Dy rastet kur qeveritë teknike përgatitën zgjedhjet

Dy rastet kur qeveritë teknike përgatitën zgjedhjet
Si u përgatitën zgjedhjet e viteve 1992 dhe 1997 nga Vilson Ahmeti dhe Bashkim Fino.

 

Historia e qeverive të përkohshme dhe rasti i Kryeministrit Aleksandër Meksi që mori çelësat e zyrës nga një kryeministër teknik dhe ia dorëzoi sërish një kryeministri teknik

Albert Z. Zholi

Shqipëria ka edhe dy precedentë të tjerë gjatë këtyre 27 viteve të pluralizmit politik, kur zgjedhjet e përgjithshme janë përgatitur nga qeveri të përbashkëta. Në vitin 1991, pra me Qeverinë e Stabilitetit të Ylli Bufit, e më pas të Vilson Ahmetit, ministrat ishin “njerëz teknikë”. Po ashtu në vitin 1997, ministrat e partive që morën pjesë në qeverinë e Bashkim Finos, Qeverinë e Pajtimit Kombëtar, ishin formalisht teknikë. Nën kujdesin e qeverisë së Vilson Ahmetit u përgatitën zgjedhjet e 22 marsit 1992 që u fituan nga PD, ndërsa nga qeveria e Bashkim Finos, u përgatitën zgjedhjet e vitit 1997 që u fituan nga PS.

Qeveria e Stabilitetit

Për ironi të fatit janë pikërisht vetëm zgjedhjet e para pluraliste, ato të 31 marsit 1991, të cilat kanë marrë vlerësim pozitiv nga ndërkombëtarët, duke marrë notë pozitive si të lira dhe të ndershme. PPSH-ja mori në atë kohë 67.6 për qind të votave, kurse e dyta u rendit Partia Demokratike me 38.71 të votave. Më 11 qershor 1991, formohet qeveria e Stabilitetit me kryeministër Ylli Bufin.

Vetëm 6 muaj do ta kishte jetën qeveria e krijuar me aleancë të të gjitha partive e imponuar nga Sali Berisha, kreu i PD-së, dhe e pranuar nga PPSH në pushtet dhe Ramiz Alia. Në dhjetor, Berisha nisi sulmin ndaj qeverisë ku kishte ministrat e tij: Pashko, Ruli, Zogaj, etj.. Kur Pashko ndodhej në Londër duke negociuar një kontratë të rëndësishme me Bankën e Londrës, Sali Berisha ka Tiranë deklaroi rrëzimin e qeverisë dhe tërhoqi ministrat e tij nga kabineti. Ky veprim do të lindte në mes reformat e nisura dhe do të sillte ngritjen e qeverisë teknike të Vilson Ahmetit për të shkuar në zgjedhjet e 22 Marsit 1992. Por vetëm një vit, më pas ky rezultat u përmbys. Në zgjedhjet e 22 marsit të vitit 1992 Partia Demokratike mori 62.09 për qind të votave, kurse Partia Socialiste, pasardhëse e PPSH-së mori vetëm 25.73 për qind të votave dhe në vend të tretë u rendit Partia Social-Demokrate me 4.38 për qind të votave. Por, edhe pse këto zgjedhje u fituan nga opozita, PD-ja, vlerësimi i ndërkombëtarëve ishte:“Zgjedhje pjesërisht të lira”. PD-ja fitoi bindshëm. Më vonë u mësua se amerikanët i kishin lënë dorë të lirë Berishës në këtë situatë dhe e kishin mbështetur, pasi siç shprehet ish-ambasadori Rajerson shumë vite më vonë; “vetëm kështu do të iknin komunistët nga pushteti një herë e mirë”.

Qeveria e Pajtimit Kombëtar

Kur vendi hyri në kaosin e vitit 1997, vetëm 6 vjet pas 1991-shit, u rrëzua qeveria “Meksi” .   Plot 1 javë pas dorëheqjes së qeverisë së Aleksandër Meksit, më 2 Mars 1997 u formua Qeveria e Pajtimit Kombëtar. Kjo qeveri u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Në datat 6 dhe 9 Mars 1997, në kulmin e trazirave në vend, forcat politike nënshkruan marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re, me pjesëmarrje të gjerë politike. Kryetar i saj u zgjodh socialisti Bashkim Fino, kryetar i Bashkisë Gjirokastër. Qeveria e re u votua më 11 Mars 1997 nga parlamenti dhe u dekretua nga Presidenti i Republikës, Sali Berisha më 12 Mars. Marrëveshja parashikonte që ministri të mos kishte fuqi absolute, por të ndanin pushtetin midis ministrit dhe sekretarit të shtetit. Kjo ishte pjesë e marrëveshjes së 9 marsit dhe vlente vetëm për Ministrinë e Brendshme, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Në këto ministri, firma e ministrit nuk vlente pa firmën edhe të sekretarit të shtetit.

Ndryshe nga qeveria e Ylli Bufit, në këtë kabinet u vendosën partiakë të mirëfilltë, ndonëse me një profil më të ulët politik. Belul Çelo, ministër i Brendshëm i qeverisë së Bashkim Finos ishte kryetar i Partisë Demokratike të degës së Fierit. Më pas, Berisha e zëvendësoi me të ndjerin Ali Kazazi. Qeveria Fino përgatiti zgjedhjet e parakohshme të 29 qershorit të vitit 1997.

Zgjedhjet e 29 qershorit 1997

Zgjedhjet e parakohshme të vitit 1997, u mbajtën si rezultat i situatës së rënduar në Shqipëri, si pasojë e krizës piramidale. Data e mbajtjes së zgjedhjeve u publikua më 21 prill 1997. Në zgjedhje morën pjesë 23 parti me 1050 kandidatë për 155 vende. Partia Demokratike në pushtet kishte kundërshtar kryesor aleancën opozitare të përbërë nga Partia Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe Aleanca Demokratike.

Misioni i OSBE i kryesuar nga Franz Vranitski i quajti këto zgjedhje "të pranueshme".

Zgjedhjet u mbajtën me dy raunde, njëri më 29 qershor dhe tjetri më 6 korrik (ku zgjedhjet u përsëritën në 32 zona elektorale), ku në total PS fitoi 101 vende. Vëzhguesit i cilësuan "të kënaqshme dhe të vlefshme" por jo "të lira e të ndershme" duke iu referuar dhunës së ushtruar mbi përfaqësuesit e Partisë Demokratike.

Më 23 korrik, Sali Berisha u largua nga posti i Presidentit dhe u pasua nga Rexhep Meidani. Kabineti i ri qeveritar i udhëhequr nga Fatos Nano u betua dy ditë më vonë, më 25 korrik. Në këto zgjedhje, Partia Socialiste mori një fitore të thellë, duke fituar 65 për qind të votave, kurse PD-ja 20.37 për qind.

 

 

 

 

 

 

Qeveria e Pajtimit Kombëtar

Bashkim Fino, Kryeministër, PS

Belul Çela, (Ali Kazazi), PD

Shaqir Vukaj, Mbrojtjes, PS

Arian Starova, Jashtëm, Aleanca Social-Demokrate

Arben Malaj, Financave, PS

Spartak Ngjela, Drejtësisë, Lëvizja e Legalitetit

Eduard Ypi, Privatizimeve, PD

Astrit Kalenja, Shëndetësisë dhe Mjedisit, Balli Kombëtar

Myqerem Tafaj, Arsimit të lartë dhe kërkimeve shkencore, PD

Luan Skuqi, Arsimit dhe Sportit, PD

Haxhi Aliko, Ushqimit dhe bujqësisë, PSD

Kastriot Shtylla, Mineraleve dhe burimeve energjetike, PR

Foto Dhuka, Industrisë, transportit dhe tregtisë, PBDNJ

Ëngjëll Ndocaj, Kulturës, rinisë dhe gruas, Demokristiane

Elmaz Sherifi, PS

Vasillaq Spaho, Punëve publike, rregullimit të territorit dhe turizmit, PR

 

Qeveria e Stabilitetit e Ylli Bufit (11 qershor – 6 dhjetor 1991)

Ylli Bufi – kryeministër (PS)

Gramoz Pashko –  zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë (PD)

Zyhdi Pepa – zëvendëskryeministër (PS)

Muhamet Kapllani – ministër i Punëve të Jashtme (PS)

Teodor Kareco (17 qershor) – sekretar i përgjithshëm (PR)

Perikli Teta – ministër i Mbrotjes (PD)

Bajram Yzeiri – ministër i Rendit Publik (PS)

Shefqet Muçi – ministër i Drejtësisë (PSD)

Genc Ruli – ministër i Financave (PD)

Drini Mezini – ministër i Burimeve Minierave dhe Energjetike (PS)

Jordan Misja – ministër i Industrisë (PD)

Vilson Ahmeti – ministër i Ushqimit (PS)

Nexhmedin Dumani – ministër i Bujqësisë (PS)

Fatos Nano (Ylli Çabiri, 17 qershor 1991) – ministër i Lidhjeve Ekonomike me Jashtë (PS)

Agim Mero – ministër i Tregtisë së Brendshme dhe Turizmit (PD)

Emin Musliu – ministër i Ndërtimit (PD)

Fatos Bitincka – ministër i Transporteve (PR)

Maqo Lakrori – ministër i Arsimit (PS)

Sabit Brokaj – ministër i Shëndetësisë (PS)

Preç Zogaj – ministër i i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (PD)

Leontjev Çuci – sekretar Shteti për Ekonominë (PS)

Resmi Osmani – sekretar Shteti për Bujqësinë (PA)

Paskal Milo – sekretar Shteti për arsimin (PSD)

Alfred Karamuço – kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit (PR)

Petrit Skënde – kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: