SFIDA e Bojaxhiut, një risi për pastrimin e politikës - Nga EDUARD ZALOSHNJA

SFIDA e Bojaxhiut, një risi për pastrimin e politikës - Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Në kushtet aktuale, kur zgjedhjet rrezikojnë të kthehen në një përplasje fizike mes qeverisë dhe militantëve të PD-së, nuk ka pothuaj fare rëndësi sesi i përzgjodhën kandidatët e tyre 17 partitë që u regjistruan për zgjedhje brenda afatit të deklaruar nga KQZ-ja. Por mënyra sesi i përzgjodhi kandidatët e saj Sfida për Shqipërinë, e bashkëthemeluar nga Gjergj Bojaxhiu, përbën një risi që mund të vlejë shumë në një ditë të ardhme, kur zgjedhjet të zhvillohen normalisht në Shqipëri.

Të 16 partitë e tjera që u regjistruan në KQZ, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, paraqitën lista me  kandidatë për çdo qark, të hartuara nga kryetarët e partive, dhe të miratuara formalisht nga kryesitë përkatëse. Ndërsa kryetari i Sfidës për Shqipërinë, Hektor Ruci, jo vetëm që nuk i hartoi listat e kandidatëve për deputet, por as nuk u përfshi vetë në ndonjë listë. Renditja e kandidatëve në listat e qarqeve u bë drejtpërdrejt nga anëtarët e Sfidës për Shqipërinë përmes votimit elektronik të mundësuar nga programi kompjuterik https://electionrunner.com/.

Kështu, çdo anëtari iu dërgua një email me kodin për t’u futur në faqen e votimit, ku secili anëtar mund të përzgjidhte deri në 5 emra nga lista e kandidatëve që deshën të garonin. Përbri emrit të çdo kandidati ishte përfshirë një biografi e shkurtër e jetës së tij/saj publike. Në përfundim të votimit elektronik, programi kompjuterik llogariti në kohë reale renditjen e kandidatëve në secilin qark, në vartësi të përzgjedhjes që kishin bërë anëtarët e Sfidës në çdo qark. Dhe sipas këtyre renditjeve u paraqitën edhe listat në KQZ.

Ky votim i anëtarësisë së Sfidës për Shqipërinë përbën rastin e parë real të zhvillimit të një gare brenda partisë, për përzgjedhjen e kandidatëve të saj për zgjedhje parlamentare. Në një farë mënyre, ato ngjasojnë me garat e ashtuquajtura “primare” që zhvillojnë partitë perëndimore për përcaktimin e kandidatëve parlamentarë apo për poste ekzekutive.

Ky shembull që dha Sfida për Shqipërinë duhet përqafuar në të ardhmen nga anëtarët e partive të vjetra, të cilët deri më sot kanë shërbyer vetëm për të mbushur mitingjet e thirrura nga kryetarët, dhe për të mbrojtur votat e kandidatëve që i kanë përzgjedhur vetë këta të fundit.

Kuptohet që kryetarët e partive të vjetra nuk do duan ta lëshojnë kollaj pushtetin që kanë në përzgjedhjen e kandidatëve, në promovimin e karrierës së disave dhe në mbarimin e karrierës së disa të tjerëve. Por anëtarët e këtyre nuk duhet t’i lejojnë t’i trajtojnë ata si dele, siç i kanë trajtuar në çerek shekullin e fundit.

Gjithashtu, Sfida për Shqipërinë, në rast se arrin të krijojë një grup parlamentar në Kuvendin e ardhshëm, duhet të ushtrojë trysni publike ndaj partive të vjetra, që të bëhen ndryshime të tilla në Kodin Zgjedhor, që do ta bënin zhvillimin e garave primare të detyrueshëm për çdo parti që merr pjesë në zgjedhje.

Shqipëria ka vërtet nevojë për një Republikë të Re, por kjo nuk duhet të jetë një republikë që projektohet në ecejaket nga çadra para kryeministrisë deri tek godina 22-katëshe aty pranë. Republika e Re duhet të bazohet në vendimet që marrin anëtarët e thjeshtë të partisë përmes demokracisë së drejtpërdrejtë, si për të përzgjedhur përfaqësuesit e tyre, ashtu edhe për çështje të rëndësishme strategjike.

Kështu, asnjë forum i PD-së nuk u mblodh për të marrë vendimin për mosregjistrimin e saj në zgjedhjet e 18 qershorit, ndërkohë që me ndihmën e programit kompjuterik https://electionrunner.com/ mund të ishte marrë mendimi i 100 mijë anëtarëve të PD-së brenda 24 orësh.

Një parti që pretendon se do të themelojë Republikën e Re, duhet të demonstrojë së pari se ka rithemeluar vetveten, duke futur në jetën e saj demokracinë e drejtpërdrejtë. Kur vendimet merren vetëm nga kryetari, në bashkëpunim me ish-kryetarin dhe disa këshilltarë publikë e jopublikë të tyre, partia ka pak gjasa të përkrahet nga elektorati i gjerë – atë e përkrahin kryesisht militantët e thekur dhe njerëzit që kanë përfituar ose presin të përfitojnë nga patronazhi dhe klientelizmi.

Demokracia e brendshme në partitë perëndimore ka qenë karburanti që e ka mbajtur sistemin demokratik aktiv për një kohë kaq të gjatë. Le të shpresojmë se demokracia e brendshme do të fillojë të marrë jetë një ditë edhe në partitë shqiptare, sidomos tani kur programet kompjuterike e bëjnë fare të letë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë brenda partisë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: