Faleminderit mister! Me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, De Biasi voton si shqiptar

Faleminderit mister! Me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, De Biasi voton si shqiptar
Ish-trajneri i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi, ka votuar pak minuta më parë në një qendër votimi në Tiranë.

Ai gjatë kohës që ishte trajner i Kombëtares së Shqipërisë, fitoi edhe nënshtetësi shqiptare, që i dha sot të drejtë të votojë si të gjithë qytetarët e tjerë.

Ai ka pritur në radhë për të votuar, si gjithë qytetarët e tjerë. Pas votimit De Biasi lëshoi edhe një batutë, “nëse nuk më përzini do të jem ende shtetas shqiptar”.

De Biasi u shpreh se ishte i qartë në idetë e tij se për kë do të votonte.

“Kam 5 vjet që jetoj në Shqipëri. E njoh shumë mirë dinamikën e këtij vendi. Nëse nuk më përzini do të jem ende shtetas shqiptar. Isha i qartë në idetë e mia përpara se të votoja. Faleminderit!”,  tha De Biasi. Kjo ishte hera e parë që De Biasi votoi një nga zonat tradicionale në Tiranë, te “Xhamlliku”.

Një ditë më parë, përmes një ceremonie përshëndetëse, të organizuar nga Federata Shqiptare e Futbollit, ish-trajneri Italian i kombëtares Giani De Biasi, i dha lamtumirën kombëtares së kuqezinjve.

Të pranishëm ishin lojtarë dhe ish-lojtarë të Kombëtares, drejtues të FSHF­-së dhe Ambasadori Italian në vendin tonë Albertio Cutillo.

Në fjalën e tij tekniku Italian, që e bëri Shqipërinë të prekte ëndrrën europiane u kujdes të linte të hapur mundësinë e bashkëpunimit me Kombëtaren tonë në të ardhmen.

Gjatë ceremonisë, De Biazit, iu dorëzua edhe titulli “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, i akorduar nga presidenti, Bujar Nishani, për arritjet e tij gjatë këtyre 5 viteve në krye të Kombëtares Shqiptare.

De Biasi kishte një mesazh për lojtarët e kombëtares kuq e zi. Ambasadori Italian në vendin tonë, Alberto Cutillo, falenderoi De Biazin për punën e tij për ngritjen e urave të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Italisë.

De Biasi, i cili tashmë ka edhe pasaportë shqiptare uroi në shqip për festën e Bajramit të gjithë besimtarët mysliman, ndërkohë edhe pas votimit sot si shtetas shqiptar, ai do të largohet drejt vendlindjes së tij, ndërkohë që ende nuk ka gjetur një ekip të ri.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: