Stadiumi i finales së Europa League i sigurt, “blindohen” United e Ajax

Stadiumi i finales së Europa League i sigurt, “blindohen” United e Ajax
Yjet e Manchester United mbajtën një minutë heshtje në nderim të viktimave pas sulmit terrorist, ndërsa forca të shumta sigurie kanë rrethuar stadiumin ku do të luhet finalja e Europa League si dhe kampet stërvitore të dy ekipeve.

Finalja u vu në diskutim pas sulmit terrorist që ndodhi në stadiumin e Manchester, ku po jepej një koncert i këngëtares së muzikës pop, Ariana Grande. Nga sulmi u vranë 22 njerëz dhe u plagosën rreth 119 të tjerë, pas koncertit që u zhvillua të hënë në mbrëmje.

Futbollistët dhe klubet në mbarë botën dërguan mesazhe ngushëllimi në mbështetje të familjeve dhe të afërmve të viktimave.

Manchester United është duke zhvilluar përgatitjet e fundit para finales së Europa League ndaj Ajax, finale që do të luhet të mërkurën në stadiumin “Arena” të Stockholm.

UEFA deklaroi se ndeshja në Suedi do të luhet pavarësisht sulmit tronditës që ndodhi në Manchester.

Qeveria e futbollit eruropian shtoi me një deklaratë se nuk ka të dhëna konkrete nga shërbimet inteligjente për ndonjë sulm të mundshëm gjatë ndeshjes finale.

Makinat e lojtarëve janë kontrolluar nga ekipet e sigurisë, para se ato t’i drejtoheshin kampit të stërvitjes në Carrington, gjatë së martës.

United anuloi një konferencë për shtyp, e planifikuar për të martën në mbrëmje.

Federata e Futbollit, si dhe federatat e tjera sportive, përfshirë edhe atë të tenisit që zhvillon ndeshje të mëdha në Wimbledon, me një deklaratë kërkuan më shumë siguri gjatë eventeve të ardhshme sportive.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: