QETËSIA E MBARSUR – OPINION NGA APOLLON BAÇE

QETËSIA E MBARSUR – OPINION NGA APOLLON BAÇE
NGA APOLLON BAÇE

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Deklarata  amerikane për zgjedhjet shqiptare, është “quasi militaru”, e tipit ushtarak 1, 2, 3: 1. Respektojmë të drejtën e PD-së për bojkot, por vëmë në dyshim arsyet e këtij vendimi.  2. Nëse zgjedhjet vlerësohen të besueshme, do të njihen rezultatet edhe pa pjesëmarrjen e disa partive 3. Mbështesim demonstrimet paqësore, por nuk ka asnjë vend për dhunë.

Kjo dhe është fusha ku do të mund të luajë PD-ja. Shprehja e Ramës “larg qoftë” a “qoftë largu” për Trump-in, pati efekt sa fluturimi i një kandre dhe PD-së nuk i solli fitim lobimi 150 mijë dollarësh nga “Barnes and Thornburg”, as nderimi i Trump-it me titullin “Qytetar Nderi i Kamzës”,  as cilësimi i fitores së tij si “Akt dashurie për kampionët e lirisë (Act of love for the champions of freedom). Shprehje kjo që Freud do ta rreshtonte me libidot e tjera. Për pragmatizmin amerikan rëndësi ka që Shqipëria të jetë besnike, të pranojë ndonjë të burgosur nga Guantanamo, të dërgojë kontingjente simbolike në Afganistan a Çad dhe të mos e bëjë çorap veten dhe rajonin. “Nuk ka rëndësi, nëse maçoku është i bardhë a i zi, mjafton që ai t’i hajë minj”, - thotë Ten Hsiao Pini. Por përse amerikanët venë në dyshim arsyen e bojkotit të zgjedhjeve nga PD-ja?

Rezultati i zgjedhjeve del nga shumatorja e kontingjenteve militante të kategorisë “Sa bëjnë 2 x 2 ? Sa të thotë Partia” dhe ndjesisë ekonomike. Përkatësisht mbledhjes së minimumeve historike (24% për PS në ’92, 24% për PD në ’97), me masën e hirtë që fluktuon majtas djathtas, në varësi të kënaqësisë a pakënaqësisë ekonomike. Kënaqësi/pakënaqësi kjo që, kur kristalizohet, merr si ortek para militantët, votat e manipuluara dhe votat e blera.

Fiks 20 vjet më parë, për të fituar zgjedhjet, Berisha toleroi firmat piramidale: “Rrimë e ngrohemi pranë sobës dhe paratë na shtohen si mizë e lisit”, - shkruante populli i kënaqur në gazetën “Mirëqenia” dhe blloku i djathtë fitonte me 59% të votave në zgjedhjet lokale ’96.

Sot, fiks 20 vjet më vonë, për të fituar zgjedhjet,  Rama toleroi kanabisin me rezultat rritjen e ndjeshme të mirëqenies: Blerja e veturave është rritur 600% krahasuar me 2015, dyqanxhiu i lagjes që gjithnjë ankohej tha “bereqavers, kina shum pun” dhe lypsi me këpucë firmato, gati ma flaku në fytyrë 50-qindarkëshin që i dhashë. Kjo “begati” solli dhe inflacionin e votës: “A i mure lekët? Do na e japish votën?” - pyet sekseri qytetaro/katundarin dibran  dhe qytetaro/katundari dibran i paguar me 2000 lekë  i thotë “Po, po. Po pse kaq pak”.

Me pak fjalë, e keqja e PD-së nuk është 2000-lekshi i votës, pasi PD-ja krahas 150 mijë dollarëve të lobingut, do i gjente 2 milionë euro që të përmbyste situatën. As largimi i ministrave Klosi dhe Çuçi, nuk ishte ndonjë sukses i paparë i çadrës, as edhe anulimi i zgjedhjeve të Kavajës, as edhe 4 zv/ ministrat nuk i ndreqin ndonjë punë, as zv.kryeministri i plotfuqishëm për talonet e naftës nuk e ndihmon dukshëm.

E keqe e PD-së është klientelizmi, ata Sadri Abazët që, me këmbë e duar, ulërijnë (hajde mos e beso Darvinin për origjinën e njeriut) “Do zgjidhni, pra, Ramn e vogël. Qi ta kini mir me Ramn e madhe. Se për dhit vit, Rama i madhe e kini kryemnistri venit. Mos ju dani njajo fuqi e madhe!”. E keqe e madhe janë 10 miliardë eurot e kapilarizuara që kanë ngritur artificialisht nivelin e jetesës. “Mitingu madhështor 600 mijë vetësh, më i madhi në historinë e mitingjeve të PD”, tregon qartë sesa po e ndjek dhe do ta ndjekë PD-në masa. Por e keqja më e madhe e PD-së është PD vetë, paaftësia politike, paaftësia e komunikimit, mungesa totale e vizionit dhe paqartësia e liderit të saj që nuk di as të artikulohet as kupton ku nis ai dhe ku mbaron Berisha. Si në “rastin Fuf”. Kur “Vëllai i Fufit i tha Edi Palokës se Meta i kishte thënë Fufit se Berisha do te të vriste Fufin dhe Doshin, dhe Edi Paloka i tha Sali Berishës se vëllai i Fufit i kishte thënë se Meta i kishte thënë... Por Fufi nuk e dinte çfarë i kishte thënë pasi Toma nuk ja kish thënë”

Dhe kur Rama vijonte vargun e pashpirtësive  me prerje dritash, arrestime varfanjakësh, shembje shtëpish, arrogancë dhe cinizëm ndaj njeriut të thjeshtë dhe kur pakënaqësia ndaj tij po shtohej, nga dita në ditë, në mars të 2015, Berisha nisi protestat “Meta ik, Meta ik” dhe “Meta ik” nuk motivonte askënd  dhe mitingjet e PD ndalën dhe Ramën e këshilluan të jetë më i matur dhe Rama shpiku marihuanë dhe marihuana rriti mirëqenien. Ky shpjegim do shpjegonte përse Rama kërkon ta zhdukë PD-në, si rrezik të pritshëm për pasnesër, dhe përse PD-ja, sot për sot, e paaftë, kërkon rrugën dhe jo parlamentin që të zgjidhë hesapet me Ramën.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: