Poposki: Ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk të çon përpara

Poposki: Ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk të çon përpara
Intervistë ekskluzive për IBNA, pjesë e të cilës është dhe “Albanian Free Press”, e Nikola Poposki, ministër i Jashtëm i Maqedonisë

Në këtë intervistë që Nikola Poposki i dha në Rodos të Greqisë, botuesit të “Independent Balkan News Agency” dhe “Albanian Free Press”, z.Spiros Sideris, ndalet në zhvillimet e fundit politike në rajonin e Ballkanit. Në ishullin Rodos të Greqisë, do të organizohet më 22 dhe 23 Maj, Konferenca e dytë për Sigurinë dhe Stabilitetin. Ajo është vazhdim i një nisme të ministrit të Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias, nëpërmjet së cilës synohet hartimi i një axhende pozitive bashkëpunimi midis vendeve të botës arabe, të Ballkanit dhe të Mesdheut juglindor. Në Konferencë do të marrë pjesë edhe zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Odeta Barbullushi. Në Konferencën e vjetshme kishte marrë pjesë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

Intervistoi: SPIROS SIDERIS

Cila është situata politike në Shkup pas mungesës së stabilitetit në vendin tuaj?

Pikë së pari, mendoj se në aspektin e brendshëm politik, gjërat do të shkojnë drejt zgjedhjeve lokale dhe ky është momenti i duhur për të parë se çfarë mendon opinioni publik mbi pikëpamjet e ndryshime dhe strategjitë e ndryshme të palëve të kundërta. VMRO-DPMNE mendon se ne jemi në favor të mbrojtjes së principeve demokratike dhe se ato nuk duhen ndryshuar, pavarësisht situatës. Testi më i madh do të ndodhë kur të zhvillohen zgjedhjet lokale, të cilat pritet të kryhen sa më shpejt të jetë e mundur.

Çfarë mendoni se duhet të bëni pas krijimit të qeverisë së re, në lidhje me raportet me Greqinë?

Sa i takon marrëdhënieve me Greqinë, mendoj se kemi arritur që t’i përmirësojmë në mënyrë të konsiderueshme lidhjet dypalëshe, duke dërguar mesazhe pozitive nga të dyja vendet. Por jemi ende larg njëri-tjetrit për sa i përket qëndrimeve tona mbi një çështje, atë të emrit. Mendoj se në këtë pikë, në të dyja anët e kufirit ka pasur qëndrime konstante.

A ka ndihmuar Memorandumi i Mirëkuptimit për të pasur raporte të mira mes Greqisë dhe vendit tuaj?

Mendoj se në të dyja vendet ekziston opinioni se po ndërtohet një klimë mirëbesimi mes palëve. Nuk mendoj se ka ndonjë ndryshim të madh në mënyrën se si shihen gjërat në Greqi dhe në Maqedoni, në lidhje me Memorandumin e Bashkëpunimit. Jam i mendimit se që të dyja vendet bien dakord se në thelb, ky memorandum është diçka e mirë për qytetarët, ekonominë, grupet e interesit, por nuk është diçka do t’i zgjidhë në mënyrë automatike ndasitë tona. Megjithatë, është më mirë të kemi atë lloj raporti sesa të kemi ndasi në çdo çështje të mundur që mund të ngrihet.

Ju thatë se zgjedhjet lokale do të tregojnë qëndrimin e opinionit publik. Kjo do të thotë që nuk e pranoni fitoren e socialdemokratëve në zgjedhje?

Jo, aspak, sepse ata nuk i kanë fituar zgjedhjet, por thjesht këmbëngulin që të formojnë një qeveri. Unë mendoj se ne ishim të qartë për këtë gjë. VMRO-DPMNE ka fituar mbështetjen më të gjerë nga të gjitha partitë e tjera garuese. Socialdemokratët thjesht po formojnë një koalicion qeveritar në Parlament.

Theksoni zgjedhjet lokale, si mund të ndryshojë opinioni i publikut brenda një apo dy muajve?

Mendoj se gjatë kësaj kohe kanë ndodhur një sërë gjërash. Sa i përket zgjedhjeve të dhjetorit, të gjithë e kanë pranuar rezultatin dhe askush nuk e vë në dyshim atë. Ne e pranojmë se është Parlamenti ai që duhet të marrë vendime mbi hapa të mëtejshëm, duke përfshirë edhe zhvillimin apo jo të zgjedhjeve të parakohshme dhe kur duhet të zhvillohen ato. Ne kemi pasur një atmosferë politike mjaft të polarizuar. Nga pikëpamja e VMRO-DPMNE-së, ka ekzistuar një shqetësim serioz për faktin se kanë hyrë elementë të rinj, të cilët nuk iu paraqitën qytetarëve gjatë fushatës zgjedhore. Vendimet që janë marrë në Parlament kanë pasur padyshim një ndikim në opinionin publik më pas. Unë nuk po paragjykoj atë që do të ndodhë, por thjesht po them se zgjedhjet lokale do të jenë hapi i radhës ku ne do të kemi mundësi të matim efektet e vendimeve të njërës palë apo tjetrës në opinionin publik. VMRO-DPMNE mendon se mënyra më e mirë për ta bërë këtë është duke mbajtur zgjedhjet lokale bashkë me ato parlamentare, për t’i dhënë një mundësi qytetarëve për të thënë se çfarë mendojnë mbi platformat dhe programet e partive. Por ky vendim mund të merret vetëm nga mazhoranca parlamentare.

Mendoni se çështja e emrit Maqedoni i ka shtyrë njerëzit drejt nacionalizmit?

Pikë së pari, nuk përfytyroj dot asnjë skenar ku dikush mund të mbajë qëndrim asnjanës ndaj një çështjeje të tillë që është mjaft e rëndësishme për një komb. Nuk më vjen në mendje asnjë shembull tjetër vendesh të cilave u kërkohet që të ndryshojnë emrin dhe parametra të tjera që përkufizojnë identitetin e tyre në të njëjtën mënyrë që ka ndodhur me ne. Kjo bie ndesh me çdo princip ligjor dhe demokratik. Në pikëpamjen time, kjo situatë mund të tejkalohet duke respektuar disa principe thelbësore për të cilat kemi rënë dakord të gjithë në nivel ndërkombëtar. Sigurisht që kjo do të thotë që duhet të tregohemi të kujdesshëm në lidhje me ndjeshmërinë e Greqisë ndaj kësaj çështjeje, por është mjaft e rëndësishme për të respektuar këto principe thelbësore në rastin e Maqedonisë. Identiteti ynë kombëtar është përdhosur duke na kërkuar gjëra që nuk i janë kërkuar asnjë kombi tjetër. Është normale që një situatë e tillë të ketë një ndikim mjaft të madh tek të gjithë ne. Është e pashmangshme.

A i druheni asaj që përmendet shpesh si ideja e Shqipërisë së Madhe?

Unë nuk mendoj se ajo është mënyra e duhur për të ecur përpara, sepse jam i bindur se ndryshimet në kufijtë e Ballkanit, nga përvojat e kaluara, na kanë sjellë vetëm gjëra të këqija, viktima të pafajshme dhe pasoja të tmerrshme. Unë mendoj se e vetmja mënyrë për të ecur përpara është që vendet e Ballkanit të futen në Bashkimin Evropian sipas kufijve ekzistues dhe që tensionet të shfryhen duke u përqendruar në çështje të vërteta: Vende pune dhe zhvillim ekonomik. Jam i bindur për këtë.

Dhe së fundi, a dëshironi t’i përçoni një mesazh qytetarëve grekë?

Mendoj se ata duhet të jenë të bindur për një gjë: Që nuk duhet të ndihen të kërcënuar nga ne, sepse mendoj se pjesa më e madhe e objektivave tona afatgjata po harmonizohen. Nga ana tjetër, ky problem që u krijua në të kaluarën, duke e bërë ndasinë që ekziston mbi çështjen e emrit - një çështje thelbësore në raportet tona dypalëshe, duhet të tejkalohet. Duke qenë se Greqia është pjesë e NATO-s dhe BE-së, integriteti i saj territorial apo sovraniteti i saj nuk mund të kërcënohen, por mendoj se do të ishte edhe në interes të Greqisë që të zbatojë të njëjtat principe ndaj fqinjit të saj. Ne nuk mund të na mohohet e drejta jonë për të vendosur mbi vendin tonë dhe mbi identitetin tonë nëse duam të jetojmë në shoqëri demokratike. Në fund të fundit, kur të jemi të dy vende anëtare të NATO-s dhe BE-së një ditë, asgjë nga këto nuk do të mbartë ndonjë rëndësi, sepse e ardhmja do të përcaktohet nga qytetarë të të dyja vendeve, në mënyrë të pavarur. Mendoj se kjo është qasja e duhur për këtë.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: