Vrapi sëmuret dhe braktis Vllazninë, Shaba: Tifozët e Tiranës, të shijojnë rënien në Shkodër

Vrapi sëmuret dhe braktis Vllazninë, Shaba: Tifozët e Tiranës, të shijojnë rënien në Shkodër
Endri Vrapi nuk e ka braktisur ekipin e tij, ndryshe nga Elis Bakaj, para përballjes me Tiranën. Mbrojtësi veteran ka munguar në stërvitje, sepse është i sëmurë. Vrapi ka festuar ditën e djeshme 35-vjetorin e lidnjes në Ulqin bashkë me ekipin, dhe një ditë më pas mësohet se ka qenë i sëmurë. U aludua se Vrapi e sajoi sëmundjen për të munguar ashtu si Bakaj, por kjo hipotezë u hodh poshtë nga mjekët.

Ai ka pasur temperaturë, 40 gradë, çka ka bërë që të rikthehet në Shkodër me mjekun e ekipit, Zyhdi Çota, për ekzaminime të mëtejshme mjekësore. Mjekët e kanë ekzaminuar Vrapin me bronkopneomeni, duke konfirmuar se ai e ka të pamundur të luajë ndaj Tiranës.

Nga kjo mungesë e papritur, Milota dhe Rahova, dy lojtarë të ekipit U-19 Vllaznia, i janë bashkuar me urgjencë ekipit të Armando Cungut në Ulqin. Sakaq, para ndeshjes së ditës së shtunë në “Loro Boriçi” për tifozët e Vllaznisë është vendosur që hyrja të jetë flas.

Duke qenë se në një ndeshje të kaluar ka pasur incidente mes tifozëve shkodranë dhe atyre bardheblu është hedhur ideja që këta të fundit të mos udhëtojnë drejt Shkodrës. Por Kujtim Shaba, ish-lojtar i viteve ’80 dhe ish-administratori i klubit shkodran është shprehur sot kundër kësaj ideje, por me ironi. Sipas tij Vllaznia duhet t’i lejojë tifozët e Tiranës të shijojnë rënien në një kategori më poshtë. Ai u shpreh i sigurt për mbijetesën e Vllaznisë, ndërsa shtoi se policia është ajo që duhet të marrë masat për të siguruar mbarëvajtjen e këtij takimi që vendos fatet e dy ekipeve për mbijetesë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: