ÇFARË PRESIM NË 25 QERSHOR - Nga PLATOR NESTURI

ÇFARË PRESIM NË 25 QERSHOR - Nga PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fushata ka nisur. 25 qershori ka nisur numërimin mbrapsht, deri në gongun e votimit, dhe televizionet janë përmbytur nga imazhet e mitingjeve të para. Mitingje nëpër karrige... Dikur, shqiptarët mblidhnin karrige nëpër komshinj kur dasmën e bënin te oborri i shtëpisë, apo kur kishin ndonjë vaki. Sot janë mitingjet që bëhen me karrige. S’dihet nga vijnë, pasi vështirë të besosh se njerëzit i marrin me vete për tu ulur, gjithë rregull, në një gjysmë rrethi.

Por nuk mbaron me kaq. Ndërsa fushata ka nisur dhe forcat politike kërkojnë votën e shqiptarëve për në 25 qershor, interesimi më i madh nuk është se çfarë kanë bërë këto katër vjet, çfarë programi apo platforme ekonomike paraqesin. Interesimi është se si do të jetë konfiguracioni politik pas zgjedhjeve, me kë do të bëjë aleancë Rama, a do të ketë ndonjë hall LSI-ja pas 25 qershorit, apo nëse Basha e ka heq turpin dhe mund të bëjë një tjetër marrëveshje të madhe me atë që do të rrëzonte. Edhe në media, shqetësimi kryesor në daljet e para publike të drejtuesve politikë, është pyetja: Me cilin do të bëni aleancë në rast se...? Kjo në rast se që pak lidhje ka me profesionalizmin, padyshim është një kureshti kur në sondazhet që janë paraqitur, duket e vështirë që një parti e vetme të fitojë numrin e nevojshëm të mandatave për të qeverisur i vetëm. Por, gjithsesi, mbetet kuriozitet, pasi shqiptarët nuk dalin për të votuar për kureshtje, thjesht për të parë se çfarë kombinim ngjyrash do të kemi për mazhorancën e re. Nëse penduli i pushtetit do të varet sërish nga LSI-ja apo nëse do të shkojnë më njëra-tjetrën në fasadën e kryeministrisë, ngjyrat mavi dhe blu.

Deri tani po shkojmë të votojmë, thjesht, për kureshtje. Pasi dhe interesimi, por dhe pyetjet që ngrihen në media e portale, pikërisht këtu fokusohet, - me kë do të bëni aleancë. Idiotizëm absurd! Thua se dhënia e votës së qytetarit të thjeshtë, për një palë apo tjetrën, do të varet vetëm pasi ta ketë të qartë se si do të jetë koalicioni i ardhshëm. Nuk paskan më vlerë programet, çështja e taksave, projektet e zhvillimit, të mësojë nëse do t’i shtrohet rruga në fshatin e tij apo do të zgjidhë realisht problemin e furnizimit të ujit. Nëse do të ketë projekte zonale zhvillimi, biznese dhe investime të reja, kanalizim apo program mbrojtës për produktet bujqësore që, më shpesh, i janë kalbur nga mosshitja nëpër vite. Nuk ka vlerë as të dimë apo të pyetemi se kush do të na përfaqësojë zonën nga kandidatët e listave që bëhen nga lart e së largu. Madje dhe nëse ka ndonjë pyetje të tillë specifike për rajonin, qytezën apo fshatin ku u ka rënë shansi të banojnë shqiptarët, kë mund të pyesin? Kandidatët për deputetë që as nuk e dinin nëse do të ishin në listë e ku një pjesë ende nuk e besojnë si janë aty apo për çfarë arsyesh i ngritën në piedestal. Askush prej tyre nuk e ka ditur ku do të kandidonte dhe as që e kishte idenë për tu përgatitur për të krijuar ndonjë platformë zhvillimi, projekte për zonën e njohje të problematikave të saj. Kandidatët janë, thjesht, për të mbledhur votat në emër të partisë ose votat e partisë do t’i shndërrojnë, pa ndonjë angazhim të madh, në përfaqësuesit tanë në varësi të pozicionit në listë.

Të bukura zgjedhje! Platformat e përgjithshme bëhen në selitë qendrore të partive kryesore. Porse se si do të implementohet kjo në gjithë kapilarët e vendit, se si do të marrin zgjidhje problemet e veçanta në zona të caktuara, këtë nuk mund ta dimë. Pasi nuk e dinë as ata që do të jenë përfaqësuesit tanë të ardhshëm e do të jenë zëri dhe ndërmjetësi për zhvillimin, projektet, fondet e realizimin e tyre.

Ndaj, kur të gjitha këto nuk mund t’i dimë e as nuk mund të na i thonë dhe jo më t’u japin zgjidhje, nuk ngelet tjetër veç t’i kthehemi kureshtjes: Me kë do bëjnë aleancë këta që duan pushtetin? Mbetet e vetmja gjë që ngjall kërshëri, e vetmja që mund të tregojë se diçka ndryshon e që është konfiguracion i pushtetit. Pasi, në jetët tona, ndryshimi ka kohë që ka ngecur.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: