POPULLI I KOSIT - NGA EDISON YPI

POPULLI I KOSIT - NGA EDISON YPI
NGA EDISON YPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ti i dashur popull ndoshta e di se Ajnshtajni, të cilin e mbajnë për më të squtin dhe më gjenialin, ka thënë atë shprehjen; "S'ka më budalla se ai që pret rezultate të ndryshme duke bërë gjithmonë të njëjtën gjë". Por ti populli im i shtrenjtë, me sentencën tënde të pavdekshme;  "Të keqen more dhallë, unë hidh ujë e ti i bardhë" ke provuar se je më i squt se Ajnshtajni. Sentenca jote madhështore me pak kos, shumë ujë, gjithmonë e më tepër dhallë, vërteton se po të bësh gjithmonë të njëjtën gjë, pra po ti hedhësh kosit vazhdimisht ujë, rezultati është jo vetëm çdo herë i ndryshëm, por çdo herë edhe më i pëlqyeshëm. Pra ti populli i kosit dhe ujit prej shekujsh ke provuar të kundërtën e asaj që ka thënë Ajnshtajni para ca kohësh. Me vetëm këto pak fjalë të florinjta që përbëjnë një meritë të pamohueshme, sentenca jote me dhallë dhe ujë, në dukje paradoksale por thelbësisht e vërtetë, e zbret Ajnshtajnin nga piedestali, dhe në piedestalin e gjenialitetit vë atë që piedestalin e meriton, ty o i dashur popull i hollë i dhallit të bardhë. Për atë grusht fjalësh me rëndësi epokale, të cilat pas pak një anije kozmike do ti shpërndajë në terrin e Universit si dëshmi të kulmit të qytetërimit të sotëm, ti o i dashuri popull i nakatosjes gjeniale të kosit me ujin, e meriton plotësisht të vazhdosh të hash e të pish, të vishesh e të mbathesh, të udhëtosh nëpër botë pa viza, pa u merakosur për asgjë tjetër se Xhahenetin e ke siguruar. Krenohu o popull me shpikjen tënde prej kosi, uji, dhalli. Pavarësisht se e vetmja gjë që ti o popull di të bësh është ti hedhësh pafundësisht ujë kosit, vazhdo hiqu sikur gjithçka tjetër e di dhe gjithçka tjetër mund ta bësh. Për shembull vazhdo të shohësh filma shqiptarë duke u mahnitur prej atyre këllirave që s'janë asgjë tjetër përpos propagandë kriminale komuniste. Si popull kosi që je, vazhdo ngazëllehu pas regjizorëve të gjizës dhe aktorëve të hirrës, ata edepsizat që po të thonë se ata filma duhen ruajtur, duhen selektuar, duhen klasifikuar. Tmerr e shkuar tmerrit. Por ti si popull i bardhë prej kosi të hollë që je, s'ke pse brengosesh aspak. Mbahu. Shtoje vrullin. Futu në fejsbuk ku një anketë kërkon ti përgjigjesh pyetjes; "Në cilin vit do pranohet Shqipëria në Europë ?" Hyrja në Europë është çështje procedurash, burokracirash. Pra është problem me të cilin ti i dashur popull i kosit s'ke asnjë lidhje. Por ajo pyetje që në përfytyrimin tënd prej dhalli është pyetje prej kosi që mbetet po ai sado ujë ti shtosh, të bën të duket vetja i rëndësishëm. Harron që nuk je popull djathi, popull gjalpi, popull tlyni, por popull kosi, dhe lodhesh të gjesh përgjigje për pyetje që ty të drejtohen për të vetmen arësye që ata të vazhdojnë të llapin ti të vazhdosh të mahnitesh, ata të vazhdojnë të vjedhin ti të vazhdosh ti hedhësh ujë kosit. Bëj dhe diçka tjetër, vazhdo merri në telefon çdo mëngjez televizorat. Bëju deputetëve, ministrave, kryeministrit, ambasadave, ambasadorëve, sa më tepër pyetje të ujshme prej dhalli dhe kosi, për korrupsionin, hashashin papunësinë, shëndetin, farmacitë, çmimet. Në orën mëngjezore që ti o i dashur popull i kosit bën të tilla pyetje, ministrat e gjalpit dhe ambasadorët e mjaltit flenë gjumë dhe shohin ëndërra. Por ti brengën e heq, merakun e zbraz, iluzionin se se je i rëndësishëm e krijon, ujin kosit ja hedh, shpirtin e deh, veten e lumturon. Ty o popull që i kosit dhe ujit nuk u bëre sot por ke qënë në shekuj, kurvi ta ka dërrmuar shtyllën kurrizore dhe ta ka thyer gjilpërën e busullës. Ti o popull i kosit jeton sotpërsot, këtu dhe tani, kujton shkurt dhe harron gjatë. Por këto nuk të prishin asnjë punë. Nëse nuk do kishte pasur në krye halabakë prej uji dhe kosi si puna jote, por Zotërinj të vërtetë, Shqipëria do kishte pamje tjetër. Nuk do popullohej nga rrugaçë por nga njerëz normalë. Nuk do drejtohej nga kriminelë por nga njerëz të shkolluar. Nuk do ishte mbjellë me hashash, por me mollë, arra, agrume, ullinj. Ti o popull kosi dhe uji nuk e ke idenë e të kundërtit tënd. Zotniut vizionar, po deshe edhe delirant, që për Atdheun vdes, për Lirinë vritet, për dashurinë çmendet, lexon libra sa më të vjetër dhe sa më të thellë, nga filmat shqiptarë i vjen për të vjellë. Ti populli i kosit sa herë ke provuar ta bësh shtetin pa zotërinjtë por me hyzmeqarët e dhallit dhe proletarët e ujit nga ata që kur skanë pasur kos për të bërë dhallë kanë bërë me vite burg, po aq herë ke dështuar, po aq herë e ke kthyer Shqipërinë në kasaphanë, hiç mos u bëj merak. Nuk ka kështjellë që nuk e mposht ti o popull prej uji dhe kosi. Mos u dorzo para asnjë vështirësie. Mos lër brimë pa i futur hundët. Në politikë, pushtet, mafje, pa harruar kurrsesi artin dhe kulturën. Se edhe ata me të cilët do kesh të bësh nuk janë kushedi se çë. Ti prej uji dhe kosi, ata e shumta prej pice dhe pilafi. Luftoji dhe njëkohësisht mpleksi punët me banditat dhe mafjozat. Bëjeni lëmsh që të mos merret vesh asgjë. Vetëm kështu o popull i dashur mund të vazhdosh të marrësh rezultate të ndryshme duke bërë të njëjtën gjë, rritjen e pafundme të sasisë së dhallit përmes shtimit periodik të ujit. Nëse nuk vazhdon si e ke nisur, ty populli i kosit do të zbresin nga piedestali i gjenialitetit. Në piedestal do ngrenë Ajnshtajnin e budallallëkut si e vetmja mënyrë për të vazhduar të lumturohemi me ato që ti populli i kosit i siguron dhe të tjerët i meritojnë; histori pilafi, politikë imamabajalldie, kulturë paçe derri, art kukurreci, jetë qeni.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: