SAMARI! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI

SAMARI! - PËRSIATJE NGA JUELA MEÇANI
NGA JUELA MEÇANI

Raporti i shqiptarit me punën, është i habitshëm. Jetojmë mes një rinie e cila jashtë kufijve, ku duhet të mbijetojë me domosdo, shihet në shërbime, ndërtim, kopshtari, në rritjen e fëmijëve apo në kujdesin ndaj të moshuarve. Flasim për vende ku është tashmë traditë që të rinjtë të jenë të zotët e vetes; gjatë studimeve janë mësuar të përballojnë shpenzimet, jetesën në një qytet tjetër, studimet, jetën e argëtimit, qoftë edhe pjesërisht.

Po brenda kufijve ndodh krejt ndryshe; këtu ka stepje, turp, ka paragjykim. Por ka dhe një problem. Haka nuk shkon gjithmonë tek i zoti dhe kjo gjë, e pranoj, gjithmonë më ka nervozuar.

Gjatë mbi dy dekadave punë, andej-këndej-gjithandej, ka një dukuri të cilën e kam hasur shpesh e që është, sipas gjykimit tim, një nga arsyet, përveç dembelizmit oriental, të faktit se përse të rinjtë ngurojnë të punojnë në punë të lodhshme ose jashtë profilit të tyre, në vendin tonë mëmë.

Ata albanofolës e albanokomunikues që u bie shansi apo e fitojnë atë privilegj, të udhëheqin, kanë antenat e jashtëzakonshme të pikasin se kujt në një kolektiv t’ua ngarkojnë “samarin” sa më shumë. Janë ata “ushtarët” që për fatkeqësinë e tyre, kanë qëlluar të jenë punëtorë, me skrupuj, me parime, me disiplinë, korrektë, të palodhur. Janë ata të sinqertët të cilët, vetëm ashtu dinë të punojnë, se janë edukuar në të tillë mënyrë (ose mynxyrë) nga prindërit e tyre.

Do të thoni ju, se çfarë të keqe ka këtu... Po nuk ka asnjë të keqe! Ndodh vetëm që kjo mori njerëzish korrektë, punojnë sepse e kanë punën mision dhe arritjen e suksesit me punë, parim jete. E ndërkohë, antenat e “shefave” tipik shqipo, janë të jashtëzakonshme për t’i qëlluar e për t’i përzgjedhur. Në të njëjtën mënyrë siç dallojnë servilin e radhës, që u duhet për fresk apo rritje vetëvlerësimi kur gdhihen keq, dallojnë spiunin e radhës, atë kokulurin i cili nuk ndihet e që shkon raporton çdo ditë apo edhe në kohë reale, pavarësisht se mund të jetë ulur përballë apo përbri teje. Ky shefi apo shefja, dallon me antenat e gjata të paaftësisë apo inferioritetit të vet, edhe nipin apo gruan e një miku. Këta të fundit as që i prek fare. Ata i ruan për një ditë të keqe kur do i duhen ca favore.

E ja ku jemi nga fillimi, antenat pikasin se kujt i ngarkohet “samari”. Por çfarë ndodh ndërkohë që kjo mori njerëzish të punës, ndjekin parime e realizojnë objektivat e tjetërkujt?

Ndodh që këta të tjerët, këta sehirxhinjtë, kanë kohë plot për të bërë karrierë, për tu ngjitur në tribuna, për tu bërë gati për shefa, për tu marrë me të gjithë e me askënd. Është një proces zinxhir, i cili krijon një ushtri me teknicienë të cilët bëhen të pazëvendësueshëm e nuk e kalojnë asnjëherë vijën e mesme. “Samari” i ngarkuar me punë e dije nuk të lejon të fluturosh nga partia në parti, nga gazeta në gazetë, nga TV në TV, nga biznesi në biznes, nga ministria në ministri. “Samari” me dije e punë, që duhet të njohë shkallë e të jetë i përkohshëm, bëhet i përjetshëm, bëhet plumb i rëndë.

Ja pse është kaq e vështirë që të rinjtë të punojnë me dëshirë, në këtë vend. Merita është “samar” i rëndë e kjo është dhe fatkeqësia më e madhe e këtij vendi!

Shpërndajeni me miqtë tuaj: