STINA E MËRZITSHME E PAJTIMIT! - Nga ALFRED PEZA

STINA E MËRZITSHME E PAJTIMIT! - Nga ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Të mësuar historikisht me politikën gjakuese e të ububujshme, qytetarët shqiptarë ndihen si të zënë në çark, nga marrëveshja e papritur Rama - Basha. Aq sa pas gëzimit të parë, tani kanë filluar të mërziten. Pasi duken sikur i kanë hequr nga dora, lodrën e tyre të zemrës. Ia kanë marrë atë sa hap e mbyll sytë si me marifet dhe tani, ndihen bosh. Sepse nuk kanë se me çfarë të luajnë. Duke ia bërë jetën sa monotone, aq edhe të mërzitshme. Pasi nuk kanë se me kë të debatojnë më. Socialisti nuk di se çfarë ti thotë demokratit. Si edhe ky i fundit, kundërshtarit të tij më të madh politik. Në lagje, punë, kafe, familje, shoqëri a në rrugë. E njëjta gjë mes socialistëve dhe LëSëI-stëve. Apo LëSëI-stëve e demokratëve dhe anasjelltas. E ajo që duket se ka filluar ti shqetësojë akoma edhe më shumë, është fakti se askush nuk di deri tani që t’ua thotë me saktësi, se kur do të prishet kjo dreq qetësie shurdhuese. Për të patur shpresë se ato ditë të lumtura sherresh politike pafund, do të rikthen dhe ata do të rifillojnë që të jetojnë përsëri të lumtur, përjetësisht në normalitetin e një "armiqësie" të pafund.

Si për t'ua bërë edhe më të pashpresë, gjithë këtë situatë të denjë për teatrin e tyre absurd, Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka në seancën e fundit të jashtëzakonshme të Kuvendit kur u miratua "vetting-u" dhe u votuan ministrat e rinj, tha një frazë të tmerrshme. Që kurrë nuk ishte dëgjuar më parë në atë sallë: "Siç tha edhe kolegu parafolës i mazhorancës...".  Epo të gjitha i kishin menduar, i kishin hamendësuar e fantazuar, por që të arrinte puna deri këtu, as skenaristi i "Tomi & Xherri" nuk do kishte fantazinë që ta çonte nëpër mend. E jo më një socialist i mirë. Një demokrat i mirë. Apo një votues i mirë i Ilir Metës. I Shpëtim Idrizit. Apo i ndonjë tjetri. Hej pikë e zezë. Çtë jetë e gjitha kjo, filluan të pëshpërisin me vete. A thua na bënë veshët? A mos jemi në ëndërr? Apo vërtetë mjaftoi një copë letër, disa pika të shkruara në të dhe dy firma krah njëra- tjetrës dhe bota vërtetë kështu ndryshoka, sa hap e mbyll sytë?!

E si për t’i hedhur më shumë benzinë zjarrit, mediat botuan disa pamje të jashtëzakonshme për sallën e Parlamentit, ndërkohë që në të po fliste vetë Sali Berisha. Të gjithë deputetët e pranishëm, vetëm qeshnin. Shkriheshin e gajaseshin. Të gjithë ishin shend e verë. Edhe të majtë, edhe të partive të tjera. Të PD-së, po e po. Nëse këto pamje do të ishin shfaqur vetëm gjatë kohës që Sali Berisha i përgjigjej Blushit për xhelozinë që i kishte errësuar sytë, për dashurinë e re PD- PS, kjo do të ishte gjysma e të keqes jo vetëm për militantët. Por edhe për tifozët apo të tjerë akoma, që janë më racionalë e të distancuar nga tifozllëku i shfrenuar politik. Sepse gazetarët kishin filluar të shpërndanin video, foto dhe lajme që tregonin se para fillimit të seancës dhe jashtë sallës së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si kurrë më parë, të gjithë deputetët, takoheshin, buzëqeshnin, përqafoheshin dhe bisedonin apo hidhnin batuta, me njëri-tjetrin. Të gjithë. Pa asnjë përjashtim.

Nga ana tjetër, Berisha pasi votoi pro nismave të qeverisë, kishte dalë në televizor dhe i njihte merita Edi Ramës për këtë marrëveshje. Madje lideri historik i së djathtës, kishte shkuar akoma edhe më larg, duke deklaruar se gjatë kohës së çadrës, kur të gjithë shqiptarët paskërshin patur kulmin e debateve politike mes tyre, ata flisnin me sms direkt me njëri- tjetrin. Ja kështu, si unë e si ti. Si të gjithë ne. Madje kishin dhenë e kishin marrë, ishin llafosur, sqaruar dhe kishin këshilluar njëri- tjetrin, përpara se marrëveshja të ishte arritur. Kjo i kishte çoroditur akoma edhe më shumë. I kishte lënë pa gjumë. I kishte lagur barutin. I kishte lënë pa argument. Pa ushqim. Pa tërbim. Pa vibrim. Pa mësim. Pa kafe. Pa punë. Pa çjerrje. Fryrje damarësh. Pa folur sa me këmbë e me duar. Ca pa u tërbuar. E ca pa u verbuar. E torturuar.

Kjo nuk ishte parë, e as ishte dëgjuar. As në dhjetor 1990. As në 31 mars e 2 prill 1991. As më 22 mars 1992 kur u ndryshua regjimi. E as në korrik të po atij viti kur PS fitoi zgjedhjet lokale 6 muaj pas humbjes së atyre të përgjithshme. As në nëntor 1994 për referendumin që rrëzoi Kushtetutën. E as në zgjedhjet e tmerrshme të 26 majit 1996 dhe dhunës në sheshin “Skënderbej” dy ditë më pas. As në zgjedhjet lokale të 20 tetorit të atij viti, e as në zgjedhjet e qershorit 1997 pas rrëzimit të piramidave të fajdeve. As kur u vra Azem Hajdari e as në zgjedhjet e 2001. As në zgjedhjet e 2005 kur Berisha u rikthye sërish në pushtet. E as në 2011 kur Lulzim Basha ia mori mandatin e bashkisë së Tiranës, edhe pse Edi Rama fitoi me 10 vota plus. As kur LSI qeverisi me PD në 2009. E as kur Meta iku nga Berisha dhe u bashkua me Ramën në 2013. As në zgjedhjet lokale të 2015. E as kurrë më parë.

Sepse në këtë vend, edhe kur kishim patur qeveri teknike, e kishim bërë politike. Edhe kur patëm qeveri të pajtimi kombëtar, ishim përçarë si kurrë më parë. Edhe kur kishim qeveri që Berisha e quante të djathtë, kishim qeverisur me programe të majta. Edhe kur kishim patur qeveri të majta, kishim bërë siç thoshte Nano, reforma të djathta. Edhe kur kishim qene në kulmin e pranverës, në pragun e derës, apo duke shkuar përpara humnerës, askush nuk ishte kthyer mbrapsht. Veç kemi ecur drejt. Pa u menduar dy herë. Drejt askundit e gjithkundit, mes përmes katundit. Me të njëjtën entuziazëm, që dikur kishim kërkuar që ta bënim edhe Shqipërinë si gjithë Europa.

Por askush të mos mërzitet. E ka thënë vërtetë Noli:

Se pas dimrit vjen një verë/

që do të kthehemi një herë/

pranë vatrës, pranë punës/

anës Vjosës, anës Bunës.

Por është shpejt për tu gëzuar kaq shumë. E mbi të gjitha, për tu mërzitur kaq shumë. Sidomos ata që duket sikur mbetën pa debat. Pa lodër. Pa ushtruar sportin e tyre më të preferuar: Politikën. Jo se marrëveshja do të prishet. Apo se nuk do të funksionojë. Por jeta do të ishte shumë e trishtë, shumë e mërzitshme në Ballkan, nëse partitë politike do të vijonin edhe në ditët e ardhshme, që të sillen publikisht si gjatë këtyre ditëve të post- marrëveshjes politike në Tiranë. Duroni edhe pak orë. Tani PD dhe aleatët e saj, po regjistrohen e po i dorëzojnë edhe ato, listat e kandidatëve të tyre për deputetët në KQZ. Ka rënë gongu i fillimit zyrtar të fushatës elektorale. E tani keni për të parë se shpirti i politikës së vërtetë shqiptare, nuk vdes kurrë. E se ajo, as ju ka zhgënjyer, e as ka për t’iu zhgënjyer asnjëherë. Por gjithsesi tregohuni të duruar, por edhe pak të përmbajtur. Mos prisni kaq shumë nga jeta. Sepse pas 25 qershorit, ajo mund të mos jetë më si më parë. Sepse edhe me teori probabiliteti, uji nuk kalon dy herë nëpër të njëjtat guriçka.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: