TË MIRAT DHE TË KËQIJAT E MARRËVESHJES RAMA-BASHA - Nga ROLAND QAFOKU

TË MIRAT DHE TË KËQIJAT E MARRËVESHJES RAMA-BASHA - Nga ROLAND QAFOKU
Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E prisnim si uji i pakët marrëveshjen mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës dhe tani që kanë kaluar 4 ditë nga ora 01:10 e 18 majit, mund të bëjmë pa etje bilancin e saj. Pas rrëzimit të sistemit komunist, kjo është marrëveshja e gjashtë e madhe mes PS-së dhe PD-së.

E para ishte marrëveshja e qeverisë së Stabilitetit Më 1991 që solli një qeveri me bazë të gjerë me kryeministër Ylli Bufin e PS, zëvendëskryeministër Gramoz Pashkon e PD dhe ministra nga PS e PD, por edhe nga disa parti të tjera.

E dyta ishte marrëveshja e 9 marsit 1997 që solli qeverinë e Pajtimit Kombëtar me kryeministër Bashkim Finon e PS dhe ministra nga PS, PD por edhe parti të tjera.

E treta ishte marrëveshja mes Fatos Nanos dhe Sali Berishës në 2002 që solli presidentin konsensual Alfred Moisiu, por edhe një sërë reformash sidomos ajo zgjedhore në dobi të vendit.

E katërta ishte marrëveshja mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryeopozitarit Edi Rama për shtyrjen e zgjedhjeve lokale në shkurt 2007 për të famshmen certifikatë.

E pesta ishte marrëveshja më 21 prill 2008 mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryeopozitarit Edi Rama që solli ndryshimet e çuditshme të kushtetutës në dëm të partive të vogla, mënyrën e re të sistemit zgjedhor me listat e mbyllura të kandidatëve.

Ndërsa marrëveshja e 18 majit është e prirur të sjellë ndryshime të ndjeshme në monitorimin e zgjedhjeve, miratimin e vijimësisë së reformës në drejtësi pavarësisht që qeveria e re e kompozuar me teknicienë të djathtë me kryeministrin që nuk lëviz, ngjan të jetë vërtetë një qeveri hidraulike siç e artikuloi vetë kryeministri Edi Rama.

Por cilat janë të mirat e kësaj marrëveshje dhe çfarë avantazhesh dhe disavantazhesh ka ajo për vendin dhe për demokracinë e brishtë në Shqipëri?

TË MIRAT E MARRËVESHJES

Shmangia e trazirave

Nga 18 shkurti deri në 18 maj Shqipëria kaloi një situatë të nderë. Kriza politike dalëngadalë i ngjau topit të dëborës që rrokullisej e që sa vinte e rritej duke marrë me vete gjithçka që kishte duke u bërë reminishencë më negative e situatave të kaluara. Nuk ishin të paktë ata që janë shprehur se Shqipëria për të disatën herë në këto 27 vjet ishte në prag të greminës, se situata mund të rrëshkiste në destabilitet dhe trazirat e marsit 1991, e marsit 1997, e 14 shtatorit 1998, e 21 janarit 2011 po përmendeshin jo thjesht si memorie por si një situatë që realisht mund të përsëritej. Fraza “revolucion demokratik”, “do tu tërheqim zvarrë”, “do t’ju shporrim nga zyra” e të tjera si këto ishin parathënie trazirash dhe këto kishin nisur të sillnin pasoja në ekonomi, turizëm dhe sfera të tjera të jetës..

Por marrëveshja e 18 majit i fashiti të gjitha. Rama dhe Basha arritën të bëjnë për herë të parë si liderë të rinj një kompromis të madh pikërisht atëherë kur nuk pritej dhe sado të gjejmë cene, por edhe pse ishin ata të dy fajtorë të situatës së ngarkuar, Rama dhe Basha kanë një meritë jo të vogël: Ndaluan që Shqipëria të kalonte në destabilitet që do të kishte pasoja fatale.

Një kompromis i nevojshëm

Edi Rama dhe Lulzim Basha janë dy liderët e rinj që zëvendësuan Fatos Nanon dhe Sali Berishën në krye të dy partive më të rëndësishme në Shqipëri. Rama 53 dhe Basha 43 vjeç, në një farë forme kaluan provën e parë të madhe se si zgjidhet një krizë reale. Përveç shmangies së trazirave ky kompromis ishte mëse i nevojshëm për t’iu treguar të dy politikanëve se nuk janë vetëm armiq të egër politikë që dinë vetëm të shajnë njëri-tjetrin nga mëngjesi në darkë, të tensionojnë dhe ta mbajnë vendin alert por edhe të bëjnë kompromis në dobi të qytetarëve të vet. Ky do jetë një model që edhe kur Basha të jetë në pushtet ka më shumë mundësi t’i kthejë reston kundërshtarit politik duke bërë kompromise mbi bazën e një precedenti si ky. Ndonëse ishin të huajt, ndërmjetës dhe negociatorë, Rama dhe Basha kanë një meritë që finalen e zgjidhën po vetë. Dhe kjo nuk është pak.

Garantimi i zgjedhjeve parlamentare

E treta në renditje, por e para fare për nga rëndësia, kompromisi dhe marrëveshja arriti një qëllim tejet të rëndësishëm: Garantimin e zgjedhjeve parlamentare. Me një situatë në kufijtë e rrezikut kombëtar për shkak të rritjes së kultivimit dhe trafikut të kanabisit në rritje, jo vetëm opozita, por edhe shoqëria civile dhe media kanë dhënë alarmin se paratë e drogës janë gati për tu hedhur në qarkullim gjatë fushatës. Kulmi i të dhënave ishte kapja e tonelatave në Shqipëri dhe Itali, por kulmi i kulmeve është një raport që SHISH ka hartuar sipas të cilit në janar 2017 në Shqipëri janë futur 21 tonë farë kanabis. Por tashmë kompromisi i arritur padyshim që do të ketë shumë efekt. Ai do të rrisë kontrollin deri në detaj ndaj këtij fenomeni, rrjedhimisht të paktën nëse zbatohen ato që janë shkruar në letër, kanabisi dhe fushata elektorale nuk do të kenë asnjë lidhje dhe në këtë mënyrë zgjedhjet do të jenë të garantuara. Për më tepër që me këtë kontroll, në fund të zgjedhjeve opozita nuk mund të ketë alibi nëse i humbet ato.

Realizimi i reformës në drejtësi

Nëse kishte një arsye të madhe kriza politike në Shqipëri ajo ishte reforma në drejtësi. E miratuar në korrik të vitit të kaluar me 140 vota në Kuvend, për një vit ajo mbeti vetëm në parim. Përgjatë kësaj kohe ajo u bllokua plotësisht dhe vettingu u kthye në ngërçin numër një. Në këtë mënyrë, arritja e marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës për zhbllokimin e kësaj reforme është një arritje e madhe që do të thotë se tashmë nis ngritja e institucioneve të saj për të plotësuar në kohë rekord kohën e humbur me krizën politike.

Qetësimi i Ballkanit

Për BE-në dhe SHBA-në nuk është hera e parë që aksi Prishtinë-Shkup-Tiranë është nën ethe. Tensionet e shumta mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe Malit të Zi me vijën e demarkacionit, me arrestimin e Ramush Haradinajt, me përplasjet e opozitës me qeverinë, iu shtuan edhe problemet mes shqiptarëve dhe maqedonasve në republikën FYROM. Dhe sikur këto të mos mjaftonin, në Tiranë u ngjall sërish konflikti politik që herë zgjidhet e herë fle dhe çuditërisht shpërthen sa herë në Ballkan ka një vatër tjetër trazire. Ndodhur në këtë situatë, emisarët e BE-së dhe SHBA-së nuk do të donin kurrë një situatë plus në Tiranë mes shqiptarëve dhe shqiptarëve, ndryshe nga ajo në Kosovë mes shqiptarëve dhe serbëve dhe në Maqedoni mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kështu, shuarja e konfliktit politik në Tiranë nëpërmjet marrëveshjes Rama-Basha, është njëkohësisht një kokëçarje më pak për Perëndimin, por edhe një Ballkan më i qetë.

TË KËQIAT E MARRËVESHJES

Precedenti për shtyrjen e zgjedhjeve

Tashmë në Shqipëri çdo qeveri duhet të përgatitet që opozita mund t’ia “nxijë” jetën asaj, mjafton të vendosë një çadër në bulevard, të kërkojë ministrat e vet teknikë, të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve, rrjedhimisht të shkaktojë një krizë politike dhe këtë gjë mund ta arrijë pa më të voglin problem. Shqipëria e kishte një precedent për zgjedhjet lokale të vitit 2007, por me shtyrjen e zgjedhjeve aktuale “kompletohet” edhe me zgjedhjet parlamentare. Kjo krijon një precedent të rrezikshëm që çdo partie në opozitë i jep të drejtën të kujtojë dhe kërkojë atë që u arrit në 2007, por edhe në 18 maj të këtij viti.

Ku është opozita?

Me gjashtë ministra dhe një zëvendëskryeministër, si dhe me pesë drejtori të rëndësishme në administratë, vërtet qeveria teknike e Edi Ramës ngjan të jetë hidraulike siç tallej kur replikonte me kërkesën e Lulzim Bashës. Imagjinoni nisjen e punës së ministrave që do të caktojë PD. A do të kemi denoncime nga opozita për punën në këto gjashtë ministri? A do të kemi publikime të shifrave dhe të dhënave nga ministria e Brendshme për krimin, luftën ndaj kanabisit, etj.? Natyrisht që PD nuk mund të denoncojë ministrin e vet apo edhe drejtoritë në krye të së cilës janë ata që ka caktuar vetë. Natyrisht as PS nuk mund ta bëjë një gjë të tillë. Aq e theksuar mund të bëhej kjo sa një ditë do të na marrë malli dhe do të themi: Ku është opozita?

Dominimi i PS-PD dhe mënjanimi i LSI

Ka kohë që politika shqiptare është trepolare. Në vitin 2002, i pari që e deklaroi këtë ishte Sali Berisha kur tha se Fatos Nano, Sali Berisha dhe Ilir Meta ishin perustia e politikës shqiptare. Por marrëveshja mes Ramës dhe Bashës, për hir të vërtetës ka sjellë një dobësim të LSI. Këtu duhet t’i shtojmë edhe faktin që Rama “e dërgoi” Ilir Metën në Presidencë dhe LSI me Petrit Vasilin nuk është njësoj si me kryetar Ilir Metën. LSI dhe vetë Meta në këto moment e kanë kundërshtuar këtë konkluzion, por në këtë situatë vetëm një të vërtetë ka: LSI pritet të jetë shumë herë më e motivuar në këto kushte që për hir të koalicionit, PS-LSI të ruhen për të mos nxjerrë lakrat e qeverisë në shesh. Madje LSI ka edhe një avantazh tjetër. Ajo mund të kthehet partia reale opozitare duke shigjetuar dy të mëdhenjtë PS e PD, si fajtorët e mëdhenj të situatave.

Zhdukja e partive të vogla.

Sa nuk kishim një marrëveshje, partitë e vogla ishin aq të preferuara për partitë e mëdha. Por sapo u arrit kompromisi, si PD dhe PS, nuk ia kanë nevojën. Për PD, vendosja në lista të kryetarëve është një zgjidhje, por jo aq e saktë. Sepse partitë aleate mund të zgjeronin më shumë spektrin e tyre, rrjedhimisht nuk mund të kufizohen vetëm te kryetari si i vetmi deputet i sigurt. Me një kryetar në Parlament pritet që dinamizmi i partive të vogla të jetë më i ulët edhe për faktin se atyre u ndalohet gati me vendim që të kenë dy deputetë. Këtu nuk përmendim të vegjlit e të vegjëlve që praktikisht janë zhdukur dhe nuk do të kenë mundësi as të futen në zgjedhje.

Ministrat teknikë pa teknikalitete

Ka një habi në ministritë që do të jenë me drejtues teknikë. Përse dhe si duhet t’i quajmë emrat që përzgjidhen. I propozon Basha, por nuk janë të PD. I pranon Rama, por nuk janë as të PS. Po a ka ndonjë emër të përveçëm në Shqipëri që nuk ia dimë mirë bindjet dhe anësitë politike? Cili është ky i paprekur politikisht dhe i paanshëm matematikisht. Për më tepër cili është ky teknicien që bëhet garant i zgjedhjeve kur nuk ka në dorë asgjë tjetër përveç dylbive dhe kamerave vëzhguese? Vërtetë do të ishte e jashtëzakonshme nëse këta të gjashtë do kenë sukses.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: