"REPUBLIKA E RE" DHE "RINDËRTIMI I PD" - Nga ALFRED PEZA

"REPUBLIKA E RE" DHE "RINDËRTIMI I PD" - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Dy janë tezat kryesore të artikuluara këto javët e fundit në lidhje me të ardhmen pas 18 qershorit të Shqipërisë dhe të Partisë Demokratike. Njëra njihet gjerësisht me togfjalëshin "Republika e Re". Një tezë që është artikuluar nga Kryetari i PD, z. Lulzim Basha, si një projekt emergjence demokratike për të gjithë shqiptarët. Ndërsa teza tjetër është ajo e nevojës për rindërtimin e vetë Partisë Demokratike. E cila shihet si "detyra kryesore e çdo demokrati" dhe është artikuluar nga zëri më i plotë kritik i këtyre kohëve të vështira për opozitën, nga ish ministrja për 8 vjet e Integrimit Europian të Shqipërisë, Majlinda Bregu.

Le ta analizojmë më me hollësi e në mënyrë më të detajuar, këtë situatë interesante. Për të kuptuar më qartë, se sa qëndrojnë këto dy teza? Sa e mundur është të realizohet njëra apo tjetra? Apo edhe të dyja bashkë? Në fakt pyetja nëse kemi nevojë për themelimin e një "Republike të Re" apo të një "PD-je të re", në plan të parë duket si e njëjta pyetje, me të famshmen: A e ka bërë pula vezën, apo veza pulën? Pra, nëse më parë duhet rindërtuar nga e para PD-ja, apo Shqipëria? Nëse duhet rithemeluar më përpara partia më e madhe e opozitës? Apo duhet ribërë nga e para, Republika aktuale?

Le të marrim fillimisht e të analizojmë tezën e z. Basha, për themelimin e "Republikës së re" në themelet e kësaj aktuales, e cila për rrjedhojë konsiderohet prej tij si "Republika e vjetër". Të gjitha shtetet kudo në botë që sot nuk janë mbretëri, e quajnë veten republikë. Për rrjedhojë Shqipëria ka qenë Republikë edhe përpara se të shpallej Mbretëri më 1928. Por edhe pasi ra mbretëria e u krijua republika më 1946 e deri më sot. Për 45 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria u quajt Republikë Popullore fillimisht, e më pas edhe Socialiste. E pas 1990, thjeshtë: Republika e Shqipërisë. Kështu për 27 vjet me radhë, e deri më sot. Kjo nënkupton se kemi një republikë demokratike parlamentare, me sistem partiak pluralist. E cila funksionon mbi bazën e kushtetutës së miratuar me referendum popullor, në vitin 1998. Kjo që me sa duket konsiderohet nga Lulzim Basha, si "Republika e Vjetër". E cila tashmë duhet abortuar nga sistemi ynë demokratik. Për ti hapur rrugën, lindjes së një "Republike të Re".

Shumë mirë. Dakord deri këtu. Po të kemi parasysh se bota vetë ka njohur në historinë e saj moderne, Republikën e Tretë, të Katërt apo të Pestë Franceze. Republikën e Weimar-it, etj. Të gjitha këto republika, e të tjerat si këto, kanë tri gjëra themelore të përbashkëta: Janë krijuar në kushte ndryshimesh radikale historike. Janë shoqëruar me ndryshimin total të elitës së vjetër politike. E bashkë me to, "Republikat e reja" kanë funksionuar pas miratimit, mbi themelet e kushtetutave të reja, që kanë ndryshuar cilësisht thelbin e deriatëhershëm të funksionimit të republikave të përmbysura. Përveçse frikës së lidershipit kryesor politik të PD nga miratimi i Vetingut dhe implementimi pas kësaj, i reformës në Drejtësi, çfarë ka ndodhur në jetën e Shqipërisë, që mund të detyrojë krijimin e "Republikës së Re"?

A e ka humbur legjitimitetin mazhoranca aktuale për shkak të ndonjë shkundjeje totale të sistemit, nga pakënaqësia masive dhe vijuese popullore e dalë në rrugë e sheshe për shkak të megaskandaleve; nga autoritarizmi që shkel hapur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut; nga keqqeverisja abuziviste e ngritur në sistem; apo nga ndonjë krizë e thellë social- ekonomike e vendit? Jo.

A ka kapitulluar dhe a është dorëzuar pa kushte elita e vjetër që mund të ketë sjellë drejt falimentimit "Republikën e vjetër"? Për t’i hapur rrugën në këtë mënyrë, një etape të re, një faqeje dhe një epoke të re në jetën politike të vendit? Përgjigjen Lulzim Basha e gjen më kollaj se ne, nëse ai do të ishte më në fund i lirë, më në fund O Zot i lirë, për të marrë vendimet si kryetar i PD me kokën e vet, pa qenë i detyruar që të falet çdoherë në zyrën e Sali Berishës. Pra, përgjigja edhe në këtë rast është: Jo.

A kemi përgatitur ndërkohë, apo miratuar, apo kemi filluar të zbatojmë ndonjë Kushtetutë të re, e cila do të jetë busulla jonë për të na udhëhequr në rrugëtimin e pandalshëm të "Republikës së Re"? Përgjigja përsëri është: JO.

Atëherë çfarë ka ndodhur që Lulzim Basha kërkon Republikë te Re, me klasë politike të vjetër, me elitë të vjetër, me kushtetutë të vjetër dhe drejtësi të vjetër? Asgjë nuk ka ndodhur. Thjeshtë po kërkohet të vishet me ambalazh të ri, një "sapun" politik i vjetër. Me shpresën se shqiptarët do ta hanë për një lloj të ri "djathi".

Është e qartë se jemi në situatën kur vërtetë kemi nevojë për një rithemelim. Për një gjë komplet të re. Për një shpresë totalisht të re. Në politikë. Në opozitë. Në PD. Në lidershipin e partisë më të madhe opozitare në Shqipëri. E ajo është emergjenca që Majlinda Bregu e cilëson si "detyrën kryesore të çdo demokrati, për rindërtimin e Partisë Demokratike". Boritë e nevojës për këtë, kanë ardhur me zëra më pak të fortë, por po kaq të qartë edhe nga të tjerë politikanë dinjitozë brenda PD: Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Eduard Selami, të cilët kanë folur tashmë. Sikundër Fatos Nano, ish kryeministri i Shqipërisë, evokoi në mënyrë nostalgjike, mungesën që ndihet sot për Sokol Olldashin, jo vetëm në politikë... Nëpërmjet fotove ku të dy së bashku, kanë dalë me legjendarët e grupit "Europe", vite më parë në Tiranë.

Nëse PD rindërtohet sipas projektit politik të Sokol Olldashit; sipas tradicionalizmit konsistent e institucional të Jozefina Topallit; sipas vizionit europian të Majlinda Bregut; vokacionit amerikan të Eduard Selamit dhe moderacionit të Astrit Patozit, atëherë ka shpresë. Ka shumë shpresë jo vetëm për një PD të re, me vizion e program të ri, por edhe me një lidership të ri. Për një opozitë të re, me ide, projekt e program të ri, që sjell një shpresë dhe ofertë e vizion të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke krijuar në këtë mënyrë edhe premisat, për të patur pse jo më pas në të ardhmen, një "Republikë të Re". Një republikë që do lerë pas trashëgiminë e vjetër të kësaj republike. Për të startuar një sfidë të re për të gjithë. Një projekt të ri, për Republikën e re. Në Shqipërinë e re. Në Shqipërinë europiane që do të shkëputet njëherë e përgjithmonë, nga metastazat neo otomane, që na mbajnë peng e të lidhur me njëmijë e një fije, me "Shqipërinë e Vjetër”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: