Reklamat falas dhe kasetat, reagojnë mediat elektronike

Reklamat falas dhe kasetat, reagojnë mediat elektronike
Shoqata e mediave elektronike ka denoncuar ligjin e miratuar në seancën e jashtëzakonshme që detyron televizionet të reklamojnë falas partitë politike gjatë fushatës. Paralajmërohet padia në Gjykatën Kushtetuese

Çështja e detyrimit të mediave elektronike për transmetimin e reklamave falas për subjektet politike gjatë fushatës, ka shkaktuar reagimin e shoqatës që mbron interesat e tyre.

“Ky ligj është miratuar në shkelje flagrante të Kushtetutës, e cila garanton lirinë dhe mbrojtjen e pronës private në Shqipëri. Gjithashtu bie ndesh hapur me dispozitat e Kodit Zgjedhor në fuqi, i cili ka përcaktime të tjera për reklamat në fushatën zgjedhore. Ky ligj, është rasti i vetëm në botë që u jep të drejtë partive politike të detyrojnë mediat e lira dhe private t’u bëjnë shërbim falas”, thuhet në reagimin e shoqatës së mediave elektronike.

Në këtë reagim sugjerohet edhe një rrugë alternative: Nëse partitë nuk kanë mundësi të paguajnë, faturën e reklamave ta paguajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Shoqata u ka bërë thirrje mediave të zbatojnë dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe të mos e njohin ligjin e miratuar në bazë të paktit Rama-Basha. Gjithashtu ka paralajmëruar padi në Gjykatën Kushtetuese.

Në bazë të ligjit të miratuar në seancën e jashtëzakonshme parlamentare të 22 majit, televizionet private duhet të transmetojnë 90 minuta reklama falas për partinë më të madhe të shumicës parlamentare, 45 minuta reklama falas për partitë e tjera parlamentare si dhe 10 minuta reklamë falas për partitë jo parlamentare, përgjatë fushatës elektorale. Në rast të moszbatimit, vendosen gjoba me cilësinë e titullit ekzekutiv dhe mund të vendoset pezullimi i sinjalit për 48 orë.

Nga ana tjetër, Radio Televizioni Shqiptar ka njoftuar kryetarët e partive që marrin pjesë në zgjedhje, se institucioni nuk do të pranojë kaseta të regjistruara të aktiviteteve të partive politike, por do të pasqyrohen nga gazetarët dhe operatorët e RTSH.

“Transmetime të tilla nëpër emisionet e lajmeve bëhen duke shkelur rëndë ligjin, i cili e përcakton qartë se duhet bërë një ndarje e qartë e reklamës me informacionin dhe se ndalohet reklama e fshehtë”, thuhet në shkresën e firmosur nga Drejtori i Përgjithshëm i RTSH, Thoma Gëllçi.

Përmirësimi i standarteve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media ishte një nga pikat e paktit Rama-Basha.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: