ANALIZË NGA INGRID BEGO: PSE BALLKANI PERËNDIMOR NDODHET NË KRIZË? TRE TENSIONET KRYESORE

ANALIZË NGA INGRID BEGO: PSE BALLKANI PERËNDIMOR NDODHET NË KRIZË? TRE TENSIONET KRYESORE
Nga Ingrid Bego*

Më 27 prill, nacionalistë të maskuar sulmuan parlamentin maqedonas dhe, ndër persona të tjerë, plagosën edhe Zoran Zaev, lideri i Partisë Social Demokratike.

Incidenti në Ballkanin perëndimor, ku përfshihen Shqipëria dhe ish-republikat jugosllave të Bosnje dhe Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, nuk ishte një rast i izoluar. Vendet e Ballkanit perëndimor, 25 vite pas rënies së komunizmit, janë ende demokraci gjysmake dhe rajoni vuan nga tensionet etnike, fetare dhe nacionaliste.

Këto janë tre çështjet kryesore me anë të të cilave mund të shpjegohet kriza politike në këto vende:

1) Pse në Ballkan demokracia nuk solli një klimë të shëndetshme konkurrence politike?

Jetën politike e kanë sunduar partitë opozitare të qendrës së djathtë, të cilat morën pushtet pas rënies së komunizmit, në fillimet e viteve ’90. Fillimisht ato dolën si parti nacionaliste në ish-republikat jugosllave, më pas u bënë përkrahëse të vlerave perëndimore, përfshirë edhe anëtarësimin në Bashkimin Europian, si dhe bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar.

Partitë ish-komuniste kaluan në parti të së majtës, duke u shkëputur nga ideologjia socialiste dhe duke u larguar reformat ekonomike populiste. Si pasojë, partitë e djathta bënë të tyret çështje të cilat u dhanë popullaritet në elektoratin tradicionalisht të majtë, si edhe përqafuan modele të njohur të demokracisë liberale. Kjo bëri që partitë e të majtës të dobësoheshin në përpjekjet e tyre për t’u shfaqur si alternative e besueshme ndaj partive në pushtet të qendrës së djathtë.

Siç e shpreh edhe në studimin tim, partitë e qendrës së djathtë përvetësuan madje edhe tema tradicionale të krahut të majtë, si barazia gjinore, për t’i treguar me zell qytetarëve dhe botës se mbështesnin vlerat perëndimore. Në Shqipëri dhe Mal të zi, ku e majta vazhdon të jetë popullore, partitë hasën në rreziqe të brendshme dhe fragmentarizime të cilat i detyruan të promovonin politikat populiste për të mbijetuar si forca legjitime politike.

Cila është situata e krijuar në rajon? Mungesa e konkurrencës së shëndetshme të partive politike në shume prej vendeve të rajonit ka çuar në regjime një-partiake dhe një lideri, shpesh të zhytur në politika klienteliste, kur mbështetja politike varet nga shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, këto regjime nuk dëshirojnë të heqin dorë nga pushteti dhe të adoptojnë reforma ekonomike e politike në kohën e duhur, të cilat nevojiten për të garantuar anëtarësimin në BE. Çfarë u duk si angazhim i fortë drejt Bashkimit Europian, doli hipokrizi sipërfaqësore më tepër se veprime për të përmirësuar sundimin e ligjit e për të forcuar institucionet përfaqësuese dhe ato të ndarjes së pushtetit.

Partitë dominuese të qendrës së djathtë, duke kërkuar të ruajnë me çdo kusht pushtetin, po vënë në pikëpyetje përfitimet nga anëtarësimi në BE. Me një opozitë të dobët përballë tyre, demokracia në këto vende rrezikohet përsëri.

2) Ku hyn Rusia?

Ndërhyrja ruse në vendet me shumicë sllave e ka ndërlikuar më tej atmosferën politike. Në tetor 2016, u godit një komplot i një grupi “nacionalistësh rusë” për të vrarë kryeministrin e Malit të Zi. Në mars 2017, Rusia akuzoi Shqipërinë, NATO-n dhe Bashkimin Europian se u përpoqën të formonin një qeveri proshqiptare në Maqedoni, ndërkohë që mbështeste udhëheqësit nacionalistë pro Rusisë në Ballkan. Investimet e shumta ruse, bashkë me përhapjen e teorive konspirative dhe propagandën kundër perëndimit e kundër BE-së, e kanë shndërruar rajonin në një fushë beteje për ndikim politik nga lindja.

3) A mund të shërbejë Bashkimi Europian si ndërmjetës i demokracisë në rajon?

Bashkimi Europian, megjithëse në kërkim të mënyrave për t’i bindur vendet e Ballkanit perëndimor për të ardhmen e padiskutueshme drejt anëtarësimit në të, është një opsion legjitim për një rajon më të zhvilluar dhe, ç’është më e rëndësishme, më të paqtë.

Vendet europiane-lindore që kërkojnë të hyjnë në BE, duhet të zbatojnë standardet e Kopenhagenit për të plotësuar kërkesat e anëtarësimit; konkretisht sigurim i zbatimit të ligjeve, stabilitet ekonomik dhe zotësi e shtetit për të zbatuar ligjet e nevojshme. Kjo politikë kushtëzimi sjell përfitime të konsiderueshme në formën e financimeve, mundësive për investime dhe në fund, anëtarësim në Bashkimin Europian.

Pyetja që ende kërkon përgjigje nga vendet e Ballkanit perëndimor është a mjafton kushtëzimi për të përballuar koston e lartë të anëtarësimit në BE? Kroacia u bë anëtari i 28-të i BE; rasti i saj jep shpresë. Por vendet e tjera të rajonit nuk po ecin aq shpejt sa duhet drejt anëtarësisë. Për shembull Shqipëria, pavarësisht presionit nga aktorët ndërkombëtarë, përfshirë edhe BE-në, nuk ka arritur të zbatojë reformat gjyqësore, të realizojë procesin e verifikimit të kredencialeve dhe kualifikimeve të gjyqtarëve e prokurorëve, si dhe të sigurojë pavarësinë e gjyqësorit.

Bashkimi Europian gjendet para një dileme. Nëse ai kërkon ndryshime të zgjatura e të rëndësishme në këmbim të anëtarësisë, Rusia mund të përfitojë dhe të ndërhyjë kundër axhendës europiane të zgjerimit duke u ofruar vendeve të Ballkanit perëndimor stimuj nacionalistë dhe një vizion alternativ. Nëse Bashkimi Europian i shpejton bisedimet për anëtarësim, mund të sigurojë stabilitet afatshkurtër në rajon, por të dëmtojë reformat demokratike dhe kështu të shkaktojë ndjenja kundër BE-së në vendet ku qytetarët nuk i kanë provuar ende të mirat e demokracisë.

Këtë problem të mundshëm e vërtetojnë protestat e kohëve të fundit në Serbi. Siç e shpjegon një artikull i publikuar muajin e kaluar, zgjedhja e kryeministrit Aleksandar Vuçiç në postin e presidentit shkaktoi protesta kundër korrupsionit në Serbi. Vuçiç njihet jashtë vendit të vet për qëndrimin e tij pro Bashkimit Europian. Shumë serbë janë të pakënaqur nga fitorja e tij dhe e akuzojnë për manipulim të zgjedhjeve dhe korrupsion.

Çfarë e pret Ballkanin perëndimor?

Rishfaqja e nacionalizmit në rajon, krahas interesit të hapur të Rusisë për ruajtjen e dominancës në territorin sllav, përbën një sfidë të menjëhershme për Bashkimin Europian.

Komisioni Europian ka nxjerrë mësime nga pranimet e reja dhe, në procesin e integrimit, ka vendosur t’i japë përparësi zbatimit të ligjit dhe reformës gjyqësore – në bazë të saj do të zhvillohet çdo reformë tjetër. Megjithatë studiuesit vërejnë se parimi i kushtëzimit sjell ndryshime ligjore zyrtare, por nuk stimulon veprime praktike që çojnë drejt ndryshimeve.

Çfarë do të thotë kjo konkretisht? Bashkimi Europian, me qëllim nxitjen e ndryshimeve në rajon, duhet të ndihmojë në mënyrë strategjike e të vazhdueshme vendet për pranimin dhe zbatimin e këtyre ndryshimeve ligjore. Një qasje e palëkundur politike kundrejt demokracisë, mbështetja e institucioneve themelore si gjyqësori i pavarur apo media e pavarur, të cilat ndihmojnë ekuilibrin e fushës politike, mund të sjellin udhëheqës të rinj në një rajon ku figurat politike dominuese e kanë gozhduar në vend procesin demokratik.

Është e qartë se udhëheqësit europianë e kuptojnë që Bashkimi Europian është një aktor i domosdoshëm për parandalimin e luftërave të përsëritura dhe sigurimin e paqes së qëndrueshme në Ballkan. Modeli i angazhimit të Bashkimit Europian përgjatë viteve të ardhshme do të vendosë nëse rajoni do të zhvillohet apo do të kthehet në një terren ku fuqitë e mëdha testojnë sferat e influencës.

*Shkrim i publikuar në të përditshmen amerikane, “Washington Post”. Autorja është asistente profesore e shkencave politike dhe marrëdhënieve publike në Universitetin e Western Carolina në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është autore e librit “Ligjet e Barazisë Gjinore në Komunitetin Europian: Një udhë e shpejtë drejt njëjtësimit”

Shpërndajeni me miqtë tuaj: