Infeksionet parazitare të zorrëve, si duhet të kujdesemi gjatë stinë së nxehtë

Infeksionet parazitare të zorrëve, si duhet të kujdesemi gjatë stinë së nxehtë
Mjekët infeksionistë tregojnë se këto lloj sëmundjesh, kanë përhapje të gjerë në vendin tonë, për shkak të higjienës ushqimore, kushteve klimaterike apo edhe lëvizjes së pakontrolluar të popullsisë

 

Sonila Isaku

 

Stina e nxehtë është favorizuese për një sërë sëmundjesh të cilat kanë, kryesisht, lidhje me problemet gastrointensinale. Ndaj, në këtë periudhë, kërkohet vëmendje më e veçantë për higjienën, kushtet apo edhe lëvizjes që kryhet nga popullsia në disa zona. Një nga problemet më të hasura në stinën e verës, por edhe gjatë periudhave të tjera të vitit, janë edhe infeksionet parazitare qëkanë një prevalencë të lartë në vendin tonë, pasi kushtet klimaterike, pozita gjeografike, lëvizjet e pakontrolluara të popullsisë, problemet e infrastrukturës, thyerja në hallka të ndryshme e higjienës ushqimore, favorizojnë përhapjen e këtyre sëmundjeve në popullatën shqiptare. Kemi dëgjuar shpesh të flitet për lambien, si një infeksion parazitar, pa u thelluar më tej për mënyrat e transmetimit apo dëmet që mund të sjellë ky parazit në organizëm.

Mjekja infeksioniste në QSUT, dr. Migena Qato, në një përshkrim të hollësishëm të kësaj sëmundje, thotë se “nëse një person i infektuar me këtë parazit lahet në pishinë, atëherë shanset që frekuentuesit e tjerë të pishinës të infektohen, janë të mëdha”.

 

Sëmundja

Lambliaza është një infeksion i zorrës së hollë, shkaktuar nga paraziti Giardia intestinalis, ose i njohur ndryshe si Giardia lamblia është shkaku më frekuent i sindromeve gastrointestinale parazitare i cili, në shifra statistikore, përfaqëson një prevalencë rreth 20% deri 30% në popullatën botërore. Giardia lamblia ekziston në dy forma, forma aktive e quajtur ndryshe trofozoide dhe ajo inaktive e quajtur forma kistike. Këto 2 forma biologjike të parazititit, gjenerojnë në mënyrë dinamike njëra-tjetrën, duke siguruar në këtë mënyrë simptomatologjinë e sëmundjes (është pikërisht trofozoidi aktiv, ai që dëmton enterocitet e zorrës së hollë, duke u bërë përgjegjës, në këtë mënyrë, për shenjat dhe simptomat e sëmundjes) dhe transmetimin apo përhapjen e infeksionit (është forma inaktive, kisti i cili ka atributin për t`i rezistuar për një kohë të gjatë kushteve mjedisore, por edhe aciditetit gastrit pasi gëlltitet, duke u transformuar më pas në trofozoid). Kistet e Giardia lamblia janë të pranishme në feçet e personave të infektuar. Në këtë mënyrë, infektimi nga ky parazit është pasojë e kontaminimit të ushqimeve ose ujit me feçe ose me rrugë direkte fekal-orale. Është evidentuar në fakt se mjaftojnë vetëm 10 kiste për të shkaktuar infeksionin. Kistet arrijnë të mbijetojnë edhe në ujërat e liqeneve apo përrenjve, (kjo e bën lambliazën sëmundjen parazitare më të zakontë, të transmetueshme me ujin, e cila nuk kursen kafshët shtëpiake apo ato të egra (edhe pse mekanizmi i transmetimit të sëmundjes nga kafshët tek njeriu, nuk njihet qartë). Gjithashtu janë të njohura edhe shpërthimet e lambliazës nga ujërat e pishinave, parqeve ujore apo pishinave dimërore (kjo, më tepër, pasojë e personave të infektuar, se sa burimeve ujore të ndotura).

Kush rrezikohet

Lambliaza ndodh në kushtet e higjienës së varfër apo kontrollit inadekuat të ujit të pijshëm. E parë nga ky këndvështrim, lambliaza është shkaku kryesor i diarresë së udhëtarëve, një kondicion klinik kaq shumë i përhapur. Lambliaza ngelet ende shkaku me i shpeshtë i diarresë në kolektivat e fëmijëve (duke u ekspozuar fëmijët, ekspozohen gjithashtu familjarët e tyre, punonjësit e çerdheve apo kopshteve). Gjithashtu, personat që aplikojnë sporte në natyrë dhe konsumojnë ujë nga liqenet apo burime të tjera natyrore, janë të rriskuar për tu infektuar.

 

Simptomat

Periudha e inkubacionit është 1-4 javë. Në pjesën më të madhe të pacientëve, sëmundja është vetëkufizuese dhe zgjat 2 deri 4 javë. Por në shumë pacientë të patrajtuar, sëmundja mund të vazhdojë muaj deri në vite me simptoma e vazhdueshme. Disa pacientë, shërohen nga ky infektim (me ose pa trajtimin e duhur) po simptomat vazhdojnë, madje për një kohë të gjatë. Këto simptoma shoqërohen me të ashtuquajturën sindromi i zorrës së irrituar postinfektive. Shkaqet ende nuk njihen mirë, por një hipotezë e mirë për këtë sindromë është disbakterioza e florës intestinale që vijon pas infeksioneve. Shumica e individëve të prekur, nuk paraqesin shenja klinike (sidomos fëmijët); këta pacientë zbulohen, rastësisht, gjatë në ekzaminimi rutinë të feçes që bëhet në terren të ndonjë sëmundjeje tjetër, si për shembull kur kërkojmë shkakun e një anemie që në rastin konkret është pasojë e mbartjes së këtij paraziti në zorrë. Në disa raste, hasen çrregullime të traktit tretës (meteorizëm, dhimbje barku, veçanërisht ajo epigastrike, nauze, të vjella, shkarkime diarreike, disa herë në ditë, sidomos në mëngjes, me feçe të bollshme, të verdha e me erë të keqe.

Malabsorbimi është një tjetër manifestim që vjen si pasojë e dëmtimit të enterociteve. Probleme në thithjen e lëndëve ushqyese e sidomos të vitaminës B12, duke shkaktuar rënie në peshë dhe dobësim të organizmit dhe për pasojë anemizimin e organizmit. Përveç kësaj klinike mjaft specifike, nuk janë të pakta rastet me temperaturë subfebrile të zgjatur (temperaturë që shkon deri në 37.5 gradë C).  Shumë pacientë kanë fenomene të shprehura alergjike, siç janë urtikariet. Kjo vjen si rezultat i çlirimit të toksinave alergjizuese (substanca alergjizuese), nga paraziti e që mund të shkojnë deri në kriza astmatike.

Diagnoza

Mënyra më e mirë për të diagnostikuar këtë infeksion, është nëpërmjet testimit të antigenit në feçe . Ajo çka identifikohet me këtë test, është proteina e Giardia lamblia dhe më tepër se 90% e të infektuarve diagnostikohen me anë të këtij testi. Një tjetër mjet diagnostikimi është vëzhgimi mikroskopik i parazitit. Në mënyrë që të identifikojmë të gjithë të infektuarit, ky ekzaminim përsëritet me tre mostra të ndryshme, nga çdo pacient. Krahasimisht me testin e antigenit, kërkon më tepër kohë dhe ka një përqindje më të ulët dedektimi. Por vëzhgimi mikroskopik ka avantazhet e veta, duke qenë se na lejon të evidentojmë dhe patogjene të tjerë përveç lamblias, të cilët kanë shkaktuar sindromin diarreik në pacientë të caktuar.

Trajtimi

Trajtimi më i aplikuar deri më sot, për giardiazën, është imetronidazole (Flagyl) për 5-10 ditë. Ka një efikasitet të mirë, rreth 75% deri 100%, por zakonisht shoqërohet me efekte anësore të rëndësishme si nauze, dhimbje epigastrike dhe cefalé. Aktualisht, metronidazoli së bashku me dy preparate të tjera, Tinidazole dhe Quinacrine, janë medikamentet e aprovuara edhe nga FDA (Food and Drug Administration) për trajtimin e Lambliazës. Ndodh, në disa raste, trajtimi me secilin nga këto preparate, të dështojë në eradikimin e këtij paraziti. Në të tilla raste, preparati mund të ndryshohet, të përdoret për një kohë më të gjatë ose të kombinohet me një preparat tjetër (p.sh., quinacrinë dhe metronidazol).

Parandalimi

• Hapi i parë fillon me kontrollin e ujit që konsumohet. Uji i pijshëm konsiderohet i tillë kur i është nënshtruar testimeve të kujdesshme nga instancat përkatëse.

• Në rast se nuk ekziston siguria e testimit të ujit të pijshëm, atëherë detyrimisht duhet aplikuar zierja dhe më pas filtrimi i tij.

• Të shmangen sjelljet ekspozuese (përdorimi i akullit nga ujë i patrajtuar, larja e dhëmbëve, larja e frutave dhe perimeve)

• Larja e kujdesshme e duarve (para ngrënies, pas përdorimit të tualetit, ndërrimit të pelenave ose prekjes së kafshëve shtëpiake). Mbetet, gjithashtu, mjeti më i mirë dhe i sigurt, parandalues.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: