa më shumë mbështetje brenda dhe jashtë Shqipërisë, Berisha dhe Basha me sa duket kanë zgjedhur një rrugë krejt tjetër. Më të lehtë, më të thjeshtë, me më pak mund e sakrifica opozitare për ta rikthyer PD në pushtet. Në vend të rrugës që ndjek çdo forcë progresive politike, në një vend me demokraci në zhvillim, duket se po tentohet që ti bihet sa më shkurt, nëpërmjet një shtegu të errët, që mund t'ia shkurtojë atyre rrugën, por që mund ta çojnë këtë vend edhe drejt një humnere të re.

Ndaj, për t'ia ngrirë buzëqeshjen në buzë kësaj mazhorance, u përpunua dhe po realizohet skenari i bojkotit të zgjedhjeve, nëpërmjet së cilës po kërkohet t’i mohohet gjysmës së qytetarëve shqiptarë e drejta e tyre demokratike për të zgjedhur. Si rruga më e thjeshtë, më e shkurtër dhe në dukje më e sigurt nga lidershipi i PD, për të delegjitimuar fitoren e pritshme të PS dhe aleatëve të saj. Në mënyrë që gjatë mandatit të dytë, ta venë në sa më shumë vështirësi mazhorancën dhe qeverinë e re, pas zgjedhjeve. Duke qenë të sigurtë se në këtë mënyrë, do të mund ta dëmtojnë atë më shumë, për t'ia shkurtuar sa më shpejt jetën. Duke i dhënë mundësi në këtë mënyrë vetes, që të rikuperojë sa më shpejt aksionet e rëna për tokë, për t’u rritur e për të shkuar e sigurt pas zgjedhjeve të tjera, drejt rikthimit në pushtetin e aq shumë të dëshiruar.

E tentuan që ta bëjnë këtë gjë përgjatë gjithë mandatit të parë 4-vjeçar kur ishin në opozitë. Duke i thënë "JO" çdo lloj nisme, aksioni, reforme madhore dhe bashkëpunimi deri për gjërat nga më banalet, me mazhorancën qeverisëse. Tentuan që ta thërrmonin kompaktësinë e saj, nëpërmjet diversionit dhe aleancave fluide me aktorë e faktorë të ndryshëm brenda saj. Nëpërmjet një propagande të shfrenuar negative kundër qeverisë, me shpifje nga më të hatashmet për ministrat dhe punët e saj. U munduan që të implementonin edhe përgjatë këtyre katër viteve, të njëjtën strategji që përdorën kundër PS gjatë periudhës së tyre të parë opozitare në vitet 1997- 2005. Duke u munduar që të detyronin Kryeministrin që të shkarkonte ministra të suksesshëm ose më pak të suksesshëm, thjeshtë dhe vetëm për të plasaritur, krisur e më pas thërrmuar hap pas hapi, ngrehinën e qeverisjes.

I funksionoi 8 vjetët e shkuara të opozitës së parë. Por nuk ia arritën që të bënin të njëjtën gjë, gjatë 4 viteve të para të opozitës së dytë. Ca për shkak se u bënë të lexueshëm, duke përsëritur pothuajse copy paste strategjinë e vetme opozitare që me sa duket dinë të bëjnë. E ca për shkak se Edi Rama u mundua duke ia arritur të mos bënte, asnjë gabim që paraardhësi i tij në krye të PS, Fatos Nano bëri përballë Berishës dhe PD të asaj kohe. I cili jo në të gjitha rastet kishte nerva të përballonte luftën verbale në Parlament apo protestën e tyre në rrugë. Duke bërë gabimin fatal të krijimit të shumë qeverive socialiste, të shoqëruar me ndërrimin e një numri të pafund ministrash dhe drejtuesish të institucioneve kushtetuese të vendit e duke iu dorëzuar me apo pa arsye të qenësishme, presioneve të forta të klaneve apo grupeve të ndryshme mediatike, të lidhura më opozitën.

Me kalimin e viteve, kjo qasje solli dobësimin e mazhorancës së asaj kohe, duke bërë që Berisha dhe PD të rikuperonin vit pas viti, derisa ndodhi e pabesueshmja: Një forcë politike që u largua me plumba nga shqiptarët më 1997, pas 8 vjetësh, u rikthye në pushtet më votën e tyre më 2005. Sot, edhe opozita që po bën të njëjtën lojë, e ka kuptuar mirë se Edi Rama nuk po bën më të njëjtat gabime si mazhoranca e atëhershme. Ndaj, po kërkon që ti përgjigjet kësaj skeme, jo nëpërmjet rrugës opozitare konstruktive. Por, duke zgjedhur ti shkojë qasjes së saj, në versionin më "in extremis". Me shpresën se në këtë mënyrë, do të mund ta dëmtojë mazhorancën e majtë, brenda një kohe sa më të shpejtë, deri në pikën që e dëmtoi dalëngadalë edhe dikur. Për tu siguruar që pas 4 vjetësh të rikthehet në pushtet. Për të konsumuar pas kësaj edhe ciklin e qëndrimit për 8 vitet në vijim, në qeverisje të vendit.

Zgjedhjet e 18 qershorit, janë fundi i kësaj "balloje me maska" që po kërkon të luaj opozita në emër të "zgjedhjeve të lira e të ndershme" në Shqipëri. Sigurisht që nuk është se nuk po ndodh dhe nuk mund të ndodhë asgjë. Ndaj, edhe dëmi që mund të pësojë mazhoranca nga kjo lojë, nuk është e lehtë të llogaritet që tani. Por, më shumë sesa në dorë të PS dhe aleatëve të saj, amortizimi dhe shuarja e pasojave të dëmeve që po tenton të sjellë loja e madhe dhe e rrezikshme e bojkotit, është në dorë të qytetarëve shqiptarë. Të cilët, me gjithë problematikën, në këto vite të vështira të pluralizmit kanë treguar se, atëherë kur duhet, kanë qenë dhe me siguri do të jenë, votuesit më të zgjuar në botë. Pasi në lojë këtë radhë, nuk është thjeshtë dhe vetëm fati politik i Edi Ramës apo i të majtës, por i të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: