A KA SY BOTA PËR NE?!- NGA FRROK ÇUPI

A KA SY BOTA PËR NE?!- NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

A nuk iu bezdis heshtja e Botës?... Apo pse ishim mësuar me ‘dashurinë’ bezdisëse? Përditë e përnatë, nuk kishte një çast që pas lajmit të parë ose edhe të dytë, të shfaqej një ‘i huaj’ për Shqipërinë. Momenti i krizës politike paska qenë edhe momenti ‘më bujar’ me ata ‘të Botës’.

Që nga fillimi i fushatës elektorale, nuk ka më sy për ne.

Çfarë ka ndodhur?

1.

Vendoset vija BE-SHBA mbi Shqipërinë:

Hoyt Brian Yee, nga Departamenti i Shtetit i SHBA, nuk ishte vetëm i fundit ‘nga bota’ që u ndodh me shqiptarët në kohë krize, por ‘Yee’ mund të quhet edhe vija ndarëse mes BE dhe SHBA në raport me Shqipërinë. BE nuk ishte i aftë të zgjidhë krizën as në Maqedoni, as në Shqipëri. Komisioneri i BE, Franckenstein foli që nga Brukseli: “I don’t care!” për zgjedhjet në Shqipëri. Prej kohësh është analizuar ky fakt- se BE nuk mund të zgjidhë problemet e aspirantëve në Ballkan dhe në Lindje. Zoti Yee do të kthehet shpejt në Tiranë, por jo ndonjë tjetër nga BE. Ka raportime se momenti i zgjidhjes së krizës politike në Tiranë është edhe momenti kur ‘kujdestaria’ botërore i mbetet Shteteve të Bashkuara përballë një BE të paaftë.

2.

Kur nuk ka sy Bota, sytë e tanëve kërkojnë Botën.

Politikanët nuk ndjehen mirë pa sytë e botës. Në fund të fundit ata sy janë pasqyra e tyre. Bën mirë apo bën keq për banorët e Shqipërisë- kjo nuk ka rëndësi (!). Të gjithë pyesin “çfarë thonë ata andej?” në kohë krize, në kohë proteste, në kohë koalicionesh, në kohë zgjedhjesh. Aq sa duket se vota e këtyre njerëzve që rropaten me jetën dhe me shpresën, nuk ka pikë vlere për qeverinë që vjen; e gjitha varet “çfarë do të thonë ata”. Pas kaq kohe që nuk duket asnjë shenjë e syrit “të Botës”, politikanët shqiptarë kanë marrë në dorë vetë fatin e tyre: Të kërkojnë Syrin! Dje kryetari i PD dhe kandidat për kryeministër, Basha, deklaroi nga Korça se po pret të niset për në Amerikë ku ‘do të takojë presidentin Trump’. Po të ndodhë, do të jetë hera e parë që kreu i shtetit amerikan do të takojë Opozitën. Kjo ka ndodhur në vitin 1948, kur Opozita u konsiderua në Amerikë, por u prit vetëm nga shefi i CIA-s. Tani nuk jemi në atë gjendje... Sidoqoftë takimi i zotit Basha me presidentin Trump, është një lajm i mirë, qoftë edhe sikur të takohet si kryeministër me presidentin.

Të njëjtën gjë po bën kryeministri Rama, dhe kryetar i PS. Ai mban në sirtar një foto që ka marrë nga takimi me Trump në samitin e NATO-s. Kryeministri nuk e ka akoma lejen që ta publikojë foton. Me këtë do të ndikonte në publik duke përdorur autoritetin e presidentit të Amerikës.

Të gjitha palët po presin të hedhin një ‘sy’ nga Bota; ehe pse bota nuk ka sy për ta. Kjo do të ishte një shenjë ‘fitimtari’ në zgjedhjet e 25 qershorit. Sepse akoma, deri në krye të politikës, zë vend psikoza e kafeneve: “ata e dinë cili do të jetë kryeministër i vendit”.

3.

Bota po bën sikur nuk shikon...

Kur themi ‘bota’, në rastin tonë kemi thënë Amerika dhe Europa, por më shumë Amerika. Bash për këtë arsye “Bota” ka vendosur të mos japë shenjë se ‘po shikoj zgjedhjet’. As ambasada, as zyrtarët e Departamentit të Shtetit, as NATO..., nuk po japin leje që të flitet sa kohë janë zgjedhjet nëpër duar.

Principi i ‘mosndërhyrjes’ duket e po përdoret për herë të parë, qoftë edhe në sens sipërfaqësor.

I vetmi që po duket është ambasadori i OSBE- një organizatë e krijuar dhe e ngarkuar kryesisht mbi zhvillimin e demokracisë përmes zgjedhjeve. Por OSBE duket shumë ‘e ndershme’ me zgjedhjet këtu, ndoshta për arsye se ambasadori ishte prononcuar fort se ‘këtu janë 2 miliardë euro të lira që do të përdoren për blerje votash’.

4.

Nuk ka arsye për “Sy”.

Për “botën” por as për publikun e vendit, gjatë fushatës elektorale nuk vihen re ‘dy palë’. Po të ishin dy palë, mund të kishte edhe debat të ashpër, mund të kishte nervozizëm, mund të kishte ‘Kuçovë’- një qytet i vogël ku u përplasën Socialistë dhe Lë-së-istë. Krijimi i qeverisë së përbashkët mes maxhorancës dhe opozitës ka krijuar idenë se ‘janë bashkë’. E ka krijuar idenë jo vetëm për qytetarin këtu, por edhe për “Botën” që di të lexojë politikë. Paradigma e një ‘qeverisje të përbashkët pas zgjedhjeve’ njësoj si në Gjermani ose në Kosovë, e ka bërë të panevojshëm “syrin e Botës”. Edhe sikur vërtet zoti Trump të presë kryetarin e Opozitës, për çfarë do të bisedojë?! ... Do të tregojë Opozita se ‘sa e mirë’ është qeveria!? Kjo nuk ka sens... Do të flasë se ‘sa e keqe’ është qeveria?!... Kjo prapë është shkelje e etikës politike ku shahet partneri prapa krahësh, që Shtëpia e Bardhë nuk e lejon. As qeveria s’ka çfarë tregon në Shtëpinë e Bardhë...

Syri i Botës po shikon vetëm një gjë: Si do të ndërtohet koalicioni pas 25-ës.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: