JA PSE PS-ja FITON MË 25 QERSHOR!-NGA ALFRED PEZA

JA PSE PS-ja FITON MË 25 QERSHOR!-NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Do të doja t’i shmangesha maksimalisht çdo lloj qasjeje emocionale në analizën e mëposhtme, për shkak të angazhimit tim në PS, gjë që e bën apriori të paragjykueshëm atë. Por, edhe nëse nuk do ta kisha këtë angazhim, jam i bindur se do të shkruaja të njëjtën, gjë pa i hequr asnjë presje. Ndaj, kini durimin për ti shkuar deri në fund argumenteve të mia, përpara se të mos bini dakord me to. Ose, për ti pranuar si të tilla, nëse ju duken se janë të bazuara në fakte dhe në një analizë logjike. Sepse vetëm kështu, do të mund të kuptohen dhe pranohen. Pavarësisht nëse të dielën, je votues i PS, PD, LSI apo i kujtdo subjekti tjetër politik të regjistruar në KQZ, e për rrjedhojë edhe në fletën e votimit.

Le të fillojmë e t’i marrim argumentet me radhë.

Së pari, të gjitha sondazhet e besueshme, apo edhe ato nga më të pabesueshmet në aspektin profesional që janë zhvilluar deri tani, e japin pa përjashtim Partinë Socialiste si partinë e parë fituese të zgjedhjeve të së dielës. Madje, edhe sondazhet e zhvilluara nga vetë partitë e tjera kryesore parlamentare, e kanë pohuar publikisht këtë realitet që vjen si rezultat i fotogramit të votës së qytetarëve të pyetur. Në Shqipëri, shumë vite më parë, ka patur eksperienca zhgënjyese në sondazhet e zhvilluara qoftë edhe nga kompani me reputacion ndërkombëtar. Por në kushtet e zhvillimit të pazakontë të mediave dhe rrjeteve sociale, proces pas procesi, sondazhet e realizuara nga kompanitë e specializuara, kanë ardhur duke nxjerrë rezultate gjithnjë e më pranë rezultatit zyrtar të çertifikuar më pas edhe nga KQZ.

Së dyti, prej 20 vjetësh, që pas zgjedhjeve të qershorit 1997, e deri më sot, është ruajtur një rregull i pashkruar i ciklit të qëndrimit me radhë në pushtet herë të PS, e herë të PD. Sipas këtij rregulli secila e ka mbajtur për 8 vjet timonin e qeverisjes, ose nga dy mandate të plota. Kështu ka ndodhur me PS në vitet 1997- 2001 dhe 2001- 2005. Më pas, historia u përsërit me ardhjen e PD në pushtet në 2005- 2009 në mandatin e parë. E për të vijuar mandatin e dytë nga 2009- 2013. Nuk duket të ketë arsye të qenësishme, të dukshme apo të pritshme që ky rregull të ndërpritet për të mos vijuar më. Pas mandatit të parë 2013, duket krejt normale dhe e arsyeshme që PS të qëndrojë në pushtet edhe për një mandat të dytë në katër vitet e ardhshme, 2017- 2021. Pak rëndësi ka për këtë analizë, nëse ajo do ta drejtojë e vetme qeverinë, apo do të jetë e detyruar që të bëjë aleanca, në varësi të rezultati dhe nevojës për një mandat sa më solid.

Së treti, PS dhe Kryeministri Edi Rama e kanë qeverisur Shqipërinë përgjatë mandatit të parë, duke u bazuar në realizimin e reformave të thella të shtetformimit modern, në sektorët më kyç të vendit: Arsimi i lartë, reforma e ndarjes administrativo- territoriale, pensionet, reforma e energjisë, e rendit dhe sigurisë, shëndetësi, legalizimet, dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë, e shumë e shumë sektorë të tjerë. Për ta mbyllur katërvjeçarin e parë, me kryereformën: Me atë në Drejtësi. Ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe miratimi i paketës së 7 ligjeve që e shoqërojnë atë, kulmoi me fillimin e procesit të vetting-ut për rreth 800 gjyqtarët dhe prokurorët e vendit. Kjo, por edhe shëndoshja e financave publike dhe buxhetit të shtetit, rritja e pagave dhe pensioneve, rritja ekonomike dhe projekti i madh i rilindjes urbane të 71 qyteteve të Shqipërisë, i bëjnë qytetarët të besojnë se kjo qeveri ka nevojë për një mandat tjetër, që ti çojë të gjitha këto deri në fund përpara, në mënyrë që të japin edhe rezultatet e pritshme. Për më shumë punësime, mirëqenie dhe shtet të sigurt e të drejtë.

Së katërti, mitingjet e zhvilluara deri tani, përgjatë muajit të fushatës elektorale anekënd vendit, janë një tregues i dukshëm i mbështetje si kurrë më parë për PS, në kontrast të thellë me PD. Kudo ka pjesëmarrje masive, frymë, entuziazëm dhe njerëz që reflektojnë optimizëm dhe pritshmëri edhe më të mëdha në katër vitet që vijnë. Nga ana tjetër, Kryeministri Rama ka një mesazh shumë të prekshëm për të gjithë, e të formuluar fare thjeshtë: Shumë kemi bërë, shumë kemi për të bërë, por akoma më shumë ka për të humbur nëse kthehemi mbrapa. Është kjo arsyeja që për herë të parë, një parti politike qeverisëse përgjatë fushatave elektorale, i shmang flamujt e vet partiakë dhe vendos në qendër të çdo takimi flamurin kombëtar. Duke i dhënë më shumë fokus nevojës për ta votuar programin e saj, edhe qytetarët jashtë gardheve partiake, apo ndarjes në të majtë e në të djathtë. Shumë kandidatë të listës për deputetë të PD apo partive të saj aleate, ish drejtues politikë dhe votues tradicionalë të së djathtës, janë shprehur hapur se do të votojnë për PS dhe Edi Ramën këtë radhë.

Së pesti, klima paraelektorale e elektrizuar, u zhbë dhe klima e përgjithshme zgjedhore u relaksua si në asnjë proces tjetër në këto 27 vjet, pas marrëveshjes Rama- Basha të 18 majit. Duke dhënë një mesazh shumë të qartë për të gjithë votuesit, se klasa politike, përtej problemeve të së shkuarës dhe të sotmes, di të ngrihet mbi interesat e ngushta partiake, për të mirën e vendit dhe të së ardhmes së saj europiane. Tejkalimi në mënyrën më qytetare dhe civile të mundshme, i krizës politike pas qëndrimit të PD për tre muaj në çadër, tregoi se PS dhe Rama janë gati të lëshojnë pushtet për të bërë shtet. Futja e ministrave teknikë nga opozita në qeverinë Rama, u bë garancia që nuk ishte dhënë kurrë më parë, për një proces elektoral të drejtë, të barabartë dhe të pakontestueshëm nga palët. Gjë që i jep legjitimitet maksimal jo vetëm votës së qytetarëve, por edhe mazhorancës që do qeverisë vendin deri më 2021.

Dhe e fundit, të gjitha këto dhe shumë faktorë të tjerë, duhet të na çojnë më 25 qershor, tek standardi më i lartë në raport me çdo proces tjetër zgjedhor që është mbajtur ndonjëherë në Shqipëri. Ky çertifikim, do të ishte hapi i fundit drejt hapjes së negociatave për anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian, brenda këtij viti. Një arritje historike për shqiptarët, që do të na bënte shumë shpejt pas kësaj, anëtare me të drejta të plota të Unionit Europian, duke mundësuar realizimin e një ëndrre të kahershme të gjithkujt prej nesh.

Ky rezultat do t’i bënte mirë jo vetëm vendit dhe PS, por edhe shëndetit në përgjithësi të demokracisë shqiptare. Sepse, katër vitet e ardhshme do t’i jepnin kohën e mundësinë PD-së dhe LSI-së, që duke qëndruar në opozitë të riorganizoheshin, ristrukturoheshin, të maturoheshin nëpër betejat e reja opozitare, e të përgatiteshin për tu bërë gati për rikthimin në pushtet. Duke dhënë një kontribut madhor gjithashtu, për normalitetin demokratik të vendit dhe stabilitetin e tij afatgjatë. Faktorë kyç këto, për rritjen e imazhit të munguar për Shqipërinë kudo në botë. Një element thelbësor ky për shtimin e investimeve të huaja, rritjen e shpejtë ekonomike të vendit dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: