E PARA ISHTE HUMBJA….-NGA FRROK ÇUPI

E PARA ISHTE HUMBJA….-NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

E para ishte fjala?...

Kjo sotmja nuk ishte nga Bibla, por nga fronti i nxehtë i zgjedhjeve. Thuajse biblike ishte vetëm temperatura shumë e lartë e kësaj dite vere. Rrugët e vendit  dukej sikur dihasnin nga një i nxehtë afrikan; mushkëritë e mbijetesës ishin mbyllur nëpër shtëpitë- herë me kondicioner e herë 'pa', por që të gjitha më të freskëta se rrugët e vendit.

Njerëzit sot zgjodhën të rrinin në shtëpi e të mos shkonin në kutitë e votimit, jo vetëm për shkak të vapës.

Sot u zhvilluan zgjedhjet politike parlamentare të vendit për të përcaktuar një qeverisje tjetër 4 vjeçare. Gjatë gjithë kohës, edhe ‘gladiatorët’ kishin në mendje humbjen, jo fitoren. Duke shpallur fitore të sforcuar dhe të parakohshme, liderët e partive, në fakt po manifestonin frikën e humbjes. një sondazh mediatik që nxori kokën menjëherë sapo u mbyllën kutitë e votimit, në thelb manifestoi humbjen e të gjithëve…

Si mund të humbin të gjithë?

Kështu ndodhi sipas sondazhit që nxori kokë menjëherë pas orës 20.00 nga Ora News. Sikur të dalë parashikimi i "Orës", se PS fiton më shumë se 71 deputetë, atëherë kjo është vetë humbja.

Nëse një parti e vetme do të merrte timonin e vetme, atëherë do të na krijohej një pushtet i rëndë; do të mohonim vetveten që gjithë kohës kemi thërritur kundër arrogancës së qeverisë. Bota do të na quajë 'hipokritë' sikur të votojmë për një parti të vetme pasi u ankuam kundër arrogancës së pushtetit të 'një dore'. Kemi edhe një 'origjinë' shumë të keqe diktature nga komunizmi që na mbajti në një grusht për pesë dekada. Sikur përsëri të kemi votuar për një parti të vetme, do të na akuzojnë se ‘e kemi qejf’ diktatin e Njëshit.

Sikur të dalë e vërtetë që të gjithë partitë e tjera, veç PS, të dalin në opozitë, atëherë do të na krijohej e njëjta skenë e fillimit të pluralizmit politik, kur të gjithë ishin bashkë kundër Nomenklaturës komuniste. Në vitin 1991 u ndërtua një parlament i paqëndrueshëm, sepse doli nga zgjedhje globale në favor të partisë në pushtet. Frika e një përsëritjeje është frika e humbjes së stabilitetit të vendit. A mund të ishte e aftë një parti e vetme të përballojë të gjithë në opozitë dhe gjithë pakënaqësinë popullore të grumbulluar për katër vjet?!

Edhe dilemat duken si 'biblike', por nga Bibla jonë kombëtare e pushtetit të diktatit.

Me sa duket, e para që ka dalë mbi ujëra pas mbylljes së kutive, është humbja. Të tjerat janë të fshehura nëpër shifra dhe kuti votimesh.

Para të gjithash, ajo që duket qartë është humbja e votuesve; këta nuk janë as si numra. Lajmi i dhënë nga KQZ për pjesëmarrje të ulët në zgjedhje, përkon me shifrën më të ulët në histori, vetëm 43,8 për qind. Pas kësaj nuk mund të flitet për fitimtarë, edhe sikur dikush të fitojë mbi 100 deputetë. Të 140 deputetët që dalin nga zgjedhje me më pak se gjysma e votuesve, janë deputetë të pazgjedhur. Po vijmë nga një parlament i inkriminuar- në një parlament të pazgjedhur nga shumicë votuesish.

Nëse do të guxojmë të kemi një Parlament me minorancë votuesish, atëherë kjo mund të quhej edhe 'juntë', edhe 'qeveri kuislinge', edhe 'tirani'…

Përderisa as tirania, as junta nuk mund të rrojnë në këtë atmosferë të shekullit dhe të kontinentit ku jemi, edhe parlamenti që del nga pakica, do të jetë i paqëndrueshëm

Të paktën këtë fakt e njohim deri tani: Qytetarët e vendit e kanë neglizhuar pushtetin. Pjesëmarrja në minorancë në votime është sfidë qytetare; para saj bien të gjitha të tjerat. Jemi në Humbje.

Kjo është e para… Fitoret e tjera nuk kanë vlerë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: