Prezantohet libri “Arbërit e Jonit” nga Pëllumb Xhufi

Prezantohet libri “Arbërit e Jonit” nga Pëllumb Xhufi
 

Në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave u prezantua libri ”Arbërit e Jonit” i Pëllumb Xhufit, fitues i çmimit “Çabej”, në edicionin e I të konkursit shkencor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Autori, Pëllumb Xhufi bëri prezantim të hollësishëm të monografisë mbështetur në burime të reja, kryesisht perëndimore. Autori saktëson rast pas rasti shtrembërimet e historisë së arbërve të nën-Vjosës, si dhe çmonton manipulimet romantike me përcaktimet që gjenden në burime për etnicitetin e besimin.

Ai vuri në dukje edhe përpjekjet e mëdha voluminoze për të hulumtuar në arkivat e Venecias, të cilat kanë një material të bollshëm.

Studimi “Arbërit e Jonit”, është një ngjarje shkencore që e pasuron më tej historiografinë shqiptare për shek XV-XVIII, e që shënon një vazhdimësi të denjë të profesorëve të mëdhenj, Aleks Buda dhe Kristo Frashëri.

Me dokumentacionin e bollshëm nga arkivat e Venedikut, profesor Xhufi vërteton përkatësinë Arbërore të banorëve të Jonit si një popullsi shqiptare që përputhet me vendbanimet e lashta ilire. Veç aspekteve të historisë politike, ekonomike, sociale e kulturore, në këtë botim lexuesi do të konstatojë edhe një analizë rigorozisht shkencore për etnografinë dhe prejardhjen e territoreve të Epirit në shek e XV-XVIII, e munguar në studimet e deritanishme për këtë trevë. j/m

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: