FUSHATA NË STUDIOT TELEVIZIVE - NGA ROLAND QAFOKU

FUSHATA NË STUDIOT TELEVIZIVE - NGA ROLAND QAFOKU
NGA ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit, tashmë, ka arritur pikun e saj. Me atë që kemi ndjekur në këto 11 ditë, kemi krijuar një tablo të qartë, të të gjitha partive dhe të kandidatëve dhe besohet se nuk do të ketë surpriza për mënyrën se si po funksionon deri në datën 23, kur kjo fushatë do të mbyllet. Por në fakt, në realitet, ka dy fushata elektorale: Njëra është ajo në terren, e madhja, më e dukshmja, më pompozja dhe që shihet vetëm me sy dhe tjetra, është një produksion në ekrane dhe studiot televizive, e përzgjedhur, e kujdesshme, plot preferenca, deri në aktrim, që shihet vetëm në televizor.

E para ngjason me një shfaqje teatri që, nëse nuk pret një biletë dhe nuk shkon ta ndjekësh vetë duke respektuar radhën dhe numrin e karriges, - sado të ta tregojnë, nuk do ta kesh idenë si është. Ndërsa e dyta, i ngjan filmit artistik me regji televizive, plot skena, mjeshtri aktori, dubla e deri skenarë realë dhe irealë, që mund ta ndjekësh në kinema, në televizor, por edhe në youtube, livestream, facebook etj. E dyta është më e rëndësishmja dhe të gjitha bateritë e politikanëve, janë derdhur më shumë këtu se te e para. Kjo për faktin se politikanët shqiptarë e dinë mirë atë që ish-presidenti amerikan, Barack Obama, thoshte: Unë jam, ajo çka media thotë se jam. Zgjidhja e papritur e krizës politike e zuri gafil një pjesë. Partia Demokratike thjesht e nisi atje ku mbaroi çadra dhe e filluan zyrtarisht, aty ku PS e LSI po vijonin fushatën.

Për Partinë Socialiste, kjo është fushata më e organizuar edhe se kur ishte në opozitë. Makineria e saj është ndezur qysh në muajin prill. Zyrat e saj të Marrëdhënieve me Publikun është kujdesur të ketë në mendje jo vetëm kanalet e mëdha dhe të preferuar, por çdo grimcë televizive që ka në 28 mijë kilometrat katrorë. Në qarqe nuk janë stacionuar vetëm kandidatët dhe specialistët e tyre të medias, por edhe teknologjia e tyre mediatike.

Partia Demokratike ka më shumë spontanitet, por gjithsesi organizimi është po ai edhe përpara fushatës, me një zyrë që koordinon gjithçka dhe me shtabet politike që koordinohen me terrenin dhe televizionet njëkohësisht.

Pak ndryshe ndodh me LSI-në. Nuk ka një shtab të mirëfilltë si në PS e PD, por secili personazh dhe secili shtab në qark, ka Marrëdhënien e vet me Publikun. Por më shumë, këtë rol e luajnë vetëdrejtuesit e strukturave.

Ndërkohë, edicionet e lajmeve janë përmbytur me lajmet e fushatës dhe beteja e partive dhe e kandidatëve, matet se sa shfaqen aktivitet e tyre në ekran dhe sa herë në ekran dalin fytyruat dhe sinkronet e tyre.

Megjithatë, makinat më të rëndësishme në këtë fushatë, janë studiot televizive që në një farë mënyre, janë parlamenti në miniaturë. Nga e hëna deri të dielën dhe nga mëngjesi deri në mbrëmje vonë, gëlojnë emisionet politike. Madje edhe në emisione me tematikë që nuk kanë lidhje me politikën, fushata është aty. Kulmi ishte në një ekran kur një kandidat, për të përçuar idetë e veta kundrejt elektoratit, gatuante live në studio, ndoshta një sport që kurrë nuk e kishte kultivuar në jetën e  vet.

Të ftuarit në studio janë ndarë në shumë kategori. Të parët fare, janë kryetarët e partive. Edi Rama, Lulzim Basha, Petrit Vasili, Ben Blushi, Shpëtim Idrizi etj., janë të kudondodhurit. Edhe pse në edicionet e lajmeve janë po ata që i mbushin, nga lajmi i parë te i fundit, ata nuk mungojnë as në studio. Matje aty letra e lakmuesit vlen më shumë. Si në intervista “tet a tet” apo edhe në debate, pikërisht aty kryetarët nisin dhe bëjnë bilancin e parë të fushatës. Të dytët që shfaqen në studio janë kandidatët që partitë dhe shtabet e tyre i kanë më të preferuar. Artikulojnë mirë, polemizojnë dhe debatojnë po aq mirë dhe kur është nevoja, dinë të bëjnë shumë mirë edhe zhurmuesin ndaj kundërshtarit. Ka raste që emisionit i japin lezet, por ka raste që të bëjnë ta fikësh fare televizorin, megjithëse askush nuk e fik dhe pavarësisht lumit të kritikave, audienca aty shënon kulmin. Të ftuarit e tretë janë ata që këmbëngulin vetë për t’i ftuar. Këta janë më profesionistë, më artikulues, kanë më pak militantizëm, dinë të flasin pa përsëritur veten dhe mbeten përherë mes preferencës së gazetarit dhe asaj të liderëve të partive. Të katërtët janë analistët mes të cilëve, realisht, ka nga ata që nuk kanë asnjë ndikim nga partitë dhe përherë shfaqin mendimin e tyre personal, edhe pse edhe ata votojnë për dikë. Por ka nga ata analistë që, përpara çdo daljeje televizive, provën gjenerale e bëjnë në selitë e partitë preferuese, duke u bërë marioneta të tyre. Ka edhe nga të vetëquajtur analistë, ata që ne gazetarët e emisioneve, i quajmë rezervat e shpëtimit, - që shkojnë sa nga një studio në tjetrën dhe vetëm flasin, - por se çfarë dhe si, kjo nuk ka rëndësi. Edhe gazetarët e dinë këtë, edhe vetë ata e dinë se çfarë mendojnë gazetarët; megjithatë, kjo mënyrë vazhdon sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Monitorimi nga Bordi i Monitprimti pranë KQZ-së është pjesa më serioze e studiove. Një komision me gazetarë i cili furnizohet nga matjet që kryen Autoriteti i Medias Audiovizive dhe që nxjerr një raport çdo ditë dhe çdo javë. Kjo është pjesa e dukshme, sepse shikuesit as që e kanë idenë e luftës në studio për balancim se sa minuta duhet t’i japësh PS-së, sa minuta duhet t’i japësh PD-së dhe se sa minuta duhet për LSI-në e PAA-në. Por nuk mbaron këtu. Ka edhe pyetje të tilla se ku përfshihet minutazhi i Edi Ramës, te aktivitetet e kryeministrisë apo të Partisë Socialiste dhe ku përfshihet minutazhi i presidentit të zgjedhur Ilir Meta, te presidenca apo te aktivitetet e LSI? Dilema mes drejtuesit dhe Bordit të Monitorimit, ende nuk është zgjidhur.

Gjithë kjo është një panoramë e cila tregon pjesën e dukshme dhe të padukshme të fushatës, që tregon, gjithashtu, një betejë mes mënyrës së parë dhe mënyrë së dytë të të bërit të fushatës. Janë e njëjta gjë, por që luftojnë dhe konkurrojnë fort me njëra-tjetrën. Aq sa, mund të themi, këto zgjedhje do t’i fitojë ai që do të fitojë betejën e ekraneve. Më saktë akoma, ai që do të fitojë betejën në studiot televizive.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: