Abaz Hoxha: Ju tregoj si u zhvillua Operacioni gjerman i qershorit (2-27 qershor), 1944

Abaz Hoxha:   Ju tregoj si u zhvillua Operacioni gjerman i qershorit (2-27 qershor), 1944
INTERVISTA/ Flet ish-partizani, veteran i luftës Nacionalcclirimtare Abaz Hoxha:

 

Albert Z. ZHOLI

Ka lindur në fshatin Tragjas të Vlorës në një familje intelektuale dhe patriotike më 14.04.1930.Veteran i Luftës Antifashiste dhe pjesëmarrës në formacionet e armatosura partizane që në moshën 14 vjeçare, Brigada e V Sulmuese. 1936-1941 - Arsimin fillor në fshatin e lindjes 1941-1942 - Shkollën Tregëtare të Vlorës 1946-1949 - Shkollën Teknike (ish Shkolla H. Fullc),Tiranë. Diplomuar për Teknik Ndërtimi (Gjeometër). 1950-1954 - Studimet e larta i kreu në Universitetin e Pragës(Çekosllovaki), duke u diplomuar si inxhiner elektroteknik në rrymat e dobëta (Elektronikë). Paralelisht dy vjet specializim pasuniversitar në Pragë për Teknikën e Studiove të Radios, Filmit dhe Televizionit, duke u specializuar kryesisht për akustikën dhe optikën. 1954-1956 Inxhiner Zëri, Kinostudio 1956-1965 Kryeinxhiner 1965-1973 Kryetar i degës së kinemave, import-eksportit, përkthimit, redaktimit dhe shpërndarjes së filmave. 1973-1990 Drejtor i Arkivit Shtetëror të Filmave

 

Si vijnë kujtimet tuaja për fillimin e Operacionit të qershorit 1944?

 

Pas Kongresit repartet partizane zunë pozicionet e caktuara para se të fillonin marshimin e madh drejt Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. Unë u inkuadrova në kompaninë e tretë të Bat.I-rë që qëndroi disa ditë në fshatin Postenan të Leskovikut. Duke marrë parasysh se rreth 70 për qind e partizanëve të brigadës ishin analfabetë, luftës kundër analfabetizmit ju kushtua një kujdes i madh. Koha e lirë midis betejave i kushtohej kurseve kundër analfabetizmit. Detyra e parë që m’u dha ishte të drejtoja kursin kundër analfabetizmit prandaj gjeta një çantë prej lecke, blemë disa lapsa dhe fletore të cilët i premë më dysh dhe ja u shpërndamë partizanëve që nuk dinin shkrim e këndim ndërsa unë një dërrasë të zezë dhe disa shkumësa që shkruaja gërmat e alfabetit dhe zhvilloja mësimin. Këtë kurs e vazhdova me partizanë të ndryshëm deri në fund të luftës. Kur kaluam në Shqipërinë e mesme dhe të Veriut më ngarkuan edhe me detyrë që të flisja për disa probleme politike dhe të edukimit të marra nga disa burime të huaja. Më kujtohet se më ra në dorë një artikull i M.Kalininit që fliste mbi kuadrot. Unë këto leksione i mësoja përmendsh dhe as vetë nuk i kuptoja ato që u thosha të tjerëve. Në dhomë me mua në Postenan ishte edhe Qemal Hetemi, një partizan 16 vjeçar nga Bolena e Vlorës. Për herë të parë më dhanë një pistoletë model i vjetër dhe si çdo kureshtar fëmijë fillova ta zbërtheja dhe ta pastroja atë. Kur desha ta mbërtheja përsëri më dilnin pjesë tepër dhe mbasi u mundova pa sukses e mblodha në

një shami dhe shkova te im vëlla, Lufteri, që n’atë kohë kryente funksionin e Zv/komisarit të batalionit. Mbasi më vuri në lojë ai e mbërtheu dhe ma dha përsëri. Të nesërmen desh e bëra një gafë të madhe. Nga gëzimi që tashmë edhe unë kisha një pistoletë e shikoja me zili dhe bëja sikur po qëlloja me të duke marrë në shënjë objekte të ndryshme.Për një çast harrova që pistoleta kish një plumb në gojë dhe ia drejtova atë Qemalit dhe papritur pistoleta u shkrep, plumbi kaloi pranë supit të tij, por fatmirësisht ai nuk më denoncoi për këtë veprim që qe duke i marrë jetën. Disa ditë më vonë më dhanë edhe një pushkë të shkurtër që i thoshin “Topçi” mbasi kur shkrepje me të ajo nxirte një flakë të madhe nga gryka duke të krijuar përshtypjen e një topi.

Kjo pushkë më vonë do të më hapte telashe. Një nga vendimet kryesore të Kongresit të Përmetit ishte edhe krijimi i formacioneve të mëdha ushtarake dhe marshimi drejt Shqipërisë së Mesme dhe të veriut për të spastruar edhe këto zona nga pushtuesit dhe bashkëpuntorët e tyre që u vunë haptas nën komandën gjermane dhe u përpoqën të pengonin lëvizjen e forcave tona drejt veriut. Në këtë kuadër u krijua dhe Divizioni i I sulmues në përbërjen e të cilit merrnin pjesë Brigada e I, Brigada e IV-të dhe Brigada e V-të. Unë isha ende një fëmijë dhe nuk dija se ç’ishin planet operative dhe strategjike të gjermanëve, as për synimet e tyre, unë isha vetëm një luftëtar në mbrojtje të atdheut. Por do të merrja vesh se synimet e gjermanëve ishin që me veprime të shpejta mësymëse, të asgjësonte Ushtrinë Nacionalçlirimtare dhe pushtetin e ri të krijuara në këto zona dhe kështu të krijonte mundësi për të tërhequr pa pengesa forcat e saj të dislokuara në Shqipëri, të cilat t’i përdorte për të ndaluar përparimin e forcave të Ushtrisë Sovjetike në frontin

e Lindjes sikurse edhe t’u krijonte bashkëpuntorëve të tyre kushtet për të shtrirë sundimin e tyre në të gjithë Shqipërinë. Në rast se ky qëllim nuk do të arrihej plotësisht, gjermanët parashikonin që, me anën e kësaj ofensive, të paktën të evitonin rrethimin e trupave gjermane në Greqi e Shqipëri dhe t’u siguroheshin atyre rrugët e tërheqjes përmes territorit shqiptar.

 

-Kush e drejtonte këtë ofensivë gjermane?

Drejtimin e kësaj ofensive gjermanët ia ngarkuan gjeneralit Loher, i cili grumbulloi për këtë qëllim forcat e Korpusit të 21-të dhe 22-të. Edhe bashkëpuntorët e tij, forcat reaksionare dhe mercenare vendase, grumbulluan për këtë ofensivë disa mijra mercenarë që vepronin në bashkëveprim me gjermanët.

Në marshimin drejt veriut tre brigadave iu caktuan drejtime të ndryshme. Brigadës së 5-të, mbas largimit nga rrethi i Kolonjës iu caktua drejtimi Sulova-Dumre-Qafë Thanë-Krrabë-Mat ndërsa

batalioni ynë i I-rë dhe i III-të i saj mori drejtimin Përmet-Frashër-Staraveckë. Më 5 qershor të gjith batalionet u grumbulluan në katundin Potom ku u zhvillua edhe mbledhja e gjithë efektivit të brigades dhe u fol për vendimet e Kongresit të Përmetit dhe detyrave të reja që iu caktuan brigadës sonë. Në emër të shtabit të Përgjithëshëm dhe të komandës së divizionit përshëndeti Mehmet Shehu/”Vjosa”/ të cilin unë ende nuk e njihja nga afër as si fytyrë. Ndërkohë gjermanët kishin filluar mësymjen e tyre të madhe për asgjësimin e forcave partizane që u quajt Operacioni i Qershorit 1944. Në këtë kuadër të gjithë brigadave dhe batalioneve iu caktuan zonat e tyre të mbrojtjes dhe kundërmësyemjes. Natën e 5 qershorit të gjitha forcat e brigadës sonë marshuan nga Potomi për të zënë pozicionet e caktuara. Batalioni ynë i parë kishte për detyrë të mbulonte rajonin Moglicë-Zarec-Qafë e Gjarpërit dhe ishte në qëndrën kryesore të sulmit armik në Qafën e Gjarpërit. Gjatë rrugës nga Përmeti drejt Qafës së Gjarpqërit nuk na u nda nje avion gjuajtës gjerman dhe mbeti i vrarë një nga shoqëruesit tane te misionit anglez.

Takimi i parë me Mehmet Shehun/”Vjosën”/

Duke iu ngjitur kodrës për të zënë Qafën e Gjarpërit u ulëm dhe bëmë një pushim në faqen e saj.Ndërkohë po vinin drejt nesh, duke u ngjitur dy kalorës të armatosur.Ata ndaluan para meje dhe duke më parë me dashuri e dhëmbshuri, njëri prej tyre m’u drejtua:

-A do ti mundim gjermanët, more trim?

Unë u ngrita pa vetëdije në këmbë mbajta drejtqëndrim, nderova me grusht dhe iu përgjigja:

-Do t’i mundim, shoku komandant- Nuk e njihja se kush ishte se nuk e kisha parë kurrë nga afer por fakti që ai ishte mbi kal mendoja se do ishte ndonjë komandant i rëndësishëm. Ai zbriti nga kali, më përqafoi dhe iu drejtua shokëve të mi partizanë:

-Po, do t’i mundim pa tjetër kur në radhët tona veprojnë edhe

fëmijë kaq të vendosur për të mbrojtur Atdheun.

Më përqafoi edhe një herë i hipi kalit dhe vazhduan rrugën duke iu ngjitur kodrës. Kur ata u larguan ynë e pyeta një shokun t’im që kisha pranë:

-Kush ishte ai që më pyeti?

-Pse nuk e ke njohur ti më tha Qemali-Ai është “Vjosa”-Mehmet

Shehu.

Shtanga në vend. Pse nuk më thatë më parë. Kaq shumë kisha dëgjuar dhe e pata pranë e nuk munda të bisedoja me të. M.Shehu ishte bërë një legjendë. Emri i tij i koduar “Vjosa” ishte bërë tmerr i armikut, ai kish krijuar një personalitet të padiskutushëm në të gjithë Zonën Operative Vlorë-Gjirokastër, për vendosmërinë dhe trimërinë e tij. Emri i tij i kishte tmeruar armiqtë dhe bashkëpuntorët e tyre. Vetë gjermanët shkruanin për të:”. Mehmet Shehu, një udhëheqës ushtarak i një kualiteti të përsosur.

Dhe unë pa-pritur, këtë legjendë të luftës partizane e pata kaq pranë pa e ditur se kush ishte.Emri dhe prania e tij u jepte kurajo partizanëve për t’u hedhur me devocion në luftë, u jepte guxim dhe i bënte më të vendosur.

 

 

Si vazhduan luftimet dhe si ishte gjendja juaj morale?

 

Natën e 6 qershorit të gjitha forcat partizane zunë në luftë e sipër të gjithë sektorët e caktuar. Forcat tona nuk e pritën armikun të afrohej por filluan menjëherë të kundërsulmonin në mënyrë të befasishme kundër një forcë të madhe gjermane të divizionit 297 të përforcuar me të gjitha llojet e armëve. Kjo ishte përleshja më e madhe dhe më e ashpëra në historinë e rrugës luftarake të brigades së pestë dhe veçanërisht të batalionit të parë dhe të tretë që ishin në qëndër të sulmit gjerman. Kjo ishte edhe pjesëmarrja ime e parë në luftë kundër trupave pushtuese. Gjermanët bënë një rezistencë të egër në një terren gjysëm pyjor duke kaluar edhe në përleshje trup me trup në disa sektorë të batalionit të parë kur partizanët e tij kishin ecur aqë përpara sa që ishin përzier me formacionet luftarake të armikut. Në sajë të kësaj rezistence të vendosur gjermanët u detyruan të tërhiqen në drejtim të Moglicës. Më 7 qershor komanda gjermane duke futur në luftim forca të reja të mbështetura edhe nga zjarri i fuqishëm dhe i përqëndruar i artilerisë bëri përpjekje të reja për të çarë përpara në drejtim të Qafës së Gjarpërit dhe Gurit të Prerë.

Më në fund armiku arrijti të avancojë me shumë ngadalësi në drejtim të malit të Devries por me humbje shumë të mëdha. Isha ende pa përvojë. Akoma nuk e dija frikën por i tërhequr nga

tregimet e trimërisë partizane vrapoja përpara në këmbë duke shtirë në drejtim të armikut me pushkën time të shkurtër që lëshonte një flakë të madhe. Komisari i kompanisë Vasil Nerënxi më kapi nga mbrapa dhe më uli me forcë për tokë.:

-Ej, ç’farë bën kështu! Ku po shkon në këmbë, në dasëm, se do vritesh. Sa më rrallë qëllo edhe me atë topçiun tënd se bën shumë flakë dhe do të zbulohesh nga armiku (ishte natë)

Kur ai më uli për tokë një breshëri plumbash goditën dhe un para meje dhe pluhuri e balta më mbuluan fytyrën. Aty fillova ta ndieja frikën dhe nën shëmbullin e shokëve më të rritur fillova të

zvarritesha dhe duke bërë dredha që t’u shpëtoja plumbave. Në një çast dëgjova pak më poshtë një Oh! Kur u afrova pashë se ishte partizania me trupin lastar nga Tragjasi, që ende nuk i

kish mbushur të njëzet vjetët, Raime Stepa (Imeraj). Atë e goditi një plumb në ije. Por nuk e dha veten dhe nxorri nga brezi një granatë dhe ja hodhi një mitralieri gjerman që pak më poshtë po

qëllonte drejt nesh. Mitralozi heshti dhe ajo ashtu e gjakosur u hoq zvarrë dhe mori mitralozin gjerman dhe filloi të qëllonte kundër tyre. Kjo nuk vazhdoi gjatë se një oficer me pistoletë arrijti

nga mbrapa dhe e goditi në kokë. Gjermanin e vramë por edhe Raimeja ra heroikisht në krye të detyrës. Në anën e djathtë tonën po luftonte Nysret Xhelua, djali i patriotit Halim Xhelo nga Tërbaçi që në atë kohë kryente detyrën e përgjegjësit të rinisë së kompanisë sonë. Ai ishte futur thellë në radhët e armikut por një granatë gjermane e rrëzoi për tokë. Ai thirri dhe një partizan rreth 50 vjeçar-që ne e quanim plak-i vajti në ndihmë e mori në krahë për ta trasportuar lart drejt kodrës në prapavijë ku ishin partizanët e rinj që ende nuk kishin armë. Por kur ai e mori në krahë një plumb tjetër e goditi në tëmth dhe Nysreti ndrroi jetë. Pa arritur ende tek kodra u godit nga një plumb edhe partizani që e kish marrë në krahë dhe ai u rrëzua për tokë pa arrijtur t’ua dorzonte shokëve shokun e vrarë. Nuk më harrohet ajo skenë. Granata gjermane Nysretit i kishte

shkëputur gjithë mishin e kofshës dhe i kish mbetur kocka e gjakosur. Për pantallonat nuk bëhesh fjalë....

 

Kush nga shokët tuaj ra dëshmor në luftime dhe si e kujton?

Më kujtohet vrasja e  Qemal Hetemit. Sa kishte rënë nata.Batalioni u mblodh në majën e kodrës në Qafën e Gjarpërit dhe komisari i batalionit, Kadri Hazbiu, po na fliste për betejën e afërt me gjermanët. Pas fjalës së tij filloi mbledhja dhe riorganizimi i kompanive dhe skuadrave. Por ende pa e nisur ne sulmin gjermanët na sulmuan të parët. Në skudrën ku bëja pjesë edhe unë ishte edhe Qemal Hetemi, partizani 16 vjeçar nga Bolena për të cilin u fol më lart se unë gadi e vrava me veprimet e mija axhami duke lozur me pistoletën që kisha marrë. Qemali disa ditë më parë kishte marrë një pallto të madhe ushtarake nga ato që na kishin hedhur me parashutë anglezët. Ishte një gëzim I madh të kishe një pallto të tillë në kushtet kur shumica e jonë ishin të zhveshur dhe me tesha zhele-zhele, prandaj kush e kishte atë fat e ruante si një gjë të shënjtë njëllojë sikurse edhe armët e ndiente veten të privilegjuar dhe të nderuar. Qemali para se ne të niseshim në sulmin kundër gjermanëve e hoqi pallton dhe ia dha komandantit të togës duke i thënë:

-Shoku komandant merreni këtë pallton dhe ta mbajnë këtu shokët që nuk do marrin pjesë në luftë. Se mos vritem e bëhet me gjak.

Ishte fjala për partizanët e rinj që do mbeteshin në prapavijë se ende nuk kishin armë.Kjo ishte bërë si rregull që sendet e rënda gjatë veprimeve luftarake liheshin në prapavijë për të qënë sa

më të lirë. Dhe sikur ai e kishte parandjerë. Në atë përleshje Qemali u vra.Trupin e tij e prunë në kodër dhe e vendosën pranë Raimes, Nusretit dhe partizanit tjetër që u përpoq të shpëtonte shokun e tij të plagosur dhe u vra edhe vetë.

-Kur dhe si u ndëprenë luftimet?

Aty nga ora tre e mëngjezit luftimet u ndërprenë dhe gjermanët me humbje të mëdha u tërhoqën. Gjermanët zakonisht e kishin shumë të vështirë të luftonin natën, kjo ishte taktika jonë. U kthyem në majën e kodrës ku fillimisht ishin pozicionet e mitralozave tanë para sulmit.Të lodhur mbasi kishim udhëtuar gjithë ditën dhe përleshur në betejë gjatë gjithë natës unë shkova me komisarin Idai Bejo në pozicionin e mitrolozit ku ishte edhe mitralieri partizan. Atje më zuri gjumi me kokën e mbështetur tek këmba e Idaiut. Edhe ata i zuri gjumi. Kur papritur, ende pa u zbardhur dita, u dëgjuan të shtëna të pa ndërprera të pushkëve automatikëve, mitralozave dhe predha të pa ndërprera artilerie. U ngritëm në tmerr. Për herën e parë në luftën partizane shikoja gjermanët të rrjeshtuar, të bërë gardh që marshonin përpara drejt nesh sup më sup. Ishte

një sulm i befasishëm. Ne ndodheshim në majë të kodrës por marrja e kodrës nga ana e tyre do të ishte një katastrofë e vërtetë mbasi mbas nesh ishte një e tatëpjetë e madhe që shkonte poshtë deri tek një fshat në rrëzë të saj. Po të merrnin ata kodrën do të na shuanin të gjithë.U krijua një panik nga sulmi i befasishëm gjerman. Shumë partizanë ikën në panik në drejtime të ndryshme kush të shpëtonte, mitrolozat e rëndë shkoi trekëmbshi në një anë, tyta në anën tjetër dhe municioni në tjetrën anë. Ishte situatë e vështirë por që pengoi asgjësimin e plotë veprimi i shpejtë i Idaiut i cili i rrëmbeu mitrolozin mitralierit u ngrit në këmbë dhe filloi të qëllonte me

breshëri në drejtim të gjermanëve për të frenuar marshimin e tyre. Po kështu ishte heroizmi i mitralierit tjetër, Kalem Dushani, i cili mori mitralozin e tij që ishte rreth 15 metra në krahun tonë të djathtë, hipi në një gorricë që ndodhesh atje dhe qëlloi me zjarr të pa ndërprerë në drejtim të gjermanëve. Por e pashë atë që pas pak sekondash u godit nga një automatik gjerman dhe ra për tokë nga pema.Të dy këto akte heroike vonuan sulmin gjerman dhe u dhanë mundësinë partizanëve të zbrisnin me shpejtësi kodrën dhe të kalojnë lumin e Osumit dhe të fillonim ngjitjen drejt majës së malit të Tomorrit. Ndërkohë gjermanët kapën kodrën ku ndodheshim ne

vendosën atje artilerinë dhe filluan të na qëllonin kur ne po I ngjiteshim Tomorrit derisa arrijtëm të merrnim veten dhe të zinim pozicione pas disa shkëmbinjve dhe ti kundërvepronim sulmit

gjerman. Kur ne po përpiqeshim t’i ngjiteshim malit thikë të Tomorrit, forcat gjermane filluan të na qëllonin me artileri të dëndur para se ne të zinim pozicionet mbrojtëse. Ishte një mrekulli kur

skuadra jonë, ku në këtë kohë së bashku me ne ishte edhe Zonja Curre, po i ngjitesh një faqje zallishte një predhë ra midis nesh por çuditërisht nuk vrau ose plagosi asnjërin por vetëm se na tronditi dhe na bllokoi veshët nga shpërthimi i saj. Ata u përpoqën të kalonin Osumin për të na ndjekur por tashmë forcat tona ishin grumbulluar dhe u bëmë një rezistencë të fortë. Shumë gjermanë që u përpoqën të kapërxenin lumin gjetën vdekjen duke u rrëmbyer nga valët e lumit. Deri sa u errësua ata nuk mundën ta kapërxenin lumin për të na ndjekur dhe ne iu ngjitëm lart drejt majës malit të Tomorrit. Kur filloi të zbardhesh dita ne ende nuk e kishim arrijtur majën dhe ata filluan të na qëllonin me artileri por pa na shkaktuar humbje. Kur u ngjitëm në majë gjetëm atje disa çobenë skraparlljotë të cilët na dhanë qumësht dhe djathë të njomë nape. Mbasi u qetësuam tek stanet e çobenëve skraparlljotë u nisëm në kërkim të forcave të tjera të brigadës nga të cilat ishim shkëputur. Pa pritur u gjendëm para forcave të brigadës së parë të cilat duke

menduar se nuk kishte të tjera forca partizane prapa, qenë gati duke na sulmuar. Fatmirësisht u morëm vesh duke përdorur emrat e komandantëve dhe të komisarëve të batalionit tonë.

Qafa e Gjarpërit dhe Guri i Prerë u bënë symbol i heroizmit ato ishin nga luftimet më të ashpra në historinë luftarake të brigades së pestë.Vërtetë që në Qafën e Gjarpërit ne patëm humbje të mëdha ku ranë heroikisht 24 partizanë duke përfshirë edhe komandantin trim të kompanisë Vasil Gjiknuri si dhe rreth 20 të plagosur, por edhe gjermanëve kjo ofensivë u kushtoi akoma më shtrënjtë se lane rreth 120 të vrarë dhe shumë të plagosur.Vetëm gjatë përpjkjejeve të tyre për kalimin e lumit Osum u vranë mbi 15 ushtarë dhe oficerë, trupat e të cilëve i rrëmbente lumi i Osumit. Nga analiza që u bë më vonë për këtë veprimtari luftarake doli se humbjet tona të rënda ishin kryesisht pasojë e taktikës së gabuar duke u angazhuar drejt për drejt në luftë frontale me armikun dhe duke iu shmangur taktikës së luftës partizane të befasisë dhe marrjes së shpinës së armikut. Njëkohësisht aty pati një mos kordinim gjatë tërheqjes pa u marrë vesh më parë me forcat e tjera në krah. Si pasojë batalioni i tretë u tërhoq pa njoftuar më parë batalionin tonë,

gjë që gjermanët e zbuluan dhe u përpoqën me një luftë të paparë frontale të rrethonin dhe asgjësonin batalionin e parë i cili mundi të shpëtojë duke u larguar në mënyrë të çorganizuar dhe mbeti shumë prapa forcave të tjera të brigadës që ishin larguar më pare dhe ndërmori një eskursion të gjatë dhe të rrezikshëm në malin e Tomorrit deri sa të bashkohesh me forcat e tjera.

Në 15 qershor batalioni ynë u angazhua në veprime të tjera luftarake në krahinën e Skraparit. Ne shpartalluam një force mercenare që vepronte në bashkëpunim me gjermanët në katundin

Mali i Bardhë. Në veprime të tilla për asgjësimin e trupave mercenare u përfshinë edhe batalionet e tjera si në Mollas, Zerec, Dushar e Protopapë duke i spastruar ato nga mercenarët dhe duke

ngritur atje këshillat nacionalçlirimtare. Batalioni i tretë organizoi disa sulme të befasishme në qytetin e Gramshit dhe në fshatrat e tjera të krahinës së Shpatit duke i detyruar forcat tradhëtare të tërhiqeshin në panik në drejtim të Elbasanit. Mbasi sulmuam forcat reaksionare që vepronin në fshatrat dhe veçanërisht në Zavalan, ato u larguan në panik duke kaluar në fshatrat e tjera për rreth. Në mbrëmje u krijua një vijë kufitare midis nesh dhe atyre kundërshtare. Kur morëm Zavalanin m’u kujtua spikeri i Radio Londrës, Tajar Zavalani, me atë zërin e tij kumbues që jepte lajmet çdo mbrëmje dhe ato i ndiqnin me kureshtje në shtëpinë tonë babai me shokët e

tij. Por pikërisht aty, në Zavalan, për herë të parë gjatë luftës e ndjeva vehten para vdekjes të sigurtë. U vendosën rojet. Mbas orës 12 të natës më erdhi mua radha të bëja roje në faqen e kodrës, poshtë majës së saj ku ndodheshin trupat tona. Isha në një tension të pa ndërprerë gjatë dy orëve të shërbimit. Prisja i shqetësuar se mos ata fillonin sulmin kundër nesh. Dhe në qoftë se ata do ta bënin këtë për ne që shërbenim si roje ishte një vdekje e sigurt se na duhej të ngjiteshim lart kodrës dhe vendi ishte krejt i zhveshur ku nuk kishte mundësi të mbroheshe. Qëllimi ynë ishte të jepnim alarmin për sulmin eventual të tyre mbasi forcat tona të lodhura dhe të raskapitura kishin rënë në gjumë. Por fatmirësisht nuk ndodhi asgjë. Nga sulmi ynë I besfasishëm i një dite më parë, ku ata lanë disa të vrarë dhe disa robër, shumica e të cilëve u bashkua me ne, ata ishin tmeruar dhe as që u shkonte ndërmend të sulmonin por të largoheshin sa më parë për t’i shpëtuar asgjësimit të plotë.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: