Zyrtare, Gilman Lika kërkesë Tiranës, “Nuk luaj për rënien e Vllaznisë”

Zyrtare, Gilman Lika kërkesë Tiranës, “Nuk luaj për rënien e Vllaznisë”
Gilman Lika nuk do të jetë pjesë e Tiranës në përballjen e së shtunës ndaj Vllaznisë. Lojtar shkodran i bardhebluve ka vendosur të mos jetë pjesë e ekipit aktual në përballjen që vendos mbijetesën në Kategorinë Superiore, duke i bërë kërkesë zyrtare trajnerit Mirel Josa.

Gilman Lika veproi ashtu si Elis Bakaj, i cili në fillim të javës i bëri një kërkesë trajnerit Armando Cungu që  të mos jetë pjesë e Vllaznisë në përballjen me Tiranën.

Ndërkohë, Bakaj pas kërkesës i dha lamtumirë Vllaznisë dhe u kthye në kryeqytet, ku pret të mësojë të ardhmen e tij për sezonin e ri futbollistik.

Gilman Lika nuk doli sot në stërvitje me Tiranën dhe pranoi zyrtarisht për “Albanian Free Press”, mbi arsyen pas kërkesës zyrtare që ka bërë për të mos luajtur ndaj ish-ekipit të tij, Vllaznia.

Ndërkaq, Tirana pas seancës së sotme është vendosur në izolim të plotë para përballjes me Vllazninë, ndeshje që i vlen për mbijetesë në Kategorinë Superiore.  Drejtuesit e klubit dhe trajneri Mirel Josa kanë vendosur që bardheblutë të nisin grumbullimin nga kjo e mërkurë, për të qenë totalisht e fokusuar te sfida e së shtunës në “Loro Boriçi”. Për mbijetesë, Tiranës i duhet patjetër fitorja, por ky mision bëhet i vështirë sepse në një rast të tillë rrezikon rënien Vllaznia, një emër tjetër i madh i futbollit shqiptar.

Nga kampi bardheblu, përveç mungesës së Gilman Likës, mbetet ende e paqartë nëse Asion Daja do të rikuperohet deri në ditën e ndeshjes.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: