Harta e re elektorale, Shqipëria ngjyroset mavi

Harta e re elektorale, Shqipëria ngjyroset mavi
Fitore e thellë e Partisë Socialiste. Rama merr i vetëm timonin me 73 deputetë. Partia Demokratike pëson një humbje të thellë, ndërsa LSI një rritje të lehtë. Si janë shpërndarë votat dhe mandatet qark pas qarku

Alket Aliu

Rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare flet qartë për fitoren e Partisë Socialiste. E cila ka dominuar nga fillimi i numërimit. Përfundimisht, Partia Socialiste ka siguruar 73 mandate deputetësh dhe mund të qeverisë e vetme, sikurse kishte kërkuar gjatë gjithë fushatës Kryeministri Rama. Partia Demokratike ka mbetur në vend të dytë, por me diferencë të ndjeshme: Vetëm 43 mandate. Lëvizja Socialiste për Integrim është konfirmuar forcë e tretë me 19 mandate deputetësh, ndërsa e katërta është renditur Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet me 4 mandate. Një mandat të vetëm ka arritur të sigurojë Tom Doshi në Shkodër, nën siglën e partisë Socialdemokrate. Këto rezultate janë deri në orën 24.00, ndërsa numërimi ka vijuar në disa qarqe.

Bastionet e demokratëve

Partia Demokratike ka arritur të sigurojë fitore vetëm në dy qarqe, nga 12. Bëhet fjalë për Kuksin dhe Shkodrën, të cilët janë konsideruar historikisht si bastione të djathta. Në Kukës PD ka marrë 2 deputetë, ndërsa i treti i ka shkuar PS-së, ndërsa në Shkodër Situata është disi më e komplikuar. PD kryeson me 5 mandate kundrejt 4 të PS, por dy mandate të tjerëv i kanë kaluar LSI-së dhe PSD-së, të dyja parti të majta. Praktikisht, e majta ka fituar edhe në Shkodër me 6 mandate kundrejt 5 të së djathtës, pavarësisht se ato ndahen në forca të ndryshme politike.

Dy qarqet e tjera të Veriut, Dibra dhe Lezha, kanë përfunduar garën në barazim. Në Lezhë, PS dhe PD kanë siguruar nga 3 mandate secila, ndërsa i fundit i ka shkuar LSI-së, duke e zhvendosur këtë qark majtas. Edhe në Dibër, PD dhe PS kanë siguruar të njëjtin numër mandatesh, nga 2 secila, ndërsa LSI dhe PDIU kanë siguruar nga një deputet.

Diferencat e thella

Humbja në qarkun e Korçës mund të konsiderohet e moderuar për Partinë Demokratike. Ka marrë 4 mandate, kundrejt 6 të Partisë Socialiste, ndërsa një mandat i ka shkuar LSI-së. Ndërsa në qarkun e Beratit, PD ka siguruar vetëm një mandat. Dy të tjerë i shkojnë LSI-së dhe 4 Partisë Socialiste. Edhe në Gjirokastër, diferenca është -2. Tre mandate për PS, një për PD dhe një për LSI.

Diferencë e thellë është regjistruar në qarkun e Elbasanit, Fierit, Vlorës dhe Tiranës.

Në Tiranë, ka një diferencë prej 6 mandatesh ndërmjet dy forcave kryesore politike. Deri në mesnatë, Partia Demokratike siguron 11 mandate në kryeqytet, kundrejt 17 të Partisë Socialiste. Pesë mandate të tjerë i shkojnë Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërsa një mandat për PDIU. Partia LIBRA e Ben Blushit ngelet jashtë Kuvendit

Surprizë ishte edhe rezultati në Qarkun e Durrësit, ku diferenca ndërmjet Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike arrin në -4. PS merr8 mandate, PD 4 dhe 2 mandate shkojnë për LSI.

Por mbeten edhe shumë kuti për t’u numëruar dhe në qarqe si Tirana, Durrësi dhe Shkodra, kalimet e mandateve nga një forcë në tjetrën janë të mundshme.

Fitore e thellë e Partisë Socialiste në Vlorë, ku kryeson me 8 mandate, kundrejt 3 të PD dhe 1 të LSI. Në këtë qark, i shtati në listën e PS ishte Kryeministri Rama. Edhe në Fier rezultati ishte i thellë: PS merr 10 mandate, PD merr vetëm 4, ndërsa dy i shkojnë LSI-së. E cila siguron dy deputetë edhe në qarkun e Elbasanit, po aq sa PDIU. Tre mandate janë për demokratët dhe 7 për socialistët.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: