Euro ‘në pikiatë’, kush fiton e kush humbet

Euro ‘në pikiatë’, kush fiton e kush humbet
Eglantina Nasi

“Shyqyr që ka rënë kjo euroja. Ka disa muaj që e paguaj vetëm 33 mijë lekë këstin e kredisë, nga 35 mijë lekë që më binte para dy vitesh kur kurse ishte rreth140 lekë”. Entela N. duket e gëzuar teksa tregon sesi nga dobësimi i monedhës vendase në tregun e këmbimit valutor ka fituar disa euro muaj për muaj. Por nuk duket aspak e tillë shoqja e saj e tavolinës, e cila pikërisht për këtë luhatje të tregut të këmbimit valutor, ka humbur mjaft euro, teksa i është dashur të tërheqë disa nga kursimet e saj në bankë. “Më duheshin 1000 euro për të bërë një pagesë në Lekë dhe kur i tërhoqa më ranë më pak se më parë, vetëm 133.5 mijë, nga rreth 140 mijë lekë të reja që merrja dikur. Dhe ta mendosh që në të dyja herët janë paratë e mia. Të njëjtat. Unë i kam depozituar. Por ama kur i kthej në lekë dhe i numëroj ... nuk më dalin njësoj”, tregon e nervozuar ajo.

Këto janë vetëm dy eksperienca nga shumë e shumë të tilla që qytetarët shqiptarë mund të tregojnë për këta muajt e fundit, kur në tregun e brendshëm të këmbimit valutor është konstatuar një rënie e beftë e monedhës evropiane, euro, duke fuqizuar dukshëm lekun. Ky i fundit, sipas të dhënave të fundit zyrtare të Bankës së Shqipërisë, ka arritur të këmbehet deri në nivelin e 133.5 lekëve. Duke arritur kështu, në të njëjtat kuota të vitit 2009, kur duhet thënë se euro njohu edhe “pikiatën” e vërtetë të saj në tregun e brendshëm valutor, muaji pas muaji, për shkak të efekteve të menjëhershme të krizës ekonomike globale.

Po kush fiton nga kjo situatë? Sipas ekspertëve të ekonomisë, të parët janë ata qytetarë të cilët të ardhurat e tyre i kanë në monedhën vendase, lek, por ama pagesat, të tilla si këstet e kredive për shembull, e në shumë raste edhe qiratë e mjediseve të ndryshme i bëjnë në euro. E thënë më thjesht, nëse pagën e ke në lekë, por pagesat i bën në euro, ti fiton më tepër teksa i këmben. E kundërta e dukurisë në fakt, me depozituesit e kursimeve të tyre në monedhën evropiane. Sepse kur ata i tërheqin ato prej bankave dhe u duhet t’i këmbejnë në lekë, marrin më pak para’ në duar, fjala bie, në krahasim me dy vite më parë, kur kishin kënaqësinë që eurot e kursyera t’i këmbenin me plot 140 Lekë.

Nga ana tjetër, vështirë duket se do ta kenë me Euron “në pikiatë” edhe emigrantët që pritet të vijnë gjatë këtij sezoni veror në vendin tonë, pasi ata sjellin një prurje të madhe të saj. Dhe teksa do t’u duhet ta këmbejnë, pasi pagesat në Shqipëri kryesisht i bëjnë me lekë, do të kenë më pak nga këto të fundit në duar, në krahasim me vitet e kaluara.

EFEKTET

“Të dënuarit” e zhvlerësimit të monedhës evropiane, ata të cilët kryejnë pagesa me të       

Të gjithë ata persona të cilëve u duhet të kryejnë pagesa në monedhën evropiane, euro, duket se janë “të dënuarit” kryesorë nga zhvlerësimi i fundit i saj përballë lekut. Përfshihen këtu për shembull të gjithë ata që duhet të blejnë një pasuri të patundshme, akt ky që gjatë viteve të fundit në vendin tonë është kthyer në traditë për t’u kryer në Euro. Por nga ana tjetër, edhe ata të cilët duhet të venë me pushime jashtë shtetit këtë sezon veror dhe janë të detyruar t’i paguajnë ato pranë agjencive, sërish me monedhën evropiane. Thuajse asnjëherë nuk kemi dëgjuar oferta prej këtyre agjencive në monedhën vendase, vetëm në euro. Sikundër, edhe të gjithë ata që shesin prodhime shqiptare jashtë vendit, pra, kategoria e eksportuesve në tërësinë e tyre.

KRAHASIMI

Monedha amerikane, dollari, duket të jetë më e stabilizuar sesa monedha evropiane, euro, në tregun e brendshëm të këmbimit valutor. Kështu referojnë të paktën shifrat e fundit të Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave, dollari ka shënuar ritme të të qeta si të ngritjes, ashtu edhe të rënies së tij, krahasuar me valutën evropiane. Konkretisht, në fundjavë ai është këmbyer me vlerën e 119.40 lekëve, duke ruajtur pak a shumë të njëjtën qëndrueshmëri, si edhe gjatë muajve të fundit. Dhe një rritje progresive në vazhdim në fakt, krahasuar me vitin 2009, kur euro atëherë kishte edhe kulmin e vet. Kujtojmë se në këtë vit të pasojave të krizës ekonomike, dollari këmbehej deri në 94 lekë.

Historia/ Euro e filloi “rrugën” me 124 Lekë

Vetëm 124 lekë! Kaq ka qenë vlera fillestare zyrtare e këmbimit të euro-s në tregun e brendshëm valutor, kur ajo u bë pjesë e tij në janarin e vitit 2002. Ishte në fakt momenti kur ajo u ligjërua si monedha e Bashkimit Evropian dhe si e tillë, nisi të përdorej edhe në vendin tonë. Vit pas viti, ajo ka njohur më pas rritje të kësaj vlere, duke arritur menjëherë në “pikun” e saj vetëm në janarin e vitit 2003, kur kapi kuotimin e 140 mijë lekëve. Më pas, “rrugëtimi” i saj vijoi me kuota më të ulëta, për të arritur deri në vitin 2011, i cili mund të thuhet se ishte edhe viti “i artë” për euron. Dhe kjo, pasi kuotimi i saj në tregun e brendshëm valutor arriti në vlerën zyrtare të141-142 lekëve, saktësisht në muajt maj-qershor 2011. Vlera këto të përsëritura edhe gjatë vitit 2013, për të arritur në vitin 2015 kur nisi të ravijëzohet edhe rënia e parë e euros. Konkretisht, që nga janari i vitit 2016 euro nisi të këmbehet me një kuotë prej 138 lekësh dhe kështu vazhdoi trajektoren e saj rënëse, për të arritur deri në verën e këtij viti, kur ajo edhe ra në “pikiatë”, me vetëm 133.6 lekë këmbim!

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: