15 ARSYE, PËRSE LULZIM BASHA ËSHTË HUMBËSI I MADH I 25 QERSHORIT- NGA ROLAND QAFOKU

15 ARSYE, PËRSE LULZIM BASHA ËSHTË HUMBËSI I MADH I 25 QERSHORIT- NGA ROLAND QAFOKU
NGA ROLAND QAFOKU

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Edi Rama pritet të marrë një mandat të dytë si Kryeministri i 33-të në historinë e shtetit shqiptar. Leximi i rezultateve të votimit të 25 qershorit, ka një element të rëndësishëm, po aq sa fitorja e tij: Lulzim Basha është humbësi i madh i këtyre zgjedhjeve! Me rezultate skandaloze në shumë qarqe, shifra që PD-ja nuk i ka parë kurrë këto 27 vjet, me humbje terreni edhe në bastionet e padiskutueshme të PD-së, kryetarit të Partisë Demokratike i ka mbetur, thjesht, ta shpallë vetë dështimin e tij. Përse Lulzim Basha quhet humbësi i madh? Janë të paktën 15 arsye që humbja dhe dështimi i faturohen, ekskluzivisht, atij për këto zgjedhje.

1.Lulzim Basha nuk mundi të krijojë besim tek masa e Partisë Demokratike, edhe pse ka 4 vjet në krye të kësaj force politike. Ai nuk mundi të ngrejë dhe frymëzojë PD-në për ta udhëhequr në një betejë politike, - siç janë zgjedhjet parlamentare, - pas humbjeve, po aq të rënda, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe ato të pjesshme në disa bashki, si Korçë, Dibër dhe Kolonjë. Masa e demokratëve që e panë liderin e ri Basha më 24 korrik 2013, si yllin në ngritje dhe një pasardhës të denjë të Sali Berishës, u zhgënjyen dalëngadalë prej tij, duke humbur një mall që nuk mund të konvertohet me asgjë: Besimin!

2.Lulzim Basha gaboi rëndë kur në kulmin e kuotave të tij, pas 90 ditëve në çadër, bëri befas një marrëveshje aspak transparente, të dyshimtë, pa e diskutuar me asnjë forum në PD-së, - ende mbetet enigmë se çka biseduar në ato 5 orë, kokë më kokë, me kundërshtarin politik, Edi Rama.

3.Lulzim Basha gaboi si përherë, në këto katër vjet, me strukturat e Partisë Demokratike; duke i anashkaluar, duke marrë vendime të tipit “golden goal”, duke mos i dhënë kohë askujt t’i diskutojë ato. Kjo është bërë në mënyrë të përsëritur, në situata të shumta që nisin me protestat në rrugë, çadër, bojkoti i parlamentit e deri te hartimi i listave për kandidatë. Basha nuk ka mbledhur asnjë forum për të marrë vendime, - as formalisht e as realisht, - duke krijuar një raport aspak demokratik dhe transparent në PD.

4.Lulzim Basha gaboi me koordinatorët. Herë duke i afruar, herë duke i shmangur, Lulzim Basha ka gabuar në raportet e tij me koordinatorët kombëtarë dhe personal. Në fund, bëri një përzierje me ta, që vetëm ai mund ta dijë.

5.Lulzim Basha gaboi me listën e kandidatëve për deputetë në këto zgjedhje, e cila nuk kishte as kriter e as rregull të përcaktuar prej tij. Në të nuk ishin përfshirë emra legjendë të kësaj partie. Edhe sot, nuk ka një shpjegim se si në listë nuk ishte Jozefina Topalli, por rezultati skandaloz në Shkodër, është përgjigjja më e mirë. Edhe sot, nuk ka një shpjegim për mungesën e Astrit Patozit në listë; përgjigjja në Vlorë, është përgjigjja më e mirë.

6.Lulzim Basha gaboi me të rinjtë e PD-së të cilët kanë qenë zemra e kësaj partie. Jo vetëm nuk i futi në lista asnjë nga forumet drejtuese, - deri kryetarin e FRPD-së, - por nuk angazhoi në fushatë asnjë strukturë të këtij forumi. Të rinjtë që u futën në lista, nuk kanë kaluar në asnjë forum, - shembulli më i keq i Bashës. Kjo tregon raportet e kryetarit të PD-së me forumin rinor.

7.Lulzim Basha gaboi teksa, pas marrëveshjes me Edi Ramën, nuk deklaroi kurrë, qartësisht dhe prerë, nëse do të bënte apo jo koalicion me Edi Ramën. E tha, pak a shumë, në një formë se nuk do të bënte koalicion, por kishte kaluar kohë nga mungesa e kësaj deklarate dhe efektin e kishte bërë ndërkaq. Ithtarë të shumtë të PD-së, gati po besonin se Edi Rama do ta kishte varkë Partinë Demokratike, nëse nuk merrte 71 mandate. Kjo krijoi shumë konfuzion.

8.Lulzim Basha gaboi me programin, - ende nuk e dimë nëse ishte apo jo program. Fakti që, sipas tij, CDU ishte ideatorja dhe hartuesja e programit, nuk do të thoshte se kjo quhej e kryer. Ne nuk pamë asnjë diskutim, asnjë debat dhe asnjë aprovim apo kundërshtim tij brenda PD-së, veç kapakët e një dosje të vetme që reklamoi Basha në ekrane. Po se çfarë shkruhej në të, vetëm ai dhe pak njerëz në PD mund ta dinë.

9.Lulzim Basha gaboi teksa gjeti kohë që, në mes të fushatës, të largohej edhe jashtë Shqipërisë, në një takim të çuditshëm me presidentin, Donald Trump, në SHBA. Me një diletantizëm deklaroi se, në një bisedë vetëm për 4 minuta me të, ia kishte thënë të gjitha të palarat për Kryeministrin, Edi Rama, ndërsa vetë kishte marrë mbështetje eksplicite nga tij.

10.Lulzim Basha gaboi në raportet me Edi Ramën, duke rënë pré e grackës dhe taktikës së tij politike. Gabime që nisin te mungesa e transparencës e deri tek ajo që Rama udhëhoqi fushatën e PS-së, me simbolin e dy gishtave.

11.Lulzim Basha gaboi edhe në raport direkt me Sali Berishën. Për katër vjet, na është krijuar ideja se Basha gati nuk merr asnjë vendim pa pyetur bacën e PD-së. Porse jo vetëm me listën, por edhe me mungesën e përfshirjes së Berishës në fushatë, tregoi se marrëdhëniet midis tyre, nuk janë edhe aq fair.

12.Lulzim Basha gaboi me raportet me LSI-në, teksa ka mbajtur qëndrime të habitshme. Në fillim të fushatës, ai sulmoi ashpër këtë forcë politike dhe liderin e saj, si të keqen e madhe të vendit, duke përdorur edhe fraza të njëjta me Edi Ramën. Basha harroi se kjo e keqe e bëri atë kryetar të bashkisë së Tiranës në 2011, por edhe luajti rol mjaft pozitiv në zgjedhjen e krizës së çadrës. Basha nuk tregoi mirënjohje ndaj Metës, duke mos krijuar marrëdhënie politike që, të paktën, të ishin në favor të tij.

13.Lulzim Basha gaboi në raportet e tij me median. Herë afrohej me gazetarë dhe ekrane të preferuara, herë përzgjidhte deri emrat e gazetarëve që do ta intervistonin. Edhe sot, nuk mund të kuptohet se si kryetari i PD-së shmangu, në mënyrë të vazhdueshme, specialistë të tij të medias në PD, me përvojë të madhe dhe cilësi në punën e tyre.

14.Lulzim Basha gaboi teksa gjithë fushatën e orientoi që të kishte vetëm një fytyrë dhe një zë, - ky të ishte vetëm ai. Me përjashtime të rralla, kishte kronika me aktivitete të PD-së ku nuk ishte vetëm Lulzim Basha që organizon, flet, mban “toën hall” që shkon në studio dhe që i përfaqëson të gjitha. Të dytë dhe të tretë në strukturat e PD-së që kanë peshë, nuk ka. Kjo solli një personifikim të të gjithë fushatës dhe që rezultoi gabim i rëndë.

15.Lulzim Basha gaboi me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, duke mos i përfshirë në atë që ai e quante Republika e Re. Emra si Fatbardh Kadilli, Enno Bozdo, Ina Zhupa besnikë dhe që i kanë dhënë besim Bashës, ishin ata që duhet të jenë ndjerë të zhgënjyer nga këto zgjedhje. Ata jo vetëm nuk ishin në lista, por nuk ishin as play maker në fushatë, duke humbur si kripa në ujë, pavarësisht kontributeve!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: