GJASHTË SKENARËT E 25 QERSHORIT!- NGA ALFRED PEZA

GJASHTË SKENARËT E 25 QERSHORIT!- NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Nisur nga mënyra sesi po zhvillohet fushata elektorale, sondazhet e ndryshme profesionale të bëra ose jo publike, rreshtimi i partive politike jashtë aleancave të dikurshme dhe performanca e përditshme e liderëve politike nëpër takimet anekënd Shqipërisë dhe në të gjitha llojet e mediave, 25 qershori pritet të prodhojë një rezultat që meriton të analizohet qysh tani. Kjo do të diktojë mënyrën sesi do të jetë e detyruar të sillet apo të veprojë e të vendosë, partia fituese e këtij procesi. Por edhe nevojat e Kryeministrit të ardhshëm, për të patur mazhorancë sa më solide, pavarësisht ulje ngritjeve që mund të sjellë ushtrimi i pushtetit në 4 vitet e ardhshme.

Le t’i marrim me radhë të gjitha mundësitë, duke analizuar jo vetëm indikacionet, faktet dhe logjikën që të çon tek ky përfundim, por edhe probabilitetin që ajo ka gjasë të ndodhë.

Skenari 1

PS-ja e bën qeverinë e vetme me kryeministër Edi Ramën. Nisur nga sondazhet dhe analiza e projeksionit të rezultateve në të gjitha qarqet e vendit, PS-ja luhatet në këto zgjedhje drejt një rezultati që shkon në fitoren nga 69 deri në 75 mandate deputetësh e vetme, për Parlamentin e ri. Shkaqet që mund të çojnë në një rezultat të tillë janë të panumërta, por më kryesorët janë mbështetja për reformat e mandatit të parë. Sidomos për reformën në drejtësi dhe fillimi i punës për Vetting-un e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve në të gjithë vendin. Një reformë deri dje e paimagjinueshme, por sot ka nisur puna për ndërtimin e një pushteti të ri drejtësie, me arkitekturë dhe njerëz që plotësojnë kritere tepër striktë në çdo drejtim. Duke krijuar idenë se, më në fund, ka një forcë dhe vullnet politik për të ndërtuar një shtet modern e funksional edhe në Shqipëri. Ç'ka mundëson që brenda këtij viti, të hedhim ndoshta edhe hapin e parafundit, përpara anëtarësimit me të drejta të plota në BE. Ky skenar ka 50% probabilitet të ndodhë.

Skenari 2

PS-ja fiton e vetme 71 mandate, por nuk e bën qeverinë me kryeministër Edi Ramën, e vetme. Pra, fut në koalicion paszgjedhor, aleatë të rinj. Edhe kjo ka shumë mundësi të ndodhë, po të kemi parasysh faktin se vetë lideri socialist, e ka artikuluar këtë tezë. Duke thënë, pak a shumë, se ne duam që shqiptarët të na e besojnë të vetëm "timonin e qeverisë së re" për t’i patur duart dhe prehrin të lirë. Në mënyrë që siç thotë ai, ta çojë më shpejt e pa pengesa në destinacion, makinën e bërjes së punëve me ekonomi më të zhvilluar, me më shumë punësim, shtet dhe mirëqenie për qytetarët. Mundësia më e madhe nëse jemi në këtë skenar, është që PS-ja të bëjë aleancë me parti të vogla parlamentare të cilat, së bashku me socialistët, mund të përbëjnë një mazhorancë që garanton mbështetjen e reformave të reja në parlament, pa frikën e rrëzimit të qeverisë për një apo një arsye tjetër. Përjashtohet nga ky skenar, aleanca paszgjedhore qoftë me PD-në, por qoftë edhe me LSI-në. Nga ana tjetër, PD-ja sipas marrëveshjes së 18 majit, Rama- Basha, do të mbështesë në parlament me votën e grupit të saj parlamentar në opozitë, reformat elektorale, për administratën, për integrimin, etj. Edhe ky skenar ka probabilitet të lartë të ndodhë gjithashtu.

Skenari 3

PS-ja fiton e vetme rreth 70 (- 1,2) mandate, pa mundur të ketë qoftë edhe për fare pak mandate, mundësinë për ta krijuar e vetme qeverinë e re, me kryeministër Edi Rama. Edhe në këtë rast, PS-ja do të jetë e detyruar të bëjë aleancë me parti të vogla parlamentare, për të siguruar votat e nevojshme për miratimin e programit dhe ekipit të ri qeverisës në kuvendin e ri në shtator. Edhe në këtë skenar, përjashtohet mundësia e aleancës me PD-në dhe LSI-në. Partia ose partitë e deputetët që do të ishin pjesë e kësaj mazhorance të re, do të dobësonin forcën e kryeministrit, për të patur një qeveri të fortë siç ai është shprehur se e dëshiron, sepse votat që do të krijonin mazhorancën, do të kërkonin të kontrollonin dhe ushtronin më tepër pushtet, sesa do të kenë realisht numra në kuvend. Një histori e njohur dhe një film i parë ky nga shumë shqiptarë, të paktën në 8 vitet e fundit, kur PD-së në 2009-2013, iu desh të bënte aleancë me LSI-në dhe socialistëve, gjithashtu, më 2013- 2017, si me LSI-në e më pas edhe me PDIU-në. Probabiliteti që ky skenar të ndodhë është mjaft më i vogël se ai i dy skenarëve të parë, por me mundësi që të ndodhë. Pasi, sipas sondazheve shumë të besueshme, socialistët luajnë me shumë pak vota në disa qarqe për të mundësuar fitimin e mandateve që i kanë si objektiv, për të realizuar fitoren e vetme. Çka do të thotë se, përcaktuese për gjithçka, janë këto ditë dhe orë të fundit të fushatës, përpara se të hapen kutitë e votimit të së dielës që kemi përpara.

Skenari 4

Skenar tjetër është ai i fitores së PS-së me një numër përafërsisht mandatesh, sa në zgjedhjet e 4 viteve më parë, çka e detyron kryeministrin të kërkojë aleanca partish më të mëdha se ato që mund të sigurojnë nga një, deri në një numër mandatesh minimale për krijimin e një grupi parlamentar. Probabiliteti që ky skenar të ndodhë, është tepër i ulët. Por kjo do të detyronte krijimin e një aleance me mazhorancë numerike shumë të madhe, që do të ishte e mirë nga njëra anë, pasi garantonte miratimin e çfarëdolloj reforme, me çfarëdolloj numrash që të kërkonte. Por, nga ana tjetër, çmimi i një qeverisje me një aleancë të tillë, do të ishte shumë i lartë në kurriz të cilësisë së qeverisjes. E, mbi të gjitha, kjo do të ishte asfiksues për opozitën dhe për cilësinë e demokracisë, edhe kështu të brishtë, në Shqipëri. Kjo aleancë mund të krijonte për herë të parë një qeveri mes PS-së dhe PD-së dhe, në çdo rrethanë, do të përjashtonte përfshirjen në të të LSI-së.

Skenari 5

Skenari që pakkush do ta dëshironte në PS, është kombinacioni i një rezultati që do ta dënonte këtë parti dhe Edi Ramën, të ulej për të bërë një aleancë me një konglomerat partish të vogla, votash dhe mandatesh sa andej-këndej, vetëm e vetëm për t'iu shmangur një aleance me PD-në dhe me LSI-në. Një përzierje votash, që mund ta bënte shumë të brishtë qeverisjen e mazhorancën dhe që do ta mbante nivelin e alertit për rënien e saj, në nivelet maksimale, gjatë gjithë kohës. Probabiliteti që kjo të ndodhë është shumë, shumë i vogël.

Skenari 6

Skenari i fundit të cilin sot, duket se nuk e dëshiron asnjë i majtë, pavarësisht partisë që ai mbështet më 25 qershor, është kombinacioni i një rezultati të tillë për PS-në, sa ta detyronte Edi Ramën t’i bënte telefonatën e parë Petrit Vasilit, pas daljes së rezultatit. Por, si në atë thënien e Nastradinit, "çdo e keqe e ka një të mirë", ky do të ishte ndoshta i vetmi skenar që do ta qetësonte marrëdhënien mes kryeministrit dhe presidentit të ri të vendit, duke krijuar klimën për një raport, më në fund pas shumë vitesh, të harmonizuar mes kreut të shtetit dhe shefit të ekzekutivit të vendit. Probabiliteti që kjo të ndodhë, është po ashtu shumë, shumë, shumë i ulët.

Pavarësisht mundësisë, të gjithë skenarët janë në lojë dhe duhet të merren parasysh, të paktën përgjatë një analize si kjo. Për aq kohë sa çdo gjë mund të ndodhë në një proces elektoral, ku shqiptarët kanë votuar në mënyrë inteligjente përgjatë zgjedhjeve parlamentare. Një gjë është e qartë qysh tani, se shqiptarët po tregojnë masivisht, si kurrë më parë nëpër fushata, se duan të shkëputen nga e kaluara dhe nëpërmjet reformave të thella e të shpejta, duan të jenë sa më shpejt pjesë e një realiteti të ri. Kjo shpjegon shumëçka nga skenarët e mësipërm.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: