SA E LODHSHME ËSHTË PRITJA! - Nga MERI DISHNICA

SA E LODHSHME ËSHTË PRITJA! - Nga MERI DISHNICA
Nga MERI DISHNICA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka më shumë ndodhi në jetë, sesa thjesht një rend ngjarjesh biologjike (“Lindja, riprodhimi dhe vdekja”, cit. T.S. Eliot). Janë gjithçka ndodh mes tyre, që na merr kohën, na ndërlikon jetën, fundja na e bën më të bukur! Magjia gjendet tek ndërlikimi, - asnjë nuk e dashuroi, kurrë, monotoninë! Ca dritëza që na kënaqin dhe na japin stimujt, për ta shtyrë më mirë. Një biçikletë në një rrugë fshati me gjelbërim, shikimi i tij, një gotë verë, lotët në dasmën e shoqes, një balonë e ikur në erë, një qen i shpëtuar nga rruga, këpucët e reja, fustani i shqyer, urrejtja për atë, xhelozia për atë tjetrin, vdekja e gjyshes, kurthi i koleges, supa që t’u derdh, sufleja që t’u prish, shëndeti i kushëririt, ngritja e një biznesi, paratë e lëna mënjanë për universitetin e nipit, parashikimi i pasojave të një strategjie të re politike, kalimi tek partia tjetër, gin tonik në banak… Të gjitha këto e shumë të tjera, na nxisin zbavitjen dhe zvarritjen. Janë vetëm disa nga gjërat e vogla që “popullojnë” atë rrip të hollë të dritëhijes, midis errësirës së mëparshme dhe errësirës pas.

E megjithatë, ajo çfarë na e merr më së shumti kohën, është pritja. Të ngarkuar me mendime apo pa mendime, ne presim. Me durim apo pa durim, ne presim. Pritja reflekton qenien tonë të pashpresë, pamundësinë për të kontrolluar gjëra, ndodhi apo kurse ngjarjesh. Ajo që na mbetet është të presim, duke parë orën vazhdimisht, edhe pse nuk e dimë nëse po vjen diçka e mirë apo e keqe. Nga ana tjetër, të lësh të tjerët të presin është një shfaqje e superioritetit dhe fuqisë (ai që “e duan” arrin gjithmonë vonë, ai që “do”, përpiqet të mos jetë shumë herët).

Shtetet që nuk funksionojnë dhe kanë tendenca shtypëse, i lënë qytetarët të presin, - presim për të mirat materiale, për shërbime, për drejtësi. Madje edhe ata që mendojnë se po i shërbejnë njerëzve, i lënë të presim. Nuk ka asnjë profesion që të mos ketë dhoma pritjeje.

Presim dikë të përfundojë një fjali, presim një mik të na arrijë në një shëtitje, presim vaskën të mbushet, presim semaforin të hapet, presim mesazhin e munguar, presim të na kalojnë ethet, presim muzikën të bëhet më e bukur, presim në shtrat alarmin e mëngjesit që ta mbyllim, presim një përgjigje, presim të bjerë era se po na prish flokët… Presim për një fëmijë të rritet, për një rezultat të testit të gjakut, për një kthesë, për një bast. Presim dikë të na çuditë, presim dikë të pranojë gabimin. Presim paqen, pranverën, krishtlindjet, trashëgimtarin, famën, pasurinë, fundin.

Ju po më prisni mua, të dal tek thelbi i këtij reflektimi. Ngutja për ta marrë vesh, thyen pritjen, duke ju ndihmuar të “shtyni” këndshëm këtë 5-minutësh të jetës suaj...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: