Jo më fasule e patate, shqiptarët po mbjellin erëza

Jo më fasule e patate, shqiptarët po mbjellin erëza
Kulturat tradicionale po lihen mënjanë, para dëshirës për të kultivuar prodhime bujqësore të destinuara për eksport, nga të cilat fitimet janë më të larta

***

Shqiptarët nuk po mbjellin më as fasule dhe as patate. Dy prodhime këto, të cilat dikur përbënin një potencial të vërtetë në sektorin bujqësor të vendit. Por ata tashmë duket se janë dhënë më shumë pas kultivimit të perimeve, bimëve mjekësore, madje edhe pas erëzave. Me pak fjalë, ndaj atyre prodhimeve të cilat janë të destinuara kryesisht për eksport, rrjedhimisht edhe për fitime më të larta, nga sa mund të siguronin prej fasules apo patates, si të tilla.

Një dukuri kjo që zbulohet nga të dhënat më të fundit që Instituti i Statistikave, sipas të cilave rezulton se “prodhimi i fasules ka rënë me nivelin prej -10.7% në vitin 2016 krahasuar me vitin 2015”. Sikundër, “një rënie më e lehtë vihet re në prodhimin e patates, -2.86%, krahasuar me një vit më parë”.

“Një vëmendje e veçantë i është kushtuar kultivimit të bimëve aromatike, mjekësore dhe erëzave të gatimit, prodhimi i të cilave në vitin 2016 arrin në 10.644 ton”, thuhet më tej nga ekspertët shqiptarë të statistikave, lidhur dukurinë në fjalë.

Më në detaje, tabelat statistikore tregojnë se një sasi të konsiderueshme kanë zënë vjet edhe bimët industriale, përkatësisht me 4.6 ton të kultivuara vjet në rang vendi. Sikundër, edhe foragjeret (lëndë e thatë) kanë njohur një shtim të tyre, për të kapur shifrën prej 1.325 tonësh gjatë vitit të kaluar. Për të theksuar gjithashtu se prodhimi i perimeve në vitin e kaluar, në krahasim me vitin 2015 është rritur me nivelin prej +9.6%, e konfirmuar në këtë mënyrë faktin se këto të fundit po e shtojnë interesin e fermerëve shqiptarë gjithmonë e më tepër. Teksa tek ky i fundit, një nivel të lartë duket se po shfaq vitet e fundit edhe mbi agrumet, apo edhe pemët frutore në tërësinë e tyre.

“Rritja e prodhimit të agrumeve me nivelin prej 33.3% dhe e pemëve frutore me 6.5% ka ardhur si rezultat i rritjes së sipërfaqes së blloqeve dhe mënyrës intensive të kultivimit të tyre”, saktëson INSTAT-i, lidhur me një situatë të tillë të krijuar në vend.

Fermerët po i “zëvendësojnë” lopët me bletë

Mjalti po vlerësohet më shumë se qumështi. Edhe në blegtori, njësoj si në rastin e prodhimeve bujqësore, fermerët shqiptarë, duket se para së gjithash po rendisin aspektin e fitimit në mbarështimin e gjësë së gjallë. Për një arsye të tillë ndoshta, ata kanë nisur që të mbajnë më shumë bletë, sesa lopë, siç mbanin dikur. Dukuri kjo që konfirmohet nga vetë ekspertët e statistikave, sipas të cilëve, “një vëmendje të veçantë po merr mbarështimi i bletëve ku vërehet një zgjerim i aktivitetit të fermerëve në disa zona të vendit”. “Përqendrimi më i madh i koshereve është në zonën juglindore të vendit. Korça zë vendin e parë me nivelin prej 15%, ndjekur nga Durrësi me 12.5% ndaj numrit gjithsej të koshereve. Kurse Lezha zë numrin më të vogël me 3.8% ndaj numrit gjithsej të koshereve”, cilësojnë ata. Duke shtuar më tej faktin se në vitin 2016, krahasuar me vitin 2015, është shënuar një rënie e numrit të gjedhëve, përkatësisht me nivelin prej -2.39%. “Rënie ka pësuar edhe numri i njëthundrakëve me -21.9% dhe numri i shpendëve me -2.72%”, cilësojnë ekspertët e INSTAT-it. Por gjithashtu, ata konfirmojnë se rritje ka pësuar edhe mbarështimi i deleve, konkretisht me nivelin prej 2.81%, si edhe ai derrave me 5.61%. Kujtojmë sakaq, se blegtoria mbetet një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë bujqësore shqiptare duke kontribuar me rreth 45% ndaj vlerës së përgjithshme të prodhimeve bujqësore blegtorale.

Lënda drusore në Shqipëri, po shkon drejt pakësimit të saj

Lënda drusore në Shqipëri, po shkon drejt pakësimit të saj. Një fakt i tillë konstatohet nga ekspertët e Institutit të Statistikave (INSTAT), sipas të cilëve kjo vjen si pasojë e pakësimit të fondit pyjor. “Si pasojë e shfrytëzimeve dhe zjarreve, volumi i lëndës drusore ka pësuar rënie në vitin 2015 dhe 2016 krahasuar me vitin 2014. Respektivisht në nivelin prej -27.3 % dhe -27.4%”, cilëson INSTAT-i. Më tej, ky institucion sqaron se në fondin pyjor në tërësi në vendin tonë, sipas pronësisë, 97.3% e sipërfaqes e zënë pyjet publike dhe 2.7 % ato private. Kurse përsa i përket volumit të lëndës drusore, 94% e saj thuhet se përbëhet nga pyjet publike dhe 6% nga pyjet private. “Në vitet e fundit nuk ka ndryshim në sipërfaqen e pyjeve”, është një fakt tjetër që vihet në dukje nga ana e ekspertëve të Institutit të Statistikave. Ndërkaq, shtohet se në vitin 2016, ka pasur shfrytëzim të lëndës drusore tre herë më pak se viti 2015, e përkthyer kjo në shifra të ruajtjes të fondit pyjor kombëtar, do të thotë që janë kursyer 546 hektarë pyje krahasuar me vitin 2015. Gjithashtu, konfirmohet se për periudhën janar-dhjetor 2016, në shkallë vendi, janë prerë ilegalisht 18.703 drurë, me volum rreth 3593.6 m³ ose 36% më pak drurë krahasuar me vitin 2015, kur janë prerë ilegalisht 27.506 drurë, me volum rreth 5480 m³.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: