SISTEMI RA, RROFTË SISTEMI! – OPINION NGA SONILA MEÇO

SISTEMI RA, RROFTË SISTEMI! – OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

New York Times mbajti një qëndrim të fortë kur vendosi të botojë në datën 9 prill, editorialin për fitoren e Vuçiç në zgjedhjet presidenciale në Serbi. Me shënimin “Bordi editorial”, poshtë shkrimit me titull “Zgjedhjet serbe që gërryejnë demokracinë”, duke mbajtur përgjegjësinë si gazetë e jo nën emrin e një kontribuuesi individual, NYT e pagëzoi Serbinë pas këtij triumfi të Vuçiç, si “në buzë të autokracisë”.

Arsyeja? Pavarësisht se pozicioni presidencial është, më së shumti, ceremonial, me mundësinë për të zgjedhur pasardhësin e tij si kryeministër, me parlamentin dhe drejtësinë nën pushtetin e partisë së tij, me margjinalizimin e opozitës dhe vendosjen e shtypit në rresht para tij, përqendrimi i pushtetit në duart e Vuçiç, është simptoma e sëmundjes së rëndë të demokracisë në Serbi, që mund të ketë pasoja të rënda për rajonin dhe vetë Europën, - shkruan një ndër mediat më ndikuese në Shtetet e Bashkuara.

Vuçiç mori më shumë se 50% të votave, duke lënë pas rivalin Jankoviç, me 16%, ndërsa procesi u pasua nga akuza të panumërta për manipulim e frikësim të votuesve në sfondin e një dominimi të plotë të medias nga ish-kryeministri dhe partia e tij.

“Poshtë diktatura” dhe “Vuçiç, na vodhe zgjedhjet” qenë sloganet me të cilat mbushën rrugët e Beogradit mijëra të rinj, por Vuçiç e ka një përgjigje: fakti se qeveria nuk ra me këto protesta, dëshmoi “shenjën e fortë të demokracisë në vend”. “Duke e ditur, tashmë, se protestat nuk përkrahen e shpejt shpërndahen edhe me dhunë, në vende me tipare autokratike, vetë Vuçiç nuk sheh sloganet apo fishkëllimat e studentëve si kërcënim, tashmë, që zgjedhjet kanë mbaruar”, - thekson NYT.

Por gazeta e njohur amerikane vëren se liderët europianë që dallojnë tek Vuçiç një forcë stabiliteti, me shpresën se ai do t’i  qëndrojë premtimit për ta mbajtur Serbinë në udhën drejt integrimit europian, duhet t’i  bëjnë ballë tundimit për të parë vetëm këtë anë të medaljes e të gjykojnë shpejt sesi Vuçiç dhe aleatët e tij, kërkojnë të forcojnë monopolin mbi institucionet politike të vendit dhe median. Kjo do të qe tradhti ndaj vlerave europiane dhe të gjithë atyre serbëve që shohin tek Bashkimi Europian, një fanar të lirive dhe të drejtave demokratike, në një kohë kur shumë liderë të Europës Lindore e Qendrore, po i kthejnë shpinën demokracisë.

Artikulli ka edhe një mision, - të shpjegojë pse zgjedhjet qenë një farsë dhe përpjekja për të “rregulluar” deficitet demokratike post factum (pas zgjedhjeve), është një pamundësi të cilën nuk po e menaxhon dot as faktori ndërkombëtar, ndërsa autokracia po ngre e sigurt katet, ndihmuar edhe nga vetë proceset zgjedhore. Si për të ndihmuar kuptimin e farsës në një proces, në dukje, demokratik, - siç është ai zgjedhor, - vjen në ndihmë një analizë e thjeshtë e faktit se pse kur pakënaqësia e serbëve shtohet për ekonominë e dobët, tranzicionin drejt një pseudokapitalizmi, kapjen e mediave dhe njehsimin e pushtetit, sërish, Vuçiç merr 55% të votave.

Në zgjedhjet presidenciale, partia e Vuçiç i cilësoi reformat e nisura prej saj si “një premtim i së ardhmes”. Vetë zgjedhjet u shndërruan në një referendum: a duam të vijojmë me reformat dhe ta çojmë procesin deri në fund, në drejtimin e duhur, apo do kthehemi mbrapsht? Në këtë kontekst, vjen edhe alternativa. Oferta e rivalëve qe një kandidat, jo përfaqësues i ndonjë partie, ish-avokati i popullit , Jankoviç, i mbështetur nga zëra opozitarë, përfaqësues i intelektualëve, artistëve, disa organizatave të shoqërisë civile. Gjithsej ai mori 16% të votave. Cinizmi i shumë serbëve, kulmoi me kandidimin për president të Luka Maksimoviç, një student, komedian e aktivist politik 25-vjeçar, që nën pseudonimin e personazhit satirik i krijuar prej tij, Ljubisa Preletaviç Beli (emër që aludon për dikë që ndërron shumë parti për qëllime personale), arriti të marrë 9% të votave. SPN, partia që Maksimoviç përfaqëson, u krijua si një parodi e një grupi komedianësh nga qyteti Mlladenovac. Pasi realizuan një promo si skeç humoristik për liderin e tyre Ljubisa Preletaceviç Beli, publikimi i saj në YouTube, mori shumë klikime dhe ndjekësit arritën, deri aty, sa të kërkonin pjesëmarrjen e kësaj partie në zgjedhje. Natyrisht me satirën e tyre, krijuesit vijuan lojën duke bërë premtime false, para e punë për këdo dhe ashtu, nën parodi, ata morën pjesë në zgjedhjet lokale në bashkinë e Mlladenovac dhe morën 20% të votave, duke u bërë grupi i dytë më i fortë pas atij të Partisë Progresive. Me idenë për të mbledhur sa më shumë vota e për të dëmtuar rezultatin e Vuçiç në zgjedhjet presidenciale, Maksimoviç u mbështet edhe nga parti opozitare, mblodhi mbi 10.000 firma dhe paraqiti kandidaturën e vet. Në fund, siguroi vendin e tretë me 326.055 vota, ose 9,44% të tyre.

E megjithëse fabula e Maksimoviç, gjeti vend mirë në imagjinatën e serbëve si kundërpërgjigjja ndaj korrupsionit të madh, standardit të ulët të jetesës, kapjes së shtetit, Vuçiç shkoi në zgjedhje i sigurt për fitore të thellë dhe ashtu ndodhi. Sot, ata që e rivalizuan dje në zgjedhje, nuk mund të bëjnë asgjë për të ndalur projektin e tij autokratik. Ndërsa suksesi i partisë parodi, qëndron në shënjestrimin e asaj që zemërata popullore dëshmon ndaj një pushteti që po merr gjithnjë e më shumë trajtat e një regjimi, opozita identifikohet me të dhe mbetet, për aq sa mund të jetë, vetëm sarkazma e gjatë në rrjete sociale dhe 12 kandidatë në një këshill bashkiak të një qyteti të vogël. Pa mundur të artikulohet në një lëvizje të qartë dhe serioze, e cila mobilizon e krijon shpresë që ofron alternativë e rrëzon me votë një sistem të dështuar.

Vuçiç ka punuar mjaft mirë të dobësojë opozitën, si përfaqësim politik e parlamentar. Pra, ndërtoi një proces zgjedhor me opozitë të dobët, kandidatë të dobët, apo të pafuqishëm për të kapitalizuar zemëratën, në një sistem krejt të kapur, ku çdo fitore e një kandidati tjetër, do të haste në pamundësinë për të zhbërë një sistem jo funksional demokratik.

Pra, edhe NYT, me shënimin e bordit të vet editorial, vë re se, sistemi i ngritur në Serbi, nuk është demokraci, jo siç ajo liderët europianë ndërtojnë në vendet e tyre, e kërkojnë me ngulm në udhërrëfyes për vende aspirantë në BE, por që, çuditërisht, mbështesin për hir të stabilitetit… të periferisë së tyre.

Dhe në këtë analizë që ngjan fort sikur bëhet edhe për farsën demokratike shqiptare, mungojnë disa rekorde krejt tonat, që në fund të ditës, duhet të shërbejnë si një shembull për çfarë mund të ndodhë me ne nëse vijojmë të mbajmë në këmbë një sistem të kalbur, qoftë edhe me prezencën e partive të reja qëllimmira. Nëse pranojmë procesin zgjedhor, pavarësisht kriminalizimit që iu bë politikës, skandaleve që shoqërojnë qeverisjet, shndërrimit të Shqipërisë në kryeqendrën e prodhimit të kanabisit, pavarësisht korrupsionit, kapjes së mediave, ne kemi pranuar të mbajmë, ende gjallë, një sistem 26-vjeçar që nuk funksionon për të mirën tonë, jo për mirëqenie e as për përfaqësim. Nën iluzionin e pjesëmarrjes në procesin themelor demokratik, të indoktrinuar me idenë se vota është shprehje e vullnetit të lirë dhe një detyrë patriotike, ne, ende, mashtrojmë veten se vota jonë ndikon, se vota jonë ka rëndësi, se vota jonë do bëjë ndryshimin!

Përballë një maskarade elektorale, ne ende shkojmë me idenë e zgjedhjes së të keqes më të vogël. Në një sistem që nuk na llogarit, nuk na dëgjon, nuk na përfaqëson! Ndërsa sot na kërkohet të shkojmë në zgjedhje edhe me një sistem të rënë. Nuk është më çështje alternativash brenda sistemit, o do ta ndryshojmë atë vetë o do pranojmë ta mbajmë! Të votosh sot, do të thotë të legjitimosh një sistem të dështuar, pavarësisht se brenda ka alternativa që artikulojnë ndryshimin. Këtë bënë edhe në Serbi, herë me kandidatë jopartizanë e herë më kandidatë parodi kundra sistemit. Por Vuçiç dhe establishmenti i tij, mbetën. Njerëzit, megjithëse të pakënaqur e të pashpresë, votuan duke pranuar që gjërat të mbeten siç janë. Në një pjesë, sepse vota u manipulua, se qytetari u intimidua, se u trullos nga propaganda e një medieje të kapur…, - po ta aktualizojmë në Shqipëri do të shtonim: me këtë kanabizim të vendit, kriminalizim të politikës dhe sistemit, blerje të faktuar vote. Dhe me traditën e votimit të së keqes më të vogël (që nuk është vetëm e jona), ne votojmë me këtë logjikë dhe e keqja mbetet, konsolidohet, është e vetmja që gjithmonë fiton, në një aftësi të jashtëzakonshme vetëmbrojtëse duke prodhuar establishmentin. Sikur ne të kishim aftësinë të organizoheshim si elektorat pa asnjë thirrje, në fakt, nuk duhej të votonim në kushtet e krijuara pas 26 vitesh zhgënjimi e tranzicioni të pafundmë. Po të mos votonim, nuk legjitimonim një sistem që shkon nga kriza në krizë, i dëshmonim çdo zyrtari të huaj, këtu a në qendrat më të mëdha të politikës ndërkombëtare, se në Shqipëri nuk funksionon më me këtë formulë, se zgjedhja e stabilitetit mbi demokracinë nuk sjell as njërën e as tjetrën. Se çfarëdo përpjekjeje për të legjitimuar sistemin e kalbur, që mbijeton me entuziazëm nga kriza në krizë, duke zvogëluar popullsinë që kërkon kund tjetër jetën më të mirë e duke shumuar kanabisin si mundësi jetese, do të qe dështake përballë një elektorati në shumicë, që nuk merr pjesë në votime. Që i konsideron farsë e për këtë i dënon. Sepse jemi dënuar prej vitesh në mospërfaqësim!

Janë mësuar të na thonë se, nëse nuk votoni, nuk keni të drejtë të ankoheni. Pa dale një herë…! Le të analizojmë atë që kemi bërë, rregullisht, në 26 vjet, e nuk ka prodhuar dot as mirëqenie e as demokraci, as shtet e as liri për të zgjedhur. Nëse votojmë njerëz të pandershëm, ta paaftë, kriminelë e ata zgjidhen a nuk jemi edhe ne përgjegjës për çfarë i shkaktojnë ata vendit? Por edhe nëse votojmë njerëz të ndershëm e me qëllime të mira, a nuk janë “ngrënë” a “përjashtuar” nga sistemi? Dakord, votuam me besim herën e parë, të dytë, por janë zgjedhje pas zgjedhjesh, që vetëm përkeqësojmë nivelin e përfaqësimit në parlament e politikë, që forcojnë establishmentin e na afrojnë me autokracinë. Pra, jemi edhe ne që kemi shkaktuar problem, duke mos nxënë dot asnjë mësim e duke votuar, sërish, për të njëjtin sistem.

Ndaj, edhe sikur forca më e madhe opozitare të merrte pjesë në këto zgjedhje, ne, si elektorat, duhet të bënim një proces të fortë analize e të kuptonim se këtu nuk është çështje kush fiton e kush humbet, kush do, apo jo reformat, këtu është çështje e sistemit dhe ai ka dështuar! Bojkoti i zgjedhjeve nga partitë, këmbëngulja e të tjerave për të shkuar pa opozitën, mund të jenë edhe mjete të luftës për pushtet, por ne duhet të konsolidojmë elektoratin si palë në proces, që mund të ndikojë çdo përpjekje të mbrapshtë për të mbajtur gjallë një sistem të rrënuar. Të na jepet mundësia të dëgjohemi, për të mos legjitimuar farsa elektorale. Ne nuk mund të votojmë me një iluzion, në pamundësinë për të vetëqeverisur, duke iu dhënë politikanëve një mundësi për të na drejtuar siç nuk duam. Shembulli i Serbisë, alarmi i NYT për çfarë po ndërtohet në shtetin ballkanik nën hundën e kancelarive europiane, ngjashmëria e fortë me Shqipërinë, na kanë dhënë, në avancë, panoramën e qartë të asaj që ndodh kur i besohet ndryshimit përmes votës në një vend ku ajo nuk respektohet. E ku nuk ka mundur të sjellë ndryshimin, veç rotacionit. Sistemi i sotëm është produkt i një trashëgimie të gjatë të tranzicionit; ta refuzosh do të thotë të nisësh përpjekjet për një sistem ku, më së pari, vota vlen. Për t’i  dhënë fund atij sistemi që ka zvogëluar elektoratin (duke prodhuar emigracion edhe në kohë paqeje), duke shtuar partitë, por duke dobësuar, gjithnjë e më shumë, demokracinë dhe, me të, ekonominë, mirëqenien e forcuar pabarazinë. Nëse kemi ndërmend ta mbajmë sistemin siç është, nuk kemi të drejtë të ankohemi, pasi e kemi dhënë atë votë. Ndryshe nga çfarë na kanë bërë të besojmë, deri më sot, “patriotët” e detyrave të shtëpisë se kush nuk voton, nuk duhet të qahet!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: