Etrit Berisha te Atalanta për 5 milionë euro

Etrit Berisha te Atalanta për 5 milionë euro
Merr fund zyrtarisht aventura e Etrit Berishës te Lazio. Pas një vit huazimi te Atalanta, klubi bergamask ka vendosur të ushtrojë të drejtën e blerjes se kartonit të portierit shqiptar pas paraqitjeve mbresëlënëse të gardianit kuqezi në aventurën e tij me fanellën zikaltër. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane sipas të cilave, Atalanta dhe Lazio kanë gjetur gjuhën e përbashkët për transferimin përfundimtar të Berishës në Bergamo për vlerën e 5 milionë eurove.

Tashmë çështja është zgjidhur përfundimisht dhe Atalanta do ta bëjë zyrtare marrëveshjen ditën e hënë. Me blerjen e kartonit nga ana e klubit të Atalantës, Berisha do të nënshkruajë edhe një kontratë afatgjatë me klubin bergamask ku arriti të tregnte aftësitë e tij në Serie A.

28-vjeçari i lindur në Prishtinë numëron 26 ndeshje në kampionat me Atalantën me plot 2340 minuta të luajtura gjatë sezonit të fundit. Ai u transferua te Lazio në vitin 2013 por në radhët e bardhekaltërve nuk gjeti asnjëherë hapësira të mëdha për shkak të aktivizimit të Marchettit.

Në tre sezone me Lazion ai u aktivizua vetëm 38 ndeshje. Atalanta dhe Lazio e gjetën gjuhën e përbashkët për transferimin e kartonit të tij edhe për shkak të kryqëzimeve të merkatos mes dy klubeve pasi kryeqytetasit kanë si objektiv kryesor argjentinasin Papu Gomez, i cili mund të firmosë gjatë ditëve të ardhshme për skuadrën e drejtuar nga Simone Inzaghi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: