Politika, mëkati ynë i ligjëruar

Politika, mëkati ynë i ligjëruar
Nga Meri Dishnica

 

Politika, - ky koncept kaq afër nesh. Ne merremi me politikë, madje, merremi me të, më shumë sesa me cilësinë e ushqimeve që konsumojmë përditë, më shumë se me ujin e qelbur të depozitave, me cilësinë e ajrit që të vdes, me trafikun e rënduar - kur përdor makinën mallkon veten 1000 herë, - me rrugët e bllokuara, me spitalet (oh, spitalet!). Madje, politika na josh më shumë sesa buka e përditshme. Ajo mund të jetë edhe “buka e përditshme”, aty është zgjidhja.

“Ngopemi” me lajme, - mëngjes, drekë, darkë. Për aq kohë sa shteti nuk ka baza të forta dhe sistemet rregulluese janë kaq të paqarta, ajo çfarë bëjmë ne është, të paktën të shpresojmë se zgjidhja do të vijë nga një lajm i mirë në edicionin e radhës. Lajmet e përditshme, daljet publike, prononcimet, kapja e ndonjë nënteksti nga opinionistët dhe vlerësimi i oratorëve të paguar të njërës apo tjetrës palë. Edhe preferencat i kemi kot, as për parim, e as për bindje, por “kokë e këmbë” pragmatiste. Jo se shqetësohemi për të mirën tonë si komb, e as për të mirën e vendit, as për integrimin. Thjesht, duam të na dalë ndonjë i njohur e të na zgjidhë ndonjë punë. Ndonjë i njohur me vetëbesim të tillë, aq të madh, sa të tremb me ato çfarë mund të marrë përsipër. “Punë e mbaruar” - do të thoshte pastaj, thjesht dhe pastër, sepse të merresh me politikë është kaq shpërblyese.

Historia jonë dhe personazhet e saj, megjithatë, na bëjnë të veçantë si komb. Ne jemi shqiptarët, kemi qenë të tillë dhe s’mund të ndryshojmë; pasionet e fshehura në nënvetëdijen individuale na ftojnë të themi vazhdimisht: “Pse jo unë”???

Si rrjedhim, kemi venë re një rritje të pjesëmarrjes në politikë. Kështu, si pa kuptuar, ditë pas dite, ndjehemi më shumë politikanë, më të përfshirë, më të zellshëm. Politika, ky art që po na josh kaq shumë! Disa mund ta quajnë detyrë, apo “punë e preferuar” në administratë, disa të tjerë mund ta quajnë “sport” apo thjesht “mbushje kohe me intensitet” që, kur vjen dhe realizohet, na qetëson deri në atë pikë sa harrojmë vrullin që na çoi atje, premtimet dhe argumentet.  “Mëkatojmë” me pak politikë, si të thuash ligjërojmë manitë tona, duke u marrë me të, duke shkëlqyer aty. Kënaqim  dëshirat e vjetra për pushtet, shpërfillim ndrojtjen… Rezultati  i arritur, na kënaq aq shumë, saqë harrojmë pse i hymë kësaj rruge. Punë e madhe pse u bëmë si ata që ikën, si ata që shamë.

George Finlay, - studiues i historisë Greke, - në kapitullin e veçantë për lidhjen me Shqipëtarët, ka patur, mrekullisht, të drejtë kur na ka përshkruar si  “Krenarë, fodullë, të pashtruar, dhe të etur për fitim”.

Bëjmë si puritanë, në fillim, dhe tjetërsohemi si një enë bosh në fund (m’u kujtua legeni).

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: