Dhuna tek fëmijët, psikologët: Pasoja të pariparueshme gjatë jetës

Dhuna tek fëmijët, psikologët: Pasoja të pariparueshme gjatë jetës
Blerta Bono, psikologe në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, tregon se situatat e dhunës në institucionet arsimore, vijnë për shkak të mungesës së menaxhimit të situatave dhe realizimit të punës në mënyrën e duhur

Sonila Isaku

Mungesa e aftësisë menaxhuese apo kur situata të caktuara nuk mund të realizohen, atëherë një person shpërthen në dhunë. Kështu e shpjegojnë psikologët fenomenin e dhunës. Por cilat janë pasojat që ajo lë tek fëmijët e vegjël. Blerta Bono, psikologe në Qendrën Spitalore Universitare, “Nënë Tereza”, tregon për “Albanian Free Pres” pasojat e dhunës te fëmijët, janë nga më të lehtat e deri tek ato që i shoqërojnë personat e dhunuar gjatë gjithë jetës, duke i çuar në akth, depresion e deri në pamundësi për të studiuar apo punuar.

Rastet e dhunës së fëmijëve në institucionet arsimore, duket se po bëhen evidente nga viti në vit. Përse sot kemi edukatorë kaq të dhunshëm dhe shtim të këtyre rasteve?

Dhuna në përgjithësi, shfaqet si rezultat i pamundësisë së individit për të shprehur dhe menaxhuar, ashtu si duhet, situata të caktuara, kur individi nuk arrin ta realizojë këtë në mënyrën e duhur, shpërthen në dhunë. Për shkak të kulturës sonë ku dhuna ka qenë e pranishme me vite të tëra tek fëmijët, është dhe më e pashmangshme në situatat e sotme.

Kur një fëmijë quhet i dhunuar?

Dhuna e ushtruar tek fëmijët, në moshë të hershme, është fenomen që e ka zanafillën në mjediset familjare ku prindërit, duke dashur të edukojnë më së miri fëmijët, ndodh të shkelin të drejtat e tyre dhe i dhunojnë ata. Një fëmijë quhet i dhunuar edhe kur e fyen, ironizon, frikëson, e lë pa ngrënë, pa veshur, pa vëmendje, apo edhe e tremb se do ta lësh vetëm dhe se do t'i heqësh disa nga të drejtat e tij. Ndërkohë, forma më e rëndë është ajo e dhunës fizike.

Cilat janë pasojat psikologjike te një fëmijë i dhunuar?

Efektet emocionale imediate të abuzimit dhe neglizhimit, izolimi, frika dhe paaftësia për të besuar, mund të shndërrohen në pasoja për gjatë gjithë jetës, që përfshijnë vetëvlerësimin e ulët, depresionin dhe vështirësitë në marrëdhënie. Kërkimet kanë treguar për lidhje ndërmjet abuzimit dhe neglizhimit të fëmijëve, ku është vërejtur depresioni dhe simptomat e tërheqjes tek fëmijët 3-vjeçarë të neglizhuar. Po kështu, studimet kanë treguar se 80% e të rriturve të rinj që kishin qenë të abuzuar në fëmijëri, plotësonin kriteret për të paktën 1 çrregullim psikiatrik në moshën 21-vjeçare. Këta të rinj shfaqnin shumë probleme që përfshinin depresionin, ankthin, çrregullimet në të ngrënë dhe tentativa për vetëvrasje.

Fëmijët e abuzuar dhe neglizhuar, sipas këtyre studimeve, ishin ata të cilët kishin rezultate të ulëta në mësime, apo pikë më të ulëta në krahasim me të tjerët, sa i takon matjeve të përgjithshme të kapacitetit mendor apo zhvillimit gjuhësor. Fëmijët që përjetojnë neglizhim ose refuzim, kanë më shumë mundësi të zhvillojnë tipare antisociale ndërsa rriten. Neglizhimi prindëror shoqërohet gjithashtu me çrregullime të personalitetit dhe sjellje të dhunshme. Duke patur nivel më të ulët arsimor, për arsye të pengesave në aftësitë njohëse ose të shanseve të humbura në arsim, duke patur socializim të çrregullt dhe vështirësi emocionale, ata mund të kenë më pak shanse punësimi dhe pozicione më të ulëta, ose më tepër vështirësi për të formuar marrëdhënie të shëndosha dhe afatgjata. Në këtë mënyrë, ata mund të vazhdojnë të jenë të paprivilegjuar dhe të cenueshëm ndaj dhunës së mëtejshme.

Këto janë vetëm disa nga pasojat që ka dhuna ndaj fëmijëve. Edhe nga kjo analizë e shkurtër mbi pasojat e dhunës, është e qartë sesi ndërlidhen efektet negative. Për shembull, nëse një fëmijë vuan nga një dëmtim i rëndë si pasojë e dhunës, menjëherë vendoset në rrezik edhe zhvillimi konjitiv i fëmijës, që si rezultat e bën fëmijën më vulnerabël. Unë si psikologe, sugjeroj të merren masa të rrepta ndaj atyre që dhunojnë fëmijët.

Sa i takon pasojave në sjellje të këtyre fëmijëve, çfarë duhet të kemi parasysh?

Jo të gjithë fëmijët e abuzuar, do të shfaqin probleme në sjellje, por problemet e sjelljes janë më të shpeshta në këtë grup individësh që në moshë të re. Në jetën e mëvonshme, abuzimi dhe neglizhimi gjatë fëmijërisë, duket se rrit mundësinë për probleme në sjellje. Studimet tregojnë se fëmijët e abuzuar dhe neglizhuar kanë së paku 25% më shumë mundësi për të patur probleme të tilla si kriminalitet, shtatzëni gjatë adoleshencës, arritje të ulëta akademike, përdorim droge, angazhime në sjellje seksuale me risk, etj. Është vlerësuar se rreth 1/3 e fëmijëve të abuzuar dhe neglizhuar, do të viktimizojnë fëmijët e tyre.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: