Bilanci i fushatës elektorale, risi dhe ‘deja vu’

Bilanci i fushatës elektorale, risi dhe ‘deja vu’
Eglantina Nasi

Fushata elektorale 2017, përveçse ishte më e shkurtra në kohë se të tjerat, u pasua edhe nga një kontroll rigoroz mbi administratën publike që të mos bëhej pjesë e saj, si edhe me mungesë flamujsh dhe posterash gjatë mitingjeve

***

Plot risi, por edhe me mjaft ‘deja vu’. Ky mund të thuhet se është bilanci i fushatës elektorale për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 qershorit 2017. Një fushatë e cila zgjati në fakt, më pak në kohë se pararendëset e saj, pasi palët kryesore vendosën inicimin e saj vetëm falë një marrëveshjeje të minutës së fundit, pas muajsh të tërë konflikti politik. Kësisoj, përgatitjet e radhës prej tyre mund të thuhet se nisën më vonë se herët e tjera, mjafton të kujtojmë se për shembull Partia Demokratike nisi t’i hapte zyrat e veta elektorale në rang vendi pasi Partia Socialiste, apo Lëvizja Socialiste për Integrim e kishin nisur një proces të tillë, edhe pse jo ende funksional në praktikë. Në këtë këndvështrim, mund të themi se ka qenë fushata më e shkurtër, kjo edhe sepse para gati një muaji e gjysmë, shqiptarët ende nuk e dinin se kur do të ishte për ta edhe data e saktë e votimeve. Pasi edhe ajo që ishte caktuar paraprakisht, 18 qershor 2017, pësoi një spostim 1-javor, pikërisht falë negociatave të zhvilluara mes dy palëve kryesore të politikës vendase.

E megjithatë, sido që arritën gjërat deri këtu, shqiptarët e nisën zyrtarisht fushatën elektorale 2017. E cila këtë herë, pasonte direkt edhe zgjedhjen e presidentit të ri të vendit nga Kuvendi, debati rreth të cilit krijoi gjithashtu një ngarkesë më tepër në klimën politike që e parapriu atë.

Një fushatë e cila këtë herë do të ishte pa flamuj dhe postera elektoralë, të shpërndarë në rang vendi. Risi kjo, e paaplikuar më parë dhe që e bëri atë më të veçantë se të tjerat. Por në të njëjtën kohë, edhe më pak të kushtueshme financiarisht, po ta krahasojmë me faktin që vetëm për to, dy partitë kryesore në vend gjatë fushatës pararendëse të vitit 2013, së bashku shpenzuan në total rreth 29 milionë lekë (Partia Socialiste 15 milionë dhe Partia Demokratike 14 milionë lekë). Kujtojmë këtu se ka qenë vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili përmes një vendimi të datës 31 maj 2017 përcaktoi se flamujt, posterat apo materialet e tjera propagandistike do afishoheshin vetëm deri 5 metra larg zyrave elektorale, ku edhe për këto të fundit përcaktoi një pakësim të tyre, krahasuar me të kaluarën.

E gjitha kjo panoramë, sa i përket situatës përgatitore mbi fushatën 2017, kurse ajo që pasoi zhvillimin e saj duket se ishte e mbarsur me elementët e zakonshëm që e shoqërojnë një të tillë, si gjuha e ashpër politike mes palëve (dhe pse këtë herë duhet thënë se  ajo u fokusua edhe ‘brenda llojit’, mes dy krerëve të mazhorancës qeverisëse, një element ky aspak i zakontë, të paktën gjatë një fushate. Sikundër, edhe me një kontroll rigoroz ndaj administratës publike në rang vendi, që punonjësit e saj të mos përfshiheshin në aktivitetet elektorale.

Raportohen shkelje zgjedhore, që nga tentativa për shitblerje të votës e dhuna

 Kjo fushatë është shoqëruar edhe me shkelje zgjedhore, ku mjaft të tilla janë raportuar nga policia, por edhe nga platformat online. Konkretisht, Policia ka raportuar pak ditë më parë se janë trajtuar dhe po hetohen mbi 14 vepra penale apo ngjarje të dyshuara si të tilla që prekin zgjedhjet e lira. Konkretisht, ato kanë qenë me akuzën e pengimit të subjekteve zgjedhore, për korrupsion aktiv në zgjedhje, por edhe kanosje apo dhunim të pjesëmarrësve në to. “Shqetësim kemi patur raste të vendosjes së materialeve propagandistike nga subjekte të ndryshme elektorale, në kundërshtim me ligjin”, ka deklaruar vetë përfaqësuesi i Policisë, Altin Qato. Sikundër, nga ana e saj, edhe platforma online “Za’Lart 2017”, ka raportuar me dhjetëra shkelje zgjedhore, ku ato më të përmendurat janë lidhur pikërisht me keqpërdorimin e administratës publike në fushatë. Por edhe të tjera që kanë të bëjnë me shkelje në shit-blerjen e votës në tentativë dhe veprim.

TË HUAJT

“Karta” e ndërkombëtarëve, duket se nuk u shmang as gjatë kësaj fushate. Edhe pse duhet thënë se ajo nuk u shfaq përmes pranisë direkte të personaliteteve të huaja në aktivitetet elektorale, siç ka ndodhur herët e tjera, porse janë zgjedhur të tjerë elementë, këtë herë më të padukshëm, por ndoshta me pritshmëri në ndikim ndaj elektoratit. Kështu, në funksion të saj duket se ka qenë përmendja herë pas here publikisht prej Partisë Demokratike e faktit që programi i saj është hartuar me ndihmën e CDU-së gjermane. Apo ndoshta dhe takimi i kreut të saj, me presidentin amerikan, Donald Trump. Sikundër, nga ana tjetër mund të thuhet se Partia Socialiste ka përdorur një intervistë të fundit të presidentit turk, Rexhep Erdogan, gjatë së cilës ai jepte garanci për lidershipin e vendit, Edi Rama, për investime të mëtejshme.

Policia: Mbi dy mijë mitingje në rang vendi

Mbi dy mijë mitingje elektorale të zhvilluara nga partitë e ndryshme politike në rang vendi. Ishte kjo shifra që publikoi para pak ditësh Policia e Shtetit, në lidhje me ecurinë e fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit 2017. “Referuar të dhënave të publikuara nga data 26 maj-18 qershor, është përballuar një ngarkesë pune për mbarëvajtjen e rreth 2.049 aktiviteteve elektorale, duke aktivizuar 9.443 punonjës policie me 19.600 orë shërbimi, 1.836 automjete ndërsa nuk është shënuar asnjë incident gjatë këtyre aktiviteteve”, ka qenë komunikimi zyrtar i policisë lidhur me një fakt të tillë. Teksa ditën e djeshme janë përmbyllur ndërkaq edhe të gjitha aktivitetet elektorale, përmes mitingjeve respektive, për të vënë sot në zbatim heshtjen zgjedhor, sipas Kodit Zgjedhor. Për t’i lënë më tej vend punës për trajnimin e 7 mijë e 40 punonjësve të policisë për detyrat që do kryejnë gjatë zgjedhjeve, konkretisht për  sigurimin e 5.362 qendrave votimi në rang vendi, 90 KZAZ-ve dhe qendrave të numërimit të votave.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: