RRËZOHU QË TË KUPTOSH "NGRITJEN" - Nga ROVENA DILO

RRËZOHU QË TË KUPTOSH "NGRITJEN" - Nga ROVENA DILO
Nga ROVENA DILO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ajo që tha ministrja në fjalën e saj mikpritëse, ishte pak a shumë, diçka që të pëlqen ta dëgjosh, por ndërkaq e ke të dëgjuar. Por ajo çka mbeti në vëmendjen time, ishte, pikërisht, tematika e mbrëmjes dhe vështirësitë që kishte hasur stafi i saj, për të gjetur persona të cilët të pranonin këtë tematike.

Dhe cila ishte tema!?

"Dështime që keni pasur në jetë dhe si i keni kapërcyer".

Ajo e pranoi se "nuk ishte e lehtë të gjeje personazhe që e pranojnë se kanë dështuar apo janë zhgënjyer në jetë dhe ia kanë nisur, sërish, nga e para...

"Tipike shqiptare, - mendova, - njerëzit që nuk pranojnë, asnjëherë, realitetin. Vetëm shqiptarët arrijnë të shohin çdo gjë që bëjnë si sukses, apo arritje. Nëse i kritikon apo iu vë në dukje të metat, ata të konsiderojnë menjëherë, kundërshtar serioz. Sa për të qeshur, pothuajse, e pabesueshme!

Po, po. Njerëzit, këtu, nuk duan në asnjë moment të heqin dorë nga të vetëndjerit të parët, më të mirët. Po kjo e ka një kosto dhe kur nuk pranon defektet, je i destinuar të mos punosh për t’u përmirësuar.

Kjo, për mua, është një lloj frike. Pikërisht, frikë nga të qenit normal. Pse ne nuk duam, asnjëherë, ta shohim veten në sy dhe t’i pranojmë gjërat me thjeshtësi.

A nuk ju duket anormale që nuk jemi të sinqertë, që nuk arrijmë ta shikojmë jetën tonë dhe veten si procese në ndryshim dhe zhvillim, në përpjekje për t’u bërë më të mirë? Pra, patjetër duke gabuar, madje, duke u lënduar, tërhequr hera-herës, humbur ngandonjëherë dhe kjo e gjitha, të jetë gjëja më normale.

Si mund të druhet dikush, të pranojë jetën e tij, ashtu siç është, "relative dhe prandaj e bukur".

Shqiptarët, ky popull i vogël, fodull për të keqen e tij, i pasinqertë në dëm të njëri-tjetrit.

A mundet dikush që nuk pranon se ka qarë, të jetë vërtetë i lumtur?

Dikush që nuk e pranon se ka vuajtur, nuk di as të gëzohet. E keni vënë re se sa të vështirë e kemi t’i tregojmë gjërat thjesht?

Kjo vjen pikërisht nga frika që kemi nga e vërteta... Filozofia më e shëndetshme është ta duash jetën, me gjithë ato gjëra të vogla, të mira dhe të këqija që na ndodhin.

Ne, ende, mendojmë se jeta vlen vetëm nëse bëjmë, çdo ditë, çudira dhe mrekulli. Ndoshta edhe më keq, se jeta është të dukesh dhe kujtojmë se të tjerët, duhet ta shohin. Kjo kujtojmë se është thelbi dhe, pikërisht, këtu kemi humbur sinqeritetin ndaj vetes, ndaj të vërtetës dhe këtu harrojmë të jetojmë me të vërtetë. Kemi frikë të pranojmë realitetin, sepse kemi frikë çfarë do të thotë apo çfarë do të mendojë tjetri.

Të jetosh për sytë e botës! Është një problem i madh dhe ky, në Shqipëri, është gati normë. Nëse arrijmë të çlirohemi nga ky ngërç, do të jemi me të vërtetë dhe do të arrijmë t’i pranojmë sfidat e jetës, çdo pengesë apo rrëzim si një mësim që na duhej.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: