JERONIM DE RADA, ALIAS LEKË PLEPI-NGA FRROK ÇUPI

JERONIM DE RADA, ALIAS LEKË PLEPI-NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

 Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Pse ky titull?... Fillimisht, sepse sot kandidati për deputet i PD në Shkodër, Gurakuqi, në vend të Migjenit citoi Qemal Stafën; dhe pastaj në vend të Frederik Shiler citoi Migjenin...

Nesër Migjenin mund ta ngatërrojnë me Lekë Plepin...

Lekë Plepi është një burrë i ri nga Mbishkodra, i veçantë për talentin e ‘artit të paskrupullt’, nëse mund ta quajmë kështu; si dhe blogist i famshëm për shkak se shkruan gjithçka: vulgare, jo- vulgare, të vërtetë, të pavërtetë..., si t’i vijë. Njerëzit, sidomos në shtresat e ulëta, e ndjekin dhe ‘fansat’ ai i kthen në ‘famë’ për vete. Por po kështu e ‘përdor’ Lekën ancorman-i i TV Klan, Çani dhe ‘tallet me dunjanë’, siç thotë vetë...

Po Jeronim De Rada, cili është vallë?...

Kjo është çështja, pse De Radën e njohin pak njerëz, fare pak, shumë herë më pak se Lekë Plepin. Duke kaluar koha, edhe De Rada do të vijë duke u njohur përditë e më pak..., ose përherë e më pak se Leka, se Noisi, se Xhesika, se Big Mama..., etj. Të gjithë këta janë afër me përshkrimin për Lekën, por janë ‘të famshëm sot. Këta e marrin famën nga fakti se ‘adhurohen’ nga dy pikat skajore të shoqërisë: Nga populli (populist) dhe nga Kuvendi (politika).

Si mund ta njohë, për shembull, deputetja e PD- një shkollare e re 20 vjeçare që ndalonte përditë te Çadra dhe për këtë arsye ‘e meritoi’ të jetë deputete’? Ajo nuk e njeh as kryetarin e PD; dhe prandaj ka deklaruar se do ta thërrasë “xhaxhi”. Atëherë ç’interes ka që të njohë botën ‘më tej’? Si kjo moshë ka edhe në LSI e në PS. Por nuk është vetëm mosha biologjike; është mosha e diturisë që duhet të ishte ‘pasaportë’ për njerëzit e majave në publik, siç është Kuvendi i Shqipërisë.

Çfarë ishte ngatërresa në Shkodër? Kandidati për deputet, Romeo Gurakuqi, është i rrethuar nga konsiderata se ‘këtë e kemi akademik’. Të paktën zoti Gurakuqi kësaj here vjen në Kuvend si një ‘akademik’; ndërsa të tjerët as që mund të pretendohet. Por edhe ‘maja më e lartë’ e diturisë së Kuvendit që vjen, ka në kokë një konfuzion mbi idetë shekullit 18 të Shiler me komunistin Qemal Stafa..., pastaj ka konfuzion mbi idetë ‘rebele’ të Migjenit me komunizmin e pastër të Qemalit. Në fjalimin e sotëm në Shkodër ai deklaroi: “Është më e vërtetë se kurrë profecia e një shkodrani të madh, e një poeti të madh, Millosh Gjergj Nikolla, Migjeni. ‘E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, një jetë e re po lulëzon mbi gërmadha’ të republikës së informalizuar’"- tha Gurakuqi para popullit.

Filozofia e cituar si e Migjenit është marrë nga një hartim i shkollarit Qemal Stafa në vitin 1935; që edhe ky si ide e kishte marrë nga poeti gjerman Shiler i viteve 1700...

Atëherë si mund të mos ngatërrojnë vajzat e vogla deputete, psh., De Radën me Mumajesin? Jo vetëm vogëlushet, por edhe të rriturit që vijnë në Kuvend nga punë të ulëta si taksist, bodyguard, parukere, shoqëruese nusesh, polic, rrahës njerëzish..., pse iu duhet të dinë mbi Fishtën ose Kadarenë, mbi Pjetër Bogdanin, mbi Çabejn ose Petro Zhejin?...

E thënë direkt, kjo që po ndodh nuk mund të stërhollohet me analizë, por t’i thërrasësh kombit ‘të vërë duart në kokë’. Në qoftë se dy ose tre vjet ulëritën tribunat politike, mediat dhe ‘të ndershmit’ se po luftojnë krimin në Kuvend, krimi kësaj here po vjen më i fuqishëm. Nuk ka krim më të madh për një komb se sa në krye të tij të vendosësh ‘këmbët’, d.m.th., pjesën më të ulët të dijeve dhe të mendjes. Mendja dhe dija nuk janë stoli, por janë edhe garanci se nuk do të ketë krim; siguri se qeverisja do të kontrollohet nga mendja e mirë... Një injorant, historikisht dhe natyrshëm, ndodhet në portën e krimit; ndërsa një i ditur është shumë më larg vrasjes, rrahjes, vjedhjes, brutalitetit dhe arrogancës.

Edhe pse po thuhet se “e vjetra shembet, kohët po ndryshojnë” (sipas Qemal Stafës dhe jo sipas Migjenit), Kuvendi që vjen nuk ka asnjë ndryshim nga Kuvendi i kaluar “i kriminalizuar”.

Çfarë ndodhi në Kuvendin e kaluar?

Numri i filozofëve dhe sociologëve ishte i njëjtë p.sh, me numrin e deputetëve që më parë kanë ushtruar profesionin e gardistit.

Në botimet dhe publikimet parlamentare të mëparshme dhe të tanishme CV e deputetëve vijon të konsiderohet një “sekret shtetëror” dhe element marketingu politik. Pse nuk tregohet CV? Sepse ka një kontradiktë: Kryetari i Partisë të pranon si injorant e abuziv, ndërsa publiku akoma jo.

Shumica absolute e deputetëve (79) kishin mbaruar studimet e tyre bazë ose edhe të avancuara në universitetet shtetërore të Tiranës. Tek universitetet vendore në vendin e dytë janë deputetët e diplomuar në Universitetin e Shkodrës, ndjekur nga universiteti privat „Kristal“.10 deputetë kanë studiuar në universitetin e Kamzës dhe pjesa tjetër në disa universitete lokale, kryesisht në Korçë, Elbasan, etj. Gjashtë deputetë që thonë se kanë studiuar në universitetet private, në fakt kanë studiuar në programe që ende nuk janë akredituar zyrtarisht; do të thotë ‘kaçakë’ universitarë. 10 deputetë e nisën shkollën pasi u zgjodhën deputetë, dhe vazhdojnë ‘studimet’ e nisura. Edhe kur thuhet se në Kuvend ‘shumica janë juristë’ në fakt janë juristë që kanë studiuar ‘part- time’ ose pasdite. Këta përbëjnë një të pestën e anëtarëve të Kuvendit.

Në parlament ka edhe një numër të lartë deputetësh që vijnë nga formimi ushtarak e policor.

...Kësaj here shifrat tregojnë më keq; por le të shikojmë përfundimin.

Nga të shpallurit sikur kanë studiuar ‘jashtë vendit’, në fakt shumica absolute kanë studiuar ‘jashtë’ në Tetovë, Turqi dhe Rumani.

Kthimi pas: Krahasimi mes deputetëve të vitit 1991 dhe atyre të parlamentit aktual. Më 1991 figuronin 52 deputetë me tituj shkencorë, kurse më 2014 dominojnë një kategori tjetër politikanësh, -biznesmenët; ndërtues ose përpunues bimësh narkotike... Ne po shkojmë prapa; mos besoni se po përparojmë. Pjetër Bogdani do të jetë një zero para Lekë Plepit, besojeni. Atëherë votoni!

 Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: