SA ISHTE PJESËMARRJA NË PROTESTËN E PD-SË? KOMENT NGA EDUARD ZALOSHNJA

SA ISHTE PJESËMARRJA NË PROTESTËN E PD-SË? KOMENT NGA EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nga faqja e tij në Facebook, Berisha dha të shtunën lajmin se mbi 600 mijë shqiptarë ishin mbledhur në protestën që organizoi PD-ja. Dhe gjatë fjalimit në atë protestë, Basha e rikonfirmoi këtë lajm të Berishës.

Ndërsa disa televizione e portale, gjatë kohës që po fliste Basha, publikuan video të protestës, të filmuara me dron nga lart. Bazuar në pamjet nga lart, ato bënë disa llogaritje numerike, duke dalë në përfundimin se në protestë ishin vetëm 7600 vetë. Me fjalë të tjera, ato vlerësonin se në protestë ishin pothuaj 100 herë më pak protestues se sa deklaruan Berisha dhe Basha.

Në fakt, Berisha dhe Basha nuk i ndanë me publikun llogaritjet që kishin bërë, për të arritur tek numri 600 mijë (një zakon i kahershëm ky i të gjithë politikanëve shqiptarë). Sidoqoftë, shifra 600 mijë është qartazi e pagëlltitshme! I bie që një turmë sa e gjithë popullsia e Malit të Zi, të ishte grumbulluar të shtunën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Nga ana tjetër, edhe shifra e ofruar nga portalet e sipërcituara, duket shumë e ulët. Në llogaritjet e tyre nuk ishte marrë parasysh fakti se shumica dërrmuese e protestuesve ishte futur poshtë pemëve të mëdha në dy anët e bulevardit, për t’i shpëtuar diellit të nxehtë të së shtunës.

Më poshtë është një analizë numerike e imja, që synon të qartësojë rebusin e mësipërm, e kryer me ndihmën e Google Earth Pro.

Google Earth Pro është një program kompjuterik i kompanisë së famshme Google, i cili, në kohë reale, ofron fotografi satelitore 3-dimensionale të çdo cepi të botës. Gjithashtu, ky program lejon zmadhimin dhe ndarjen e një fotografie në seksione të veçanta, si dhe llogaritjen e metrave katrorë të çdo seksioni. Duke shfrytëzuar pikërisht këto mundësi që krijon Google Earth Pro, e kreva analizën numerike të protestës së organizuar të shtunën nga PD-ja.

Nga kjo analizë, rezulton se sipërfaqja ku kishte protestues, në kohën kur filloi fjalimin Basha, ishte rreth 28000 m2. Pikat më të skajshme të kësaj sipërfaqeje ishin "Çadra e Lirisë" në jug, Ministria e Brendshme në veri, lulishtja e Piramidës në lindje, dhe lulishtja e Vëllezërve Frashëri në perëndim.

Dendësia maksimale ishte në sektorin fare pranë tribunës – 4 protestues për metër katror (në një ashensor 1 metër X 1 metër nuk mund të rrinë më shumë se 4 persona të rritur, sado të shtrëngohen). Ndërsa dendësia minimale ishte pranë Ministrisë së Brendshme – 1 protestues për 7 metra katrorë. Siç përmenda më sipër,  me përjashtim të zonës pranë tribunës, dendësia ishte shumë më e rrallë atje ku nuk kishte hije pemësh.

Duke kombinuar metrat katrorë të çdo sektori të protestës me dendësinë përkatëse, më rezultoi se ditën e shtunë, rreth 25 mijë protestues kanë marrë pjesë në protestën e PD-së.

Por a ishin më shumë protestues seç ishin në 18 shkurt?

Në një artikull të publikuar në 21 shkurt 2017 në Albanian Free Press, “Motivimi”, Apollon Baçe llogariste se në protestën e PD-së të 18 shkurtit, morën pjesë rreth 25 mijë protestues. Sidoqoftë, edhe pse analiza e Dr. Baçes ndiqte një metodologji të ngjashme me të mësipërmen, ajo bazohej në një inspektim okular (jo në foto satelitore të Google Earth Pro).

Dhe tani le t’i kthehemi aritmetikisht deklaratave të Berishës dhe Bashës, se në protestën e të shtunës morën pjesë mbi 600 mijë qytetarë. Që kjo shifër të jetë e saktë, duhej që në të gjithë sipërfaqen e protestës (28000 m2), të kishim një dendësi të njëtrajtshme prej 21 protestuesish për metër katror!!! Për ta patur të qartë se sa e pamundur është kjo gjë, imagjinoni që një ashensor 1 metër x 1 metër, të futen 21 persona të rritur...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: