Testi i arsimtarëve, 6% “ngelin në klasë”

Testi i arsimtarëve, 6% “ngelin në klasë”
Të dhënat tregojnë një rritje të cilësisë së mësuesve që marrin pjesë në testimin e kualifikimit, por ka ende mësues jashtë profilit. Në cilat lëndë dhe cilat zona janë rezultatet më të mira dhe në cilat janë më të dobëta. Ku dallojnë në përgjigje “të vjetrit” nga “të rinjtë”

Niveli i arsimtarëve është padyshim një nga treguesit më të rëndësishëm të nivelit të arsimit në çdo vend. Në testet e kualifikimit, të cilat zhvillohen çdo vit pranë Institutit të Zhvillimit të Arsimit, prej disa vitesh shfaqet tendenca e rritjes së kësaj cilësie. Po cilat janë arsyet? Në cilët sektorë janë vërejtur të metat më të mëdha dhe si po riparohen? Për t’u informuar për këto problematika, “Albanian Free Press zhvilloi një bisedë me përgjegjësen e sektorit të kualifikimit të mësuesve në IZHA, Dorina Rapti, e cila dha detaje për këtë proces.

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Këto ditë ka përfunduar vlerësimi i arsimtarëve në testin që u organizua në prill. Cila është tendenca e cilësisë së tyre, duke e krahasuar me vite të kaluara?

Testi i kualifikimit të arsimtarëve ka si qëllim marrjen e titujve mësues i kualifikuar, me 5 vjet punë, mësues specialist me 10 vjet punë dhe mësues mjeshtër, me 20 vjet punë. Këto janë tre kategoritë e arsimtarëve, sipas kualifikimit të tyre. Duke filluar nga viti 2007, kjo realizohet nëpërmjet procesit të testimit.

Në testimin e këtij viti morën pjesë 3100 arsimtarë, të ndarë në ciklin fillor, të mesëm të ulët (klasa 6-9) dhe arsimi i mesëm i lartë (klasa 10-12). Edhe pyetjet e testit janë të ndara sipas cikleve dhe, padyshim, edhe sipas lëndëve. Pra ndryshe është testi i matematikës për një mësues të ciklit të mesëm të ulët në krahasim me testin për mësuesin e ciklit të mesëm të lartë.

Gjithsej janë 39 lloje të ndryshme testesh, të ndara sipas lëndëve dhe cikleve.

Vit pas viti, edhe cilësia e testit është përmirësuar, derisa kemi arritur në nivelin e sotëm, ku përfshihet edhe pjesa e përgjithshme. Por njëkohësisht është vërejtur edhe rritje e cilësisë së arsimtarëve që marrin pjesë në testime, nivel që po vjen në rritje nga viti në vit

Cilat janë të dhënat konkrete nga rezultatet e testimit?

Të dhënat nuk janë përfundimtare, pasi janë ende në proces përpunimi. Rezultatet e para tregojnë nivelin e kalueshmërisë që ka arritur në 94%. Kjo pasi, ka disa kritere për të arritur kalueshmërinë.

Pikët totale të testit bashkohen me pikët e dosjes së dorëzuar në drejtoritë arsimore dhe me bonuset.

Vetë testi është i ndërtuar në dy pjesë. Pjesa e parë teston formimin e përgjithshëm të mësuesit. Këto pyetje, që kanë 30 pikë, testojnë njohuritë mbi kurrikulën, metodologjinë, komunikimin, etikën, drejtshkrimin, programin, dokumentacionin etj. Pjesa e dytë, është pjesa shkencore, sipas profilit që ata kanë, 40 pikë. Ndërsa 30 pikë i ka portofoli dhe bonuset, të ndara në 15 pikë për dosjen që dorëzohet dhe 15 të tjera bonuset, duke përfshirë edhe gjuhët e huaja. Në total janë 100 pikë.

Për të kaluar me sukses, duhet të marrësh minimumin e pikëve në të gjitha pjesët e testit. Ky minimum është 40%.

Ata që nuk e kanë plotësuar minimumin janë më tepër mësues jashtë profilit, në zona të thella ku, për shkak të vështirësive infrastrukturore, nuk është arritur të zëvendësohen me mësues të profilit, por ka edhe zona ku nuk pranon të shkojë njeri. Ata kanë gjithsesi profile të përafërta, por kanë vështirësi në test për profilin ku testohen.

A kanë ndonjë avantazh mësuesit që dalin me rezultate shumë të mira apo të shkëlqyera?

Mësuesit që dalin shumë mirë ose shkëlqyeshëm kanë prioritet për të kryer role të ndryshme në shkollë, si roli i mentorit. Por janë të favorizuar edhe për rritjen në detyrë. Është një nga kriteret për t’u emëruar si drejtor apo nëndrejtor. Por nuk ka ndryshim në pagë.

Nga viti në vit konstatojmë një rritje të nivelit të arsimtarëve. Tendenca vërehet në rritjen e numrit të arsimtarëve që marrin vlerësime si shumë mirë apo shkëlqyeshëm.

Mos ka ndodhur të jetë ulur niveli i testit dhe si rrjedhim rritja cilësore të jetë fiktive?

Niveli i testit, të paktën që nga viti 2010 e këtej është i njëjti. Testet kanë një format dhe nivelet e vështirësisë janë të përcaktuara duke vendosur pyetje të niveleve të ndryshme. Ka një formulë se si përzgjidhen pyetjet e ndara sipas niveleve dhe kjo formulë është konstante në vite.

Po si e shpjegoni ju këtë rritje të nivelit të kualifikimit të mësuesve?

Mënyra e organizimit ka qenë ndryshe dhe mësuesit më përpara kanë qenë si të përgjumur. Futja e testit si metodologji ka bërë që arsimtarët të jenë shumë më të interesuar për rritjen e nivelit të tyre të kualifikimit. Jo vetëm që mësuesit punojnë më shumë, lexojnë më shumë, por kanë patur në dispozicion edhe shumë trajnime që i ndihmojnë në këtë drejtim.

Rritja e nivelit është konstatuar më shumë tek mësuesit e rinj apo ata më të vjetër?

Ka një dukuri që duhet evidentuar. Mësuesit e rinj janë më të përgatitur në pjesën e përgjithshme të testit, pasi që në universitet janë njohur me çështje të dokumentacionit, metodologjisë, etikës etj. Por kanë vështirësi në pjesën shkencore, për shkak të mungesës së eksperiencës. Pikërisht mësuesit e rinj kanë rritur rezultatin e përgjithshëm, për arsye të rezultateve më të mira në pjesën e përgjithshme.

Por nga bisedat me pedagogë të universiteteve ata kanë shprehur shqetësimin se niveli i studentëve po vjen në ulje. A nuk ka këtu një kontradiksion?

Pjesët e kurrikulës janë lëndë në fakultet, pra studentët janë të detyruar ta prekin këtë pjesë dhe kjo ka të bëjë me atë që unë thashë më lart, me pyetjet e pjesës së përgjithshme të testit. Ajo që thonë pedagogët, ndoshta ka të bëjë me anën shkencore. Unë e thashë edhe më parë, në pjesën shkencore të testit këta arsimtarë të rinj kanë shumë probleme.

Po mësuesit e vjetër?

Ata janë përgjithësisht të konsoliduar në pjesën shkencore, ndërsa në pjesën e përgjithshme, ku fillimisht kanë patur probleme, kanë ardhur duke u përmirësuar nga viti në vit. Edhe kjo është një faktor që ka ndikuar në rritjen e rezultatit të përgjithshëm, pasi ka rritje të ndjeshme.

Si shfaqet cilësia e arsimtarëve sipas zonave gjeografike?

Rrethet e mëdha kanë rezultate më të mira, si Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra. Zonat ku ka më shumë probleme janë edhe zonat me më shumë vështirësi infrastrukture si Dibra dhe Kukësi.

Po sipas lëndëve, si është cilësia e arsimtarëve që i nënshtrohen testit?

Dominojnë lëndët shoqërore, gjuha shqipe, gjuhët e huaja, filozofia, shkencat sociale, ndërsa më dobët janë lëndët e shkencave ekzakte dhe edukimi fizik.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: