VIJAT, EDHE KËTU, I NDAN DONALD TRUMP - Nga FRROK ÇUPI

VIJAT, EDHE KËTU, I NDAN DONALD TRUMP - Nga FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Është hera e dytë që Tirana vihet në fokusin ‘Trump’.

Hera e parë është ‘harruar’, ajo ndodhi në tetorin e vitit 2016 kur kryeministri i Shqipërisë i bëri thirrje Amerikës që të ‘eliminonte’ zotin Trump nga Presidenca e Amerikës. I vetmi rast në botë.

Hera e dytë është kjo, kur Opozita e vendit e angazhuar në protestë kundër elitës demagogjike, po kërkon ‘Republikën e re’, me zgjedhje ‘të lira dhe pa krim’ shtetëror. Njerëzit, që në fillim kanë perceptuar se ‘te Çadra’ përplasen vija pro- Trump dhe vija anti-Trump. Te Protesta njerëzit shikojnë ‘Trump’, (dmth., Brexit, Francë dhe ‘Fraxit’, rënien e BE, etj); ndërsa përballë elitat e vjetra që po lëkunden në Europë.

Sado që maxhoranca bën sikur ka në dorë ‘edhe diellin, edhe shiun’, e ka të pamundur të fitojë kundër protestës së opozitës. Maxhoranca ka gabuar disa herë duke e quajtur ‘fitoren të sigurt’, ose duke thënë se ‘ka një milionë shuplaka’, ose duke thënë se ‘majtistët janë numër më i madh’, në Shqipëri. Fenomeni nuk ndodh gjithnjë siç ndodh shifra; shifrat vjetrohen, ndërsa fenomeni ndodh në sekondë... A nuk ndodhi në Amerikë? Liberalët majtistë ishin shpallur të gjithëpushtueshëm, por nuk fitoi Hillary. Kishin shpallur edhe se Hillary ‘kishte mbledhur më shumë’ fonde. Kishin shpallur prej kohësh se vetë miliarderi Soros ishte në anë të tyre...

Në Shqipëri mund të humbë kauza e opozitës(!); por vetëm në qoftë se humb fenomeni ‘Trump”. Edhe kjo mund të ndodhë, por sikur mazhoranca ta mbajë shpresën në rënien e fenomenit Trump në Botë, atëherë mund të shpallet një qeveri që ‘tradhton kombin’ e vet. Në fillim e tradhton duke ‘u lutur’ për humbjen’ e aleatit më të madh të kombit; pastaj duke e çuar ‘lëngatën’ politike të vendit deri në një pikë pa fund kur ‘mund të ndodhë humbja Trump’.

Për vëzhgues të kujdesshëm politik, ka disa sinjale të ‘betejës’ botërore që zhvillohet në Tiranë.

Dy sinjalet nga Europa, brenda një jave:

Në fillim vizita e ministrit gjerman majtist, Gabriel. Ai bëri deklarata të sforcuara anti- demokratike, duke ‘urdhëruar’ opozitën që të braktisë protestën. Vetë majtistët shqiptarë të përqendruar në LSI, nuk e pranuan, madje e quajtën ‘over’. Shumë njerëz kërkuan arsyen ‘pse?’ e bëri deklaratën ministri gjerman. Sot ai ka deklaruar në Gjermani ‘antipatinë’ e tij personale ndaj presidentit Trump. Ka sulmuar Ivanka Trump ‘pse e priti Gjkermania si mbretëreshë’ dhe praninë e saj në Shtëpinë e Bardhë... Me sa duket tensioni i majtistëve nuk mban më ndaj fenomenit Trump. Fillimisht shpërtheu këtu në Tiranë, pastaj në Berlin.

Sinjali i rrëzimit të Brexit dhe lidhja me Tiranën:

Para pesë ditësh, ish- kryeministri laburist Anglez, Tony Blair, ka vizituar Tiranën (kryeministrin), thuajse në fshehtësi, vetëm për dy orë. Pastaj ka ikur me nxitim. Në Londër është i angazhuar tmerrësisht fort kundër Brexit. Ka paguar 50 mijë aktivistë kundër Brexit. Në disa rajone ka plasur dhuna. Blair është një Soros i dytë londinez. Në mes të luftës ‘pro’ ose ‘kundër’ ku merr rrugë e nesërmja e BE, Blair hidhet në Tiranë ku ka çerdhen Soros. Tirana është ‘vendi që duhet mbajtur me thonj’ brenda të majtës që po shembet para fenomenit Trump- Ja, kjo është arsyeja pse kërcejnë në Tiranë anti- Trampistët.

Sinali i partive të majta që largohen nga e majta:

18 parti të spektrit të majtë që ndodheshin në koalicion me PS (Rilindje) në zgjedhjet e kaluara, nuk janë renditur me PS kësaj here. Madje as janë regjistruar për votime- gjë që i afron më shumë me Opozitën e cila ka refuzuar të marrë pjesë në zgjedhje ‘pa një qeveri teknike’. Pse ndodh kjo? Përsëri shfaqet raporti mes numrave dhe vlerës: Numerikisht 18 partitë e majta, që nga Partia e Punës dhe deri të G99, janë parti stikt të majta. Por fenomeni i një ‘majtizmi kaotik’ që po shfaqet në maxhorancën qeverisëse, i ka bërë që të hezitojnë të bashkohen me këtë. Ata akoma i besojnë se ‘politikisht duhet t’i shërbesh’ vendit, pavarësisht nga anësia politike. As majtistët shqiptarë (në përgjithësi) tashmë nuk mund të neglizhojnë aleatin më të madh të shqiptarëve- Shtetet e Bashkuara. T’i kthesh kurrizin presidentit Trump, do të thotë se këtë ke bërë me Amerikën- edhe sipas idesë së të majtëve që po flasim.

Sinjali i rezistencës ‘deri në fund’ nga opozita:

Edhe sot kryetari i Opozitës, Lulzim Basha, i dëshmoi publikisht qeverisë ‘Rama’ se nuk tërhiqet dhe se do të përballet me vërshimin popullor. As ministri Gabriel, as Mogehrini, as Flenckenstein..., askush nuk e trembi në emër të “BE”. Opozita po guxon deri ‘në fund’, pavarësisht se qeveria deklaron popullin ‘i majtë’ edhe pas rrënimit që i shkaktoi komunizmi për gjysmë shekulli. Opozita guxon dhe duket se do të fitojë pa dyshim; më në fund- për shkak se përfaqëson ‘Trump’- këtë kuptojnë njerëzit. Nuk mund të rezistohet kaq fort para një situate me krim, me drogë dhe me 2 miliardë euro që blejnë njerëz, sikur të mos mbështetesh te fuqi e madhe.

Ose ka një mundësi ku ‘shpresohet’ njësoj si në letërsinë e fillimit të regjimit komunist ku hidheshin letra dhe bëheshin magji: ‘Fiton, s’fiton’ komunizmi!. Kësaj here shansi i qeverisë është humbja ‘Trump’. Por a ndodh?!

Këtu kalojnë vijat: Të presim apo të mos presim deri atëherë...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: