Zvicra ndan edhe vëllezërit Ajeti me Shqipërinë

Zvicra ndan edhe vëllezërit Ajeti me Shqipërinë
Pas vëllezërve Granit dhe Taulant Xhaka, Shqipëria dhe Zvicra mund të ndajnë dy vëllezër të tjerë me origjinë shqiptare. Albian Ajeti, sulmuesi 20 vjeçar që luan te St.Gallen pas huazimit nga Augsburg, po kalon një periudhë të shkëlqyer në kampionatin zviceran duke shënuar 10 gola në 20 ndeshje.

Mediat zvicerane raportojnë se ai po ndiqet me interes të veçantë nga Bazel, dhe mund të rikthehet te kampionët e Zvicrës pas këtij sezoni. Ajeti u formua te Basel si lojtar por u largua si lojtar i lirë në vitin 2016. Tashmë e ardhmja e lojtarit varet nga St. Gallen, që pagoi një milion euro te Augsburg, duke blerë kartonin e sulmuesit.

Por forma e Albian Ajetit nuk ka kaluar pa vëmendje nga trajneri i kombëtares së Zvicrës, Vladimir Petkovic. Mediat zvicerane raportojnë se ai i ka rezervuar një vend në listën prej 23 lojtarësh për dy ndeshjet e radhës, miqësores ndaj Bjellorusisë më 1 qershor dhe ndeshjes kualifikuese ndaj Ishujve Faroe më 10 qershor.

Arlind Ajeti është vëllai i vogël i mbrojtësit kuqezi Arlind Ajeti. Për shërbimet e tij më parë u interesua dhe Federata Shqiptare e Futbollit.

Më herët Shqipëria dhe Zvicra ndanë dy vëllezërit Xhaka. Me kombëtaren shqiptare aktivizohet Taulant Xhaka, ndërsa me ekipin kombëtar të Zvicrës Granit Xhaka.

Duket se të njëjtën rrugë do të ndjekin edhe dy vëllezërit Ajeti, por me një ndryshim, pasi Arlindi pritet të bashkohet me Zvicrën A, pasi Ajeti zgjodhi të përfaqësonte Kombëtaren e Gianni de Biasit.

Foto: Arlind dhe Albian Ajeti marrë nga faqja zyrtare e FC Basel

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: