Fushata zgjedhore prish maturën, del edhe testi i matematikës

Fushata zgjedhore prish maturën, del edhe testi i matematikës
Ministria e Arsimit e drejtuar nga 3 forca politike. PD: Procesi është mbikëqyrur nga komisioni i maturës shtetërore që menaxhohet nga përfaqësues të 2 forcave të tjera LSI dhe PS. Maturantët: Kjo situatë nuk është normale, disa marrin nota me kopje e disa me djersë

Sonila Isaku

Fushata zgjedhore, këtë vit, ka prishur maturën shtetërore. Në të tre provimet e kryera deri më tani, nga maturantët, testi është publikuar në rrjete sociale, një orë pas fillimit të provimit. Ashtu sikurse edhe gjatë dy provimeve të para, atyre të anglishtes dhe letërsisë, edhe gjatë zhvillimit të provimit të matematikës, gjatë ditës së djeshme, varianti A i testit ka qarkulluar në rrjete sociale, pas fillimit të provimit. Mungonin ushtrimet me shkallë të lartë vështirësie. Në lidhje me skandalin e radhës për daljen e tezës së Matematikës në rrjetet sociale, përfaqësues pranë Ministres se Arsimit që i përkasin Partisë Demokratike, nuk mbajnë përgjegjësi. Ata thonë se procesi është mbikëqyrur nga komisioni i maturës shtetërore që menaxhohet nga përfaqësues të dy forcave të tjera, LSI-ja dhe PS-ja. Ndërkohë, drejtues të komisionit të maturës ende nuk kanë një reagim zyrtar në lidhje me daljen e tezës para përfundimit të provimit.

Dalja e testit

Një orë pas nisjes së provimit të matematikës, teza A ka nisur të qarkullojë në rrjete sociale, duke rënduar edhe më tepër situatën sa i takon procesit të maturës shtetërore, pasi këtë vit ai është prishur nga politika. Shumë prej 37 mijë maturantëve, janë votues për herë të parë dhe për këtë fakt, të gjitha partitë politike janë të interesuara për të pasur më afër votues të rinj. Ashtu sikurse edhe në dy provimet e kaluara, edhe gjatë provimit të djeshëm të matematikës, njëra nga tezat e provimit, varianti A, është publikuar në një rrjet social. Kjo hedh dyshime se ndonjë maturant ose administratorët që kanë qëndruar nëpër salla, mund të kenë përdorur celular. Pasi dolën nga provimi në orën 12:00, maturantët pohuan se varianti i publikuar u kish rënë në provim. “Ky është një nga ushtrimet që ne kishim në provim, se e mbaj mend. Por të flas për shkollën tonë, është e sigurt që nuk ka dalë. Na kanë kontrolluar dy herë, nëse kemi ose jo telefona celularë”, - pohon një maturant. Një pjesë e nxënësve shprehen të irrituar nga ky fakt, dhe thonë se nuk është hera e parë që ndodh. “Kjo është e padrejtë, pasi një pjesë e marrin notën me kopje e ne të tjerët me mundim e djersë”, - pohon një maturant.

Sipas tyre, në momentin që ka nisur provimi ishte e pamundur të komunikoje, pasi në sallë dhe në korridore qëndrojnë administratorët e provimeve. Në lidhje me pyetjet, maturantët thanë se pyetjet ishin të një niveli mesatar.

Provimi

Nga ora 10:00 deri në 11:30, maturantët zhvilluan provimin që kishte 25 pyetje nga të cilat 13 kërkesa, janë me përgjigje alternative, që vlerësohen nga 1 pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim, që vlerësohen me 37 pikë. Testi do të vlerësohet me 50 pikë. Maturantë të gjimnazit "Ismail Qemali" në kryeqytet, u shprehën se provimi ishte mesatar, ndërsa thanë se procesi ishte shumë normal. Megjithatë i mbetet rezultateve ta përcaktojnë nivelin e njohurive, pasi deklaratat e maturantëve bëhen në kuadrin e përgatitjes së tyre, duke reflektuar nivelin e studimeve gjatë viteve të gjimnazit.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: