VETËM 10 MANDATE JANË NË LOJË... - Nga EDUARD ZALOSHNJA

VETËM 10 MANDATE JANË NË LOJË... - Nga EDUARD ZALOSHNJA
Nga EDUARD ZALOSHNJA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Para zgjedhjeve të 2013-ës, në një televizion privat kombëtar, kam publikuar një projeksion të mandateve, bazuar në votat e partive në zgjedhjet parlamentare paraardhëse. Nga ai projeksion, rezultonte se koalicioni i majtë kishte praktikisht të sigurta 73 mandate, ndërsa 10 mandate ishin të diskutueshme. Pas atyre zgjedhjeve, rezultoi se, falë aftësisë elektorale që LSI-ja tregoi në thithjen e votave të djathta, të dhjeta ato mandate të diskutueshme u fituan nga e majta. (Një befasi e vërtetë statistikore do të kishte qenë një mandat shtesë në Kukës, të cilin e majta mund ta kishte fituar nëse do të kishte marrë në atë qark vetëm... 34 vota më tepër).

Edhe në zgjedhjet e sivjetshme, pavarësisht se partitë nuk janë grumbulluar në koalicione të mëdha (si para katër vjetësh), duket se në lojë do të jenë vetëm 10 mandate parlamentare – 130 të tjera, me gjasa të mëdha, janë të paracaktuara nga historia elektorale e zgjedhjeve parlamentare.

Kështu, në qarqet e vogla Kukës e Gjirokastër, historia e zgjedhjeve parlamentare na tregon se rezultati është praktikisht i paracaktuar. Në Kukës, ku sivjet zgjidhen vetëm 3 deputetë, pritet një rezultat 2-1 për PD-në. Ndërsa në Gjirokastër, pritet një rezultat 3-1-1 (PS-PD-LSI). Një rezultat ndryshe nga të mësipërmit, në njërin nga dy qarqet e vegjël, do të përbënte një befasi të jashtëzakonshme statistikore.

Ndërsa në 10 qarqet e tjera, mandati i fundit i çdo qarku është në diskutim mes partive të ndryshme në garë.

Kështu, në Tiranë, mandati i 34-të, me shumë gjasa, do të jetë në diskutim mes PS-së, PD-së, LSI-së, PDIU-së dhe LIBRA-s. Në Fier, mandati i 16-të, me shumë gjasa, do të jetë në diskutim mes PS-së, PD-së, dhe LSI-së. Në Elbasan, mandati i 14-të, me shumë gjasa, do të jetë në diskutim mes PS-së, PD-së dhe LSI-së. Në Korçë, mandati i 11-të, me shumë gjasa, do të jetë në diskutim mes PS-së, PD-së dhe LSI-së.

E kështu me radhë…

Po si është shpërndarja e 130 mandateve pothuajse të paracaktuara nga rezultatet e zgjedhjeve parlamentare paraardhëse? Tabela e mëposhtme ia jep përgjigjen kësaj pyetjeje.

Tabela

Shpërndarja e 130 mandateve të paracaktuara nga historia e zgjedhjeve parlamentare

--------------------------------------------------------------------------------------------

PARTIA         MANDATET

PS                    65

PD                   52

LSI                  10

PDIU              2

PSD                 1

--------------------------------------------------------------------------------------------

Analiza e mësipërme na tregon se, që ta sigurojë shifrën magjike të 71 mandateve, partia e parë në tabelën e mësipërme (PS-ja) duhet të fitojë 6 nga 10 mandatet në diskutim. Dhe këtë gjë mund ta arrijë vetëm nëse do të tërheqë drejt saj shumicën dërrmuese të zgjedhësve që kanë votuar në të shkuarën për të ose për një nga partitë satelite të saj, ndërkohë që konkurrentët mund të pësojnë rrjedhje sado të vogla.

Nga ana tjetër, një rrjedhje votash të majta drejt partive në garë me të (të reja apo të vjetra), mund të rezultojë asgjësuese për objektivin e sigurimit të 71-shit magjik...

Shënim: Termat “e majtë” dhe “e djathtë” janë përdorur në këtë shkrim, sipas përkufizimit të tyre popullor në Shqipëri. Në filozofinë politike, këto terma kanë një kuptim të ndryshëm.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: