Tërmeti në Bulqizë, dëmtohen banesa dhe shkolla

Tërmeti në Bulqizë, dëmtohen banesa dhe shkolla
Tërmeti që ra të mërkurën, me epiqendër pranë Bulqizës, ka shkaktuar dëme në disa fshatra. Përveç ankthit dhe frikës për përsëritje të lëkundjeve të tokës, muret e plasaritura janë disa prej pasojave që po trembin banorët.

Lëkundjet e tërmetit të një ditë më parë me epiqendër në fshatin Vinjoll në Bashkinë Mat janë ndier në territorin e qarkut Dibër, Tiranë dhe Elbasan.

Sipas informacioneve të marra nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile gjatë 24 orëve të kaluara nga pushteti vendor dhe Institucioni i Prefektit nuk raportohet për persona të lënduar.

Grupet e verifikimit në terren të ngritura menjëherë nga Njësitë Vendore kanë konstatuar se tërmeti ka shkaktuar dëme të pjesshme në disa objekte në Bashkinë Bulqizë dhe Klos, të qarkut të Dibrës.

Dëmet e shkaktuara në Bashkinë Bulqizë:

Shkolla e mesme e bashkuar ‘’Asllan Keta’’, njësia administrative Fushë Bulqizë, shkolla 9-vjeçare "Godvi", njësia administrative Zerqan dhe shkollat 9-vjeçare "Xhevdet Doda" dhe ‘’Shefqet Pançi’’ në qytetin e Bulqizës kanë pasur dëmtime të lehta, por objektet nuk paraqesin probleme dhe procesi i mësimdhënies vijon normalisht.

Qendra Shëndetësore në fshatin Zerqan, njësia administrative Zerqan, ka pasur çarje të mureve dhe dëmtim në tavanin e  saj. Objekti është i amortizuar ndër vite dhe lëkundjet e tërmetit kanë sjellë dëmtim të pjesshëm të tij, duke bërë që të mos funksionojë normalisht.

Dëmet e shkaktuara në Bashkinë Klos:

Në njësinë administrative Xibër është dëmtuar banesa e shtetasit H.A e cila është bërë e pa banueshme.

Në fshatrat  Gur i Bardhë, Xibër, Kurdari, Kurqelaj dhe në Shëngjun, kanë pësuar çarje të mureve 7 banesa.

Grupet e punës po kryejnë verifikimet në terren edhe gjatë ditës së sotme do të përcaktojnë plotësisht dëmet në total të shkaktuara nga tërmeti i ditës së djeshme. /e.g/

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: