Suzana Guxholli: Krizat s’janë asnjëherë të mira për ekonominë

Suzana Guxholli: Krizat s’janë asnjëherë të mira për ekonominë
Intervistoi për “Albanian Free Press”: Eglantina Nasi

“Kriza politike e muajve të fundit e paraprirë nga kriza e shumëformëshe ekonomike, shoqërore e financiare, ndikoi negativisht në ekonominë dhe ecurinë e biznesit shqiptar, duke vënë më në pah dobësitë e sistemit”. Kështu shprehet gjatë një interviste për “Albanian Free Press”, kryetarja e Departamentit të Energjisë dhe Burimeve Natyrore pranë Partisë Demokratike, Suzana Guxholli. Sipas saj, është fakt se deri tani korrupsioni galopant dhe kanabizimi i ekonomisë ka atrofizuar bizneset. Për të apeluar sakaq, se ajo që i duhet vërtet biznesit në Shqipëri është një barrë fiskale e reduktuar. “Biznesi natyrisht kërkon stabilitet nga qeverisja dhe politika. Marrëveshja politike e momentit pritet që të riktheje besimin e biznesit dhe kthimin e vëmendjes tek projektet e lëna mënjane apo anuluara”, citon ajo. 

***

Znj. Guxholli. A ndikoi sipas jush kriza e fundit politike në ekonominë e vendit dhe tek biznesi në veçanti? Ku i shihni ju efektet e saj?

Krizat e çdo lloji nuk janë asnjëherë të mira për ecurinë ekonomike të çdo vendi. Kriza politike e muajve të fundit e paraprirë nga kriza e shumëformëshe ekonomike, shoqërore e financiare, ndikoi negativisht në ekonominë dhe ecurinë e biznesit shqiptar, duke vënë më në pah dobësitë e sistemit.

Biznesi i drobitur nga rritja e taksave, paqëndrueshmëria e sistemit e politikave frenuese fiskale, në një klime të rënduar të të bërit biznes, pa nxitës e pa siguri, në mungesë të financimeve e kreditimit, tkurret, heziton, trembet e vihet në pritje.

Kjo situatë frenon dhe zeron investimet e reja dhe zgjerimin e ekzistueseve, si nga investitorët vendas dhe aq më tepër, ata të huaj.

Kriza nxjerr më në pah dhe shton rrezikun në ekonominë shqiptare si për investitorët, institucionet financiare si bankat, po ashtu dhe mosbesimin e konsumatorëve individualë.

Kreditimi i biznesit zbehet e zvogëlohet duke anuluar apo vënë në gjendje pritjeje një sërë idesh biznesi dhe projekte konkrete.

Për rrjedhojë, papunësia është në rritje dhe e lartë, mundësitë e punësimit shumë të varfra e shpesh jo reale, rrjedhja e trurit dhe largimi i popullsisë maksimizohet. Faktet dhe shifrat e trishta të ekonomisë shqiptare e dëshmojnë këtë skenar.

Edhe tregjet e huaja bëhen skeptike dhe humbin besimin tek ekonomia, duke vënë në pah, rritjen e rrezikut te investimit e financimit të ekonomisë në krizë, në këtë rast, ekonomisë shqiptare.

Rritja ekonomike e evidentuar ne shifrën 3.4% është anemike të përballojë zhvillimin e shëndetshëm dhe të vazhduar të ekonomisë, të përballojë papunësinë e lartë dhe të ofrojë punësim të qëndrueshëm e konsistent.

Burimet e rritjes ekonomike në Shqipëri s’janë tradicionalet, por projekti i gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), me efekt pozitiv, por vetëm në këto dy vite, sa të mbarojë shtrimi i tubacioneve, punësim të përkohshëm gjatë kohës së realizimit të tij, e nuk jep efekt të vazhdueshëm në shtim punësimi nëpërmjet rritjes së produktivitetit e konkurrueshmërisë.

Po ashtu, edhe projekti i HEC-it të Devollit, projekt i filluar që në vitin 2007 dhe që tani jep efektin më të madh në rritjen ekonomike.

Ulja e besimit si tek konsumatori dhe investitori, kanë ulur konsumin, efekt mjaft negativ për ekonominë me çmime  të shportës, zërit të ushqimeve të rritura, (+3.6% sipas INSTAT).

Korrupsioni galopant e bërtitës, kanabizimi i ekonomisë ka atrofizuar bizneset, numri i bizneseve joaktive sipas Drejtorisë së Tatimeve, në pesë muaj është rritur me 10.000.

Një sërë biznesesh të huaja janë mbyllur ose janë larguar nga vendi dhe një pjese e mirë shitur pjesën e tyre.

Pra, kjo situatë ekonomike disa-vjeçare, patjetër që rëgjohet nga kriza politike.

Biznesi doli së fundmi publikisht dhe kërkoi stabilitet nga politika dhe garanci për ushtrimin e aktivitetit të tij. Si do ta komentonit këtë qëndrim të tij?

Biznesi natyrisht kërkon stabilitet nga qeverisja dhe politika.

Marrëveshja politike e momentit pritet që të riktheje besimin e biznesit dhe kthimin e vëmendjes tek projektet e lëna mënjane apo anuluara.

Vendosja e rregullave të qarta e të qëndrueshme të lojës, politikat nxitëse për biznesin e klima konkurruese në rajon e më përtej e të bërit biznes, janë kërkesa legjitime dhe të domosdoshme për mbarëvajtjen e biznesit.

Zgjedhjet e lira dhe cilësore patjetër që ndikojnë në rritjen e besimit dhe sigurisë për biznesin, por nuk mjaftojnë.

Në prag të fushatës elektorale, cilat janë platformat e munguara ekonomike deri tani që sipas jush i duhen paraqitur elektoratit?

Platformat ekonomike e partive politike janë ato që do ta bëjnë biznesin jo vetëm të rrisë optimizmin, por edhe të mendojë seriozisht për të kaluar në investime të reja apo për të zgjeruar aktivitetet ekzistuese.

Biznesi sot, pret të marre si oferta nga partitë politike, në garë, programe ekonomike të qarta, mbështetës dhe pasqyrues të kërkesave dhe nevojave të parashtruara nga biznesi në konsulta e tryeza diskutimesh.

Biznesit i duhet një barrë fiskale e reduktuar, me taksa më të ulëta se vendet e rajonit e nxitëse për të thithur investimet e huaja si nga vendet fqinje e më përtej, dhe investimet vendase.

Biznesit i duhen çmime të përballueshme dhe të qëndrueshme energjie, konkurrencë e ndershme në tregje e në të bërit biznes, politika, ligje e rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, jo klienteliste e të lëvizshme.

I duhen politika nxitëse për investime të qëndrueshme prodhuese, i duhen më shumë investime publike mbështetëse për biznesin e për rritjen e cilësisë së jetesës, i duhen financa të stabilizuara e borxh publik i ulët, për të ulur rrezikun e për të krijuar ekuilibra të qëndrueshëm.

Biznesi pret siguri e mbrojtje nga krimi e gjobat e tij, pret fuqi punëtore të kualifikuar, që të mund të përballojë sfidat e projekteve dhe investimeve të reja.

Pret një klime biznesi me burokraci minimale dhe shërbesa publike maksimale, pret transparencë e cilësi nga administrua e paguar nga taksat e tij dhe të individëve.

Mbështetja dhe nxitja e mikro-bizneseve familjare, si burime të rëndësishme punësimi, forcimi i dialogut konstruktiv midis biznesit, qeverise dhe aktorëve të tjerë ndërveprues, koordinimi i politikave të qëndrueshme e nxitëse, fiskale, me ato monetare, forcimi i besimit të konsumatorit e investitorit, konkurrueshmëria e ekonomisë shqiptare, mundësi reale për investime të qenësishme shqiptare e të huaja, mbështetje e sektorëve prodhues që gjenerojnë punësim e tj, janë ç’ka pret biznesi nga programet e partive politike në këto zgjedhje kaq intriguese.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: